Në sheshin qendror të Shkupit, ku është pllaka përkujtimore e Nënë Terezës, për herë të parë është vendosur mbishkrimi edhe në gjuhën shqipe.
Kjo pllakë është e vendosur në pjesën qendrore të kryeqytetit, aty ku më parë ka qenë shtëpia e familjes Bojaxhiu, babait të Gonxhe Bojaxhiut – Nënë Terezës, raporton INA.
“Beteja për vendosjen e dinjitetit në vendin e duhur, po ndodh me rikthimin e shenjave identifikuese dhe civilizuese, siç mund të jetë gjuha. Ky rikthim, po ndodh në 40-vjetorin e shpalljes së Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Tereza – QYTETARE NDERI e Shkupit (1980), duke hapur një kapitull të ri në betejat tona kulturore dhe shoqërore, aty ku edhe duhet të realizohet barazia e plotë e njerëzve të këtij nënqielli.” – ka nënvizuar publicisti, Emin Azemi.
Sipas tij, ITSHKSH dhe drejtori Dr. Skënder Asani, qëndroi me dinjitet në ballë të kësaj beteje, duke rikonfirmuar në praktikë arsyeshmërinë e themelimit të Departamentit për studimin dhe nderimin e Gonxhe Bojaxhiu -Nënë Tereza, institucion i parë kërkimor ky në botë, që merret në mënyrë të përkushtuar me studimin e figurës dhe veprës së Nënë Terezës.
“Në Sheshin qendror të Shkupit, po troket jehona e historisë së lavdishme Dardane” – ka shkruar Azemi.
Pllaka e shkruar në shqip, është bërë me një mbështetje nga nënkryetari i Qytetit të Shkupit, biznesmeni Enver Maliqi.