MENU
klinika

Premier League, Java 32

Man United nuk fal, insiston për Champions

30.06.2020 - 22:15

Manchester United nuk fal, teksa sot ka marrë fitoren e tretë radhazi, duke mposhtur 3-0 Brighton në transfertë. Një sukses që e afron me 3 pikë me Chelsea e vendit të katërt, por ky i fundit ka një ndeshje më pak.

“Djajtë e kuq” zhbllokuan sfidën në minutën e 16′ me anë të talentit Mason Greenwood. 18-vjeçari ndërmori një aksion fantastik personal duke dribluar me shpejtësi dhe teknikë kundërshtarët dhe gjuajti saktë për 0-1. Një supergol nga beniamini i Solskjaer.

United ka dyfishuar rezultatin në 29’ pas një kombinimi të mirë ndërmjet Pogba dhe Bruno Fernandes. Francezi i nxori një top mjaft të mirë dhe portugezi me një gjuajtje nga distanca mposhti portierin kundërshtar për 0-2. Një gol mjaft i bukur nga ana e tij.

Miqtë gjetën golin e tretë në ndeshjen ndaj Brighton për 0-3 në 50’. Bruno Fernandes ka shënuar sërish duke u konfirmuar si një nga lojtarët më në formë të “Djajve të kuq”. Mesfushori ishte i pozicionuar mirë dhe pas një krosimi arriti të dërgonte topin në rrjetë me një goditje të saktë në gjysmëlartësi.