MENU
klinika

Pas shtimit të rasteve me Covid-19

Maqedonia mbyll futbollin, nuk ka verdikte

04.06.2020 - 16:17

Ndalet përfundimisht futbolli në Maqedoninë e Veriut. Sezoni nuk do të mbyllet në fushë. Federata e Futbollit të Maqedonisë, pas mbledhjes së fundit të Këshillit Drejtues, me rekomandim të Komisionit për Gara dhe duke marë në konsiederatë situatën epidemiologjike, ka vendosur që të ndërpresë sezonin 2019-20 dhe garat në Kupën e Maqedonisë.

Në lajmërimin zyrtar të federatës thuhet se në këtë vendim ka ndikuar situata me personat pozitivë te skuadrat e Renovës dhe Shkëndijës, si dhe pamundësia e zhvillimit të stërvitjeve në kushtet e kufizimit të lëvizjes në Maqedoni, pa harruar edhe karantinimin për dy javë në rast se dikush del pozitiv.

Vendimi është përcjellë deri te shtëpia evropiane e futbollit UEFA, me arsyetim se gjendja aktuale dhe shëndetësore në vendi nuk është në mundësi të përcaktohet korniza kohore për vazhdimin e kampionatit, me situatën e re të krijuar, e cila nuk garanton vazhdimin e Ligës së Parë që të ketë ndeshje të rregullta.

Në këto kushte nuk shpallet as skuadra kampione, ndërsa pas licencimit për garat evropiane, do të përcaktohen skuadrat që do të luajnë në Kupat e Europës. Në kampionatin maqedonas kryesonte Vardari, në vendin e dytë Sileks dhe në vendin e tretë Shkëndija e Tetovës me trajner Ernest Gjoka, që me shumë mundësi do të luajë në Europa League.