MENU
klinika

Pamje të rralla nga momenti i zbulimit

Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit

14.06.2020 - 06:53

Në maj të vitit 1928, arkeologu Italiani Luigi Ugolini, teksa gërmonte gjatë ekspeditës së tij në Butrint, nën një mur që dukej jo shumë mbi tokë, punëtorët e tij panë të shfaqej një dysheme e dekoruar me peshq, zogj, një gomar, vile rrushi dhe drerë.

Punëtorëve të Ugolinit, të cilët ishin më së shumti barinj të zonës, nuk i kishin zënë sytë kurrë më parë një mozaik.

Me eksperiencën e tij prej profesionisti, Ugolini iu afrua pamjes rrethore me një transhe të thellë duke hequr ditë pas ditë dheun dhe duke zbuluar atë që do të quhej Mozaiku i Pagëzimores.

Mozaiku i Pagëzimores i përket periudhës kur krishterimi po lulëzonte në Butrint dhe qyteti kishte peshkopin e vet. Në Perandorinë Romake të Lindjes, kjo është sipas studiuesve pagëzimorja e dytë për nga madhësia pas asaj në Kishën e Shën Sofisë në Stamboll.

Mozaiku i Pagëzimores ka një kompozim të rrallë të motiveve të ndryshëm. Shtatë shirita rrethorë sillen rreth vaskës së pagëzimit në një sipërfaqe me diametër rreth 13,5 metër.

Shiriti i parë dhe i pestë tregojnë një degë dredhësi, një bimë kacavjerrëse e zonës.

Shiriti i dytë dhe i katërt i mozaikut kanë medalione të lidhur me njëri – tjetrin që mbajnë brenda figura lulesh, zogjsh, bimësh, peshqish dhe kafshësh të egra. I gjithë mozaiku ka 69 medalione me figura të larmishme.

Rrethi i tretë dhe i gjashtë kanë unaza të lidhura me njëra-tjetrën, ndërsa rrethi i shtatë, ai që rrethon dhe vaskën e pagëzimit, ka një qilim medalionesh me rombe.

Mozaiku i Pagëzimores u hap për restaurim për herë të parë dy vjet më parë, pasi kishte qëndruar i mbuluar për shtatë vjet me radhë.