“Më sill 10 mijë euro ose do të vras”, ky është denoncimi që ka bërë një biznesmen në Bulqizë, i cili thotë se është telefonuar nga një person dhe është kërcënuar.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:15, të ditë së sotme (19 qershor), ndërsa bëhet e ditur se bëhet fjalë për biznesmenin Gëzim Balla, i cili është kërcënuar për një shumë prej 10 mijë euro. Po nga burimet mësohet se personi që ka kërcënuar biznesmenin është shtetasi Feruzan Shehu, i cili është në kërkim nga policia.
Blutë e Dibrës kanë shpallur në kërkim autorin, i cili për ta trembur biznesmenin kishte qëlluar edhe në ajër me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe 5 gëzhoja automatiku.
“Në vijim të veprimeve për kapjen e autorit, policia ka shoqëruar biznesmenin në vendin ku i kishte kërkuar autori që të paraqitej. Shtetasi F.Sh, i cili ishte fshehur rreth 500 metra në shpatin e malit, ka qëlluar në ajër dhe është larguar me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e policisë, ndërsa po punohet për zbardhjen e ngjarjes dhe kapjen e autorit.
Njoftimi i policisë
Me datë 19.06.2020, shtetasi G.B, (biznesmen), është paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Bulqizë dhe ka bërë kallzim, i cili ka deklaruar që është telefonuar dhe kërcënuar për vënie gjobë nga një shtetas. Falë reagimit në kohë dhe veprimeve profesionale, Policia identifikoi shtetasin F.Sh, i cili kishte telefonuar dhe kërcënuar shtetasin G.B.
Në vijim të veprimeve për kapjen e autorit, policia ka shoqëruar biznesmenin në vendin ku i kishte kërkuar autori që të paraqitej. Shtetasi F.Sh, i cili ishte fshehur rreth 500 metra në shpatin e malit, ka qëlluar në ajër dhe është larguar me shpejtësi. Shërbimet e policisë kanë rrethuar zonën dhe vijon krehja për kapjen e autorit.