MENU
klinika

Esé nga Ardiana Shala Prishtina

Nga dita e një poeteje

08.06.2020 - 06:09

Në këtë rubrikë, shkrimtarë dhe poetë shqiptarë nga e gjithë bota rrëfejnë si është një ditë e tyre e zakonshme, duke sjellë pak atmosferë prej qyteve ku banojnë.

Poetja Ardiana Shala Prishtina, e cila jeton në Kosovë, solli për ne këtë rrëfim.

Një antenë satelit si përmendore

Ardiana Shala Prishtina

Në ditët e mia të zakonshme, ndodhin gjana që janë kahnjiherë aq të lodhshme, e aq dëshpruese, sa që mundohem çdo ditë prej fillimit me e ridefinu, ku asht kufini jem i të zakonshmes të pranueshme sot. Sepse krejt këto janë ndodhi krejtësisht kot. Asht gati si çdo shitëse, që s’të kthen kusurin që t’ka borxh, sepse ajo asht e trajnume me rrumbullaksu në favor të shefit. Asht nji burrë që të pyet në pikë të ditës, “kah po ngutesh oj fisnike?”, asht fqinji që ta nxen derën edhe pse ti ishe para tij te ajo, asht nji shofer idiot që përpak të përplasë edhe pse ti je në trotuar, e këso situata krejt kot. Kështu që e kam nji marrëveshje të heshtun me veten që e ridefinoj në fillim të ditës, për mos me u nxanë në habi. Sot s’kena me u ba nervoz me kondukterat e autobusve. Sot s’kena me i ni burrat e frustruem që ta mbajnë gajlen kah po ngutesh. Sot kena me ia përplasë derën syrratit fqinjit që mundohet me të shtyp në derë. Sot kena me ia ba rrafsh botës. Sot s’kena me i lëshu pe kurrkujt.

E bombarduem në të gjitha anët me informacione e me lajme e me fushata politike, asht realizim thuej se i përditshëm për mu në mbramjen e çdo dite që pshtova edhe këtë ditë. Me pshtue nënkupton, në vend të nji debati televiziv politikanësh me e këqyr nji dokumentarë të BBC-së për oqeanet, dhe shkatrrimin e tyne gradual si pasojë e ngrohjes globale, e cila asht pasojë e sjelljes së papërgjegjshme të njerëzve në raport me natyrën. Për me e thanë me pak fjalë. Sepse, e vërteta asht, që nuk ka randësi shumë çka thojnë dy politikanë të dy partive të ndryshme për botën. Shumë ma shumë ka randësi a kanë mjaftë Herring oqeanet e botës. Shumë ma shumë ka randësi për ne e për fatin tonë si shoqni, fakti që përderisa s’pat mbetë njeri pa u çue me recitue naj varg të Agollit ditën ku ai vdiq, për Trebeshinën, heshtja që pësoi nuk shurdhoi askënd. Kjo heshtje mu më erdh edhe ma e randë se lajmi për dekën e tij. Por ma e randë se kjo heshtje e madhe, ishte loti i i vogël i të njajtve që patën shkye qiellin për Agollin. Ky ishte mendimi me të cilën rashë me fjet nji natë ma herët. Dhe me këtë mendim u çova në mëngjes. Nuk pata kohë me pi kafe. Dola ngutshëm, si zakonisht, tue i shijue minutat e fundit të gjumit ma të gjata se që janë në të vërtetë.

Rrugës për punë, filloi matematika e problemeve të pazgjidhshme për të cilat shoqnia e këtij vendi, jo që nuk do me gjetë formulën, por i refuzon krejt formulat që ekzistojnë në fakt moti. Sipas stilit, rrota asht shpikë, e po qe, na nuk e pranojmë atë shpikje, dhe refuzojna në të njajtën kohë me e shpikë nji tjetër rrotë, ama kena me e përdorë rrotën që ekziston, vetëm jo me funksionin e njajtë qysh asht shpikë, por tue e dhunue në thelb të idesë. Dhe me këtë filozofi rrethrrotullimi te spitali shndrrohet në labirinth. Nuk dihet, kush ka hy, kah ka hy, qysh kah hy, e kah asht nisë, e kah don me dalë. Fakti që megjithatë njerëzit mbërrijnë ku janë nisë, pavarësisht kohës, asht habi e madhe për mu. Në rrethrrotullimet e Prishtinës, unë e kam ndjenjën që koha thjeshtë ndalet. E përderisa unë isha në rrethrrotullim te spitali, e nuk lëvizke ama bash hiç kurrgjo, i këqyrsha banesat e Ulpianës, edhe mu kujtue që u mungojshin satelitat. Në nji kohë, hiç shumë të largët prej sot, ballkonet e dritaret e këtyne banesave, dhe për aq sa vlen të krejt Prishtinës, kanë qenë të mbulume me satelitë. Me e kapë Shqipninë. Bile bile me më ngue mue, Prishtina e meriton nji satelit si përmendore. Me mendimet për satelitët tue mu sillë në kry, mbërrita mas gati nji ore në vend të punës, që në fakt isha dashtë me mbërri për njizet minuta.

Me shijen e randë të heshtjes për dekën e Trebeshinës hala në mendje, fillova me u marrë me detyrat për të cilat isha e ngarkume. Dhe po ecte mirë puna. E harrova Trebeshinën. Dhe kisha nevojë me thanë të drejtën me e harrue, se pesha e madhe e tij dojke me më shtypë. Në nji radius prej kush e di sa kilometra, isha tue e mbajtë vet krejt atë peshë. Sidoqoftë, e harrova derisa dikush e përmendi Agollin si shkrimtar të dashtun për të. Uf bre. Pse? Mirë, tue kenë se nuk e kisha pritë këtë ballafaqim në mëngjes kur kisha ba marrëveshjen me veten, mirëpo kisha mendim mirë të rrahun për Agollin e vlerën e tij, vendosa mos me hy në debat. Dhe shyqyr nuk pat insitim. Ama kjo më kthej te Trebeshina.

Dhe ndërkohë që po mendojsha për Trebeshinën, dikush në zyren tjetër ia kish lëshue zanin televizorit e po e ndi prej atje zanin e kryeministrit tonë. Menjihere mu kujtu kërkimfalja që ia adresoi gazetarëve pasi që i kisht ofendue këta disa ditë ma parë në nji stil mediokër alla Trump. Kërkimfalja e tij, që pësoi e mu kujtu mue, në fakt me thanë të drejtën kishte me kenë shumë patetike, sikur të ishte kërkimfalje ma së pari. Por ajo s’ishte kërkimfalje realisht. Ishte veç gjest i vogël. Kërkimfalje ose jo, mu kujtu që ka kenë edhe ma e dobët se në rastin e “pederit”. Rasti i pederit asht aj kur Haradinaj, atëherë sa nuk isht‘ hala kryeministër i Kosovës, iu patë drejtu nji burri me të cilën s’u pajtue për diçka (hiç s’ka lidhje çka), me “peder“. E masandej patë kërkue falje publikisht (hiç nuk e di, a atij të cilin e “ofendoi”, apo neve popullit sepse e nijtëm) tue sqaru që realisht qëllimi i tij s’ka qenë me ofendu komunitetin LGBT, por veç me deklaru nji mendim mbi karakterin e keq të nji burri.

Për me iu kthye rastit të gazetarëve, çka asht patetike, e më shtini me keshë tue e mendu, asht përkrahja e nji këshilltari të tij për “kërkimfaljen” e kryeminsitrit tue e lakue nëpër filozofina budiste, me konkludimin patetik “ai që fal asht njeri i mirë”. Krejt kjo ndoshta se këshilltari dojke me u harmonizue me filozofinë haradiniane të sqarume në parathanien e deklaratës të kërkimfaljes ku kryeministri i Kosovës sqaroi që “ai që kërkon falje asht i mirë”, edhe pse nji ditë e gjysë ma herët, ky këshilltari e përkrahi kryeministrin për sjelljen e tij arrogante ndaj gazetarëve, që dikur i kishte kolegë. Sjellja e kryeministrit natyrisht u vendosë shpejt me u quejt thjesht ” rrëshqitje jodiplomatike”, dhe këshilltari tue dhanë mungesën e diplomacisë së kryeministrit si argument mbrojtës, e tue e marrë sjelljen e kryeministrit si shembull qysh kish me vepru edhe ai vet ndaj gazetarëve që bajnë pytje palidhje e joetike, u mundue me u harmonizue filozofitë patetike të nji kabineti qeveritar.

Çka ndodhi më pas, nuk ishte aq filozofike sa idiotike. Se fundi i fundit asht lehtë me kërku falje për çka ke ba. Sidomos kur e ban si gjest. Por ama, asht ma vështirë me kërku falje për të njajtën që do kishe me e ba edhe ti…, ndërkohë që modeli yt inspirues i bie pishman dhe “kërkon” falje për “gabimin” hala pa u ba dy minuta masi që e përkrahe ti. Se s’mundesh edhe me përkrah nji sjellje e edhe me e përkrah kërkiminfaljen për qat sjellje dy minuta ma vonë, pa kenë jo i sinqertë bile për njanën. Sikur që s’mundesh edhe me kajtë për Agollin edhe me kajtë për Trebeshinën. Thjesht s’mundesh, pa rrejtë bile për njanën.

Asht në interes të njerëzimit, me i kuptue mirë njerëzit, sidomos ata që merren me ide të mëdhaja e kërkimfalje të vogla. Se përndryshe të vegjëlit, mjafton nji kërkimfalje patetike dhe falin çka s’kuptojnë dhe mbesin të vegjël përgjithmonë. Mos me falë asht përgjegjësi e shoqnisë, veçanërisht kur “gabimi” asht brum i mendësisë, asht brum i botëkuptimit, e jo mungesë e njohurive, informimit të gabueshëm apo “grumbullimit të stresit”.

Mendësia nuk ndryshohet brenda nji njeriu sot për nesër, por kur nji mendësi që udhëheq me ty dëshmon nji horizont kaq të ngushtë të botëkuptimit saqë asht në gjendje me të ofendu edhe me kërkimfalje, dhe ti e fal pa ba shum za, se je mësue qashtu, ajo pasqyron në njifarë mënyre edhe kulturën e frymën e krejt shoqnisë. Dija e njohuritë kanë me u definue shumë prej qasaj kulture e fryme kushtimisht. Prandaj, kur asht fjala për sjellje politikanësh që pasqyrojnë qartë botëkuptimet e tyne të ngushta e të prapambetuna, mos me i falë, nuk asht me urrejtë, asht me ndje personalisht përgjegjësinë për nevojën e ndryshimit që i duhet shoqnisë ku jeton. Nëse dojna me dalë prej qarkut na duhet me u mësu mos me falë. Mos me falë, nuk t’ban njeri të keq, t’ban njeri që nuk pajtohet me nji mashtrim. Ka plot mënyra paqësore, qysh mundet mos me falë njeriu. E nji prej tyne asht me e ba të qartë, çka quhet e çka s’quhet kërkimfalje, dhe nji tjetër asht – me e kuptu përgjegjësinë e vetes, edhe për nji nesër që s’të takon veç ty, dhe nji tjetër asht – me kajtë për Trebeshinën.

Nuk e di as vet çka ndodhi, por pak a shum kryta punët që kisha dhe u nisa për shpi. Vendosa me ecë. Tue ecë natyrisht më ra me kalu përskej përmendoreve e fontavave dhe kjo ma kujtoj idenë e nji antene satelitore si përmendore. Nji përmendore që kishte me simbolizue nji Kosovë, e cila nji copë të lirisë që nuk e kishte e mori, edhe hiç pa e mshef, përmes ekranit televiz. Kjo asht ndoshta edhe arsyeja pse sot e kësaj ditë nji kallabllëk njerëz në Kosovë, televizorin e ndezin edhe kur nuk e shikojnë. Thjesht me ia ndi zanin, me e ndi që asht aty. Si prani e nji mundësie lirie, nji ideje përtej. Dikur bardh e zi e me shumë miza. Sot me ngjyra dhe pa asnji mizë.

Fillova me lypë vend të përshtatshëm për nji përmendore satelitore. Në gjysë të rrugës e dorëzova këtë ide. Krejt vendet e mira i kishin nxanë, e ato jo fort të mira i kishin pasë nxanë, gjithashtu. Më mbetën në fakt rrethrrotullimet si mundësi. Nji antenë satelitore në mes të rrethrrotullimi, që sillet në kahun e kundërt të lëvizjes të kerrëve. Nëse, veç duhet me u ndalë koha çdo ditë në rrethrrotullimet e Prishtinës, pse jo, me nji përmendore që çon në nji kohë ku shpresa për liri e demokraci e shtet të hajrit ka pasë kuptim, dhe mbi të gjitha në në një kohë ku akrepat në orë kanë ecë përpara?