MENU
klinika

Propozimi i ekspertit të Arsimit Ardi Stefa

“Ministria të rishikojë shpërndarjen e pikëve për vlerësimin!”

13.06.2020 - 10:46

Prej orëve të para të së premtes, qindra maturantë kanë protestuar para Ministrisë së Arsimit për provimin në lëndën Gjuhë Shqipe dhe Letërsi që kanë kryer një ditë më parë. Sipas tyre teza përmbante pyetje abstrakte, me shumë tekste dhe jashtë modeleve të paraqitura apo të viteve të tjera. Maturantët e kanë cilësuar provimin të pakuptimtë, si një eksperiment me pyetje të vështira dhe kanë kërkuar të rivlerësohen dhe të informohen mbi mënyrën sesi është formuluar teza. Ata janë ulur këmbëkryq para institucionit dhe madje kanë qëlluar drejt godinës me vezë duke kërkuar të bisedojnë me një përfaqësues të MASR.

Në një intervistë, mësuesi dhe eksperti i arsimit, Ardi Stefa tregon se testi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë nuk ka pasur pyetje jashtë programit të Maturës Shtetërore, por e kategorizon atë të një niveli të vështirë, duke u bazuar në kushtet specifike të këtij viti mësimor. Ai shton se testi nuk respektonte nivelet e arritjes së aftësive dhe kompetencave dhe nuk i korrespondonte kohës së vënë në dispozicion për plotësimin e alternativave. Stefa thotë se ministria duhet të rishikojë rishpërndarjen e pikëve për vlerësimin e maturantëve në këtë provim.

Maturantët kanë protestuar para MASR për testin e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. Ku qëndronte problematika në hartimin e tezës?

Mundet që i gjithë ky problem të përmblidhet në dy pika të forta, të cilat janë të lidhura ngushtë dhe që plotësojnë njëra- tjetrën: transparenca në lidhje me hartimin dhe formulimin e testit; dhe vërejtjet ndaj testit. Për sa i përket çështjes së parë, pra transparencës duhet thënë se janë disa pika tek të cilat komuniteti i mësuesve, pedagogëve të gjuhës shqipe apo hartuesve të teksteve mësimore, me të cilët kam kontaktuar këmbëngulin në: publikimin e menjëhershëm të tezës dhe skemën e vlerësimit, në mënyrë që komuniteti i mësuesve të lëndës të diskutojë hapur për të; kriteret mbi të cilat u ndërtua teza.

A ishin hartuar pyetjet mbi njohuritë që nxënësit kanë marrë gjatë viteve të shkollës së mesme?

Unë mendoj se testi, pavarësisht disa vërejtjeve ishte një test i një niveli të vështirë dhe se do të ishte një test deri- diku i pranueshëm për një vit normal mësimor dhe jo për vitin shkollor 2019- 2020. Por pyetje jashtë programit të Maturës Shtetërore nuk ka pasur.

Sa ishte shkalla e vështirësisë së testit?

Testi ishte i vështirë për kushtet specifike të sivjetshme. Gjithsesi duhet thënë se: Testi nuk respektonte nivelet e arritjes së aftësive dhe kompetencave. Testi nuk i korrespondonte kohës së vënë në dispozicion për plotësimin e alternativave. 60 pyetje për 120 minuta?! Si mund të imagjinosh që një nxënës mund të ketë kohën e duhur për të dhënë përgjigje për të gjitha alternativat?! (Pra, nxënësit ishin jo vetëm nën presionin e emocioneve të pashmangshme, por edhe përpara presionit të kohës). Testi nuk respektonte peshën specifike të fushave, të parashtruara në programin e maturës shtetërore. Në tezën e provimit për maturantët pyetjet u përqendruan rreth një zhanri të vetëm: poemës dhe poezisë. Në një kohë që 70% e informacionit që marrin nxënësit janë edhe për zhanre dhe lloje të tjera të letërsisë. U përjashtua kështu a) proza apo llojet e teksteve, për më tepër kur janë edhe njohuri të cilat konsiderohen që nxënësit detyrimisht duhet t’i kenë të përvetësuara, pasi janë më të dobishme dhe do t’u shërbejnë edhe në vazhdimësinë e tyre (p.sh. teksti argumentues); b) dhe drama (që vazhdimisht nënvlerësohet, kur nëse brezi nuk mund ta njohë si zhanër të shkruar, nuk mund ta kuptojë në skenat e institucioneve të kulturës). Nxënësve iu servir një model – provim paramature. Qëllimi i këtij testi konsiston në një orientim të drejtpërdrejtë të provimit përfundimtar. Testi përfundimtar, në fakt, ishte gradë të tëra larg modelit parapërgatitor. Testi ishte mbështetur në çështje periferike të programit dhe jo në boshtin formues të nxënësit. Nëse qëllimi i programit formues 12 vjeçar të lëndës së gjuhës shqipe dhe letërsisë është aftësimi i një shqipfolësi të mirë, ky test nuk arrinte ta kontrollonte këtë aftësim. Testi mendoj se nuk shpaloste formimin e nxënësit duke qenë se alternativat e përafërta nuk synonin të matnin aftësinë e nxënësit në perceptimin e mesazhit apo vetë imazhin e thënieve, por herë- herë luanin me fjalën pa e ndryshuar apo detajuar kuptimin.

Nxënësve iu tha mediatikisht që nuk do të ketë ese, ndërkohë që pjesa e parë e testit kontrollonte esenë. E kuptoj që pyetjet me alternativa nuk e matin dot nivelin e nxënësve, por patjetër që ato nuk mund të vlerësojnë të menduarit kritik. Për këtë, ndoshta, u caktuan disa pyetje, që matin pikërisht njohuritë mbi esetë. Por të shkruash një ese, nuk do të thotë të kesh vetëm një alternativë si hyrje (e cilësdo formë qoftë eseja).

Sa është marrë parasysh vështirësia që maturantët kanë kaluar me situatën e tërmetit dhe pandemisë?

Nuk duhet harruar që viti shkollor sivjet ishte i tmerrshëm: tërmeti i 26 nëntorit, pastaj mbyllja e shkollës për pushimet e fundvitit dhe, menjëherë në muajin mars, kur nxënësit sapo filluan të ambientoheshin me shkollën ndodhi ndërprerja e procesit mësimor për shkak të pandemisë. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo gjë, shkolla u hap vetëm për tre javë konsultimesh 18 maj- 5 qershor, për të kaluar në provime pastaj.

Kush i ka hartuar këto teza? A janë ekspertë këta persona?

Hartuesit e tezave pa diskutim janë mësues me eksperiencë, të përgatitur, ekspertë me integritet dhe të mirëtrajnuar. Personalisht e vlerësoj punën e tyre dhe nuk dua aspak që t’i paragjykoj apo të ngre hije dyshimi mbi punën e tyre.

Thjesht për sivjet them se ndoshta teza duhej të ishte e një niveli më të thjeshtë, në mënyrë që maturantët të mos penalizoheshin dhe mundi i tyre i dymbëdhjetë viteve të shkonte dëm.

A do të kenë mundësi maturantët këtë vit të ankimojnë mbi rezultatet e provimeve të maturës?

Çdo vit ka pasur ankimime për rezultatet, por me ligj thuhet se nota e provimit të maturës nuk ndryshon. Kjo është e kuptueshme pse bëhet, pasi në rast se do të ndryshonte nota, atëherë do të hapej një lojë e përvitshme që nuk do t’i gjendej ndonjëherë fundi dhe nxënësit nuk do të mund të përmbushnin asnjë afat regjistrimi nëpër universitete, pasi ankimimet dhe pretendimet do të zgjasnin pafundësisht. Mua më vjen keq që të rinjtë do ta nisin jetën e tyre me një padrejtësi, pra me një vlerësim, i cili mund të mos jetë vlerësimi real i njohurive të tyre dhe që mund t’u kushtojë vajtjen në degën e ëndrrave të tyre në universitet, por për fat të keq një gjë e tillë nuk ndryshon. Shpresoj që ndoshta ministria të rishikojë me dashamirësi rishpërndarjen e pikëve për vlerësimin e maturantëve në këtë provim. Ndërsa maturantëve u them të mos demotivohen, dekurajohen dhe të shohin me guxim përpara./GSH.al