Ministrja e Kulturës, Margariti dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim nënshkruan në Amfiteatrin e Durrësit, memorandumin e mirëkuptimit për hartimin e një Plani Menaxhimi të Integruar, për 7 vjet, në zonën arkeologjike A dhe krijimin e TID Durrësit. Ministrja tha për mediet, se ky projekt që po merr jetë pas dëmtimit që shkaktoi 26 nëntori i vitit 2019, ka në fokus zhvillimin arkeologjik, ekonomik edhe kulturor të zonës.
“Kemi ndërrmarë bashkë me qeverinë shqiptare një tjetër hap të rëndësishëm së fundmi. Tashmë kemi miratuar vendimin e Këshillit të Ministrave që përcakton dhe se si do të mund të bëhet strehimi post- tërmet në një zonë arkeologjike dhe plani i menaxhimit është një viizon ende më i madh që do të ketë në thelb edhe këtë hap të parë e të rëndësoshëm që do ta zhvillojmë së bashku”, – tha Margariti.
Sa i përket angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë edhe atyre vendas në këtë projekt, ministrja shprehet e hapur për bashkëpunim.
“Patjetër që do kemi nevojë për ekspertë, patjetër që mirëpresim të gjithë njohuritë e ekspertëve të huaj, partnerë të ndryshëm të huaj janë ofruar për të na dhënë ndihmën e tyre, gjithashtu kemi ekspertë shumë të mirë vendas, të cilëve iu është shtrirë dora dhe në një sërë hallkash të ndryshme që kemi filluar, jam e bindur se do të gjejmë një sinergji shumë të mirë” – përfundoi ajo.
Ndërsa, Martin Mata, e cilësoi një dëshirë të kahershme, që vjen pas 8 bashkëpunimeve të tjera, të Fondit Shqiptaro Amerikan për Zhvillim në Shqipëri.
“Është e vërtetë që ne mendohemi shumë para se të hyjmë në një nga investimet tona. Durrësi ka qenë herët në listën e punëve tona, koha e solli që të vijmë aty, sebep për ta përshpejtuar dhe për të rritur dëshirën u bë tërmeti, amfiteatri është perlë dhe Durrës,i ofron një model që fondacioni e ka bërë jo pa sukses, në rreth 8 zona të tjera të Shqipërisë”, – tha Mata.
Plani i Menaxhimit të zonave arkeologjike në zonët A dhe B në Durrës është i dyti i tillë, pas atij të Butrinit, që realizohet pas ligjit të ri të Trashëgimisë, që i hap rrugë menaxhimit të siteve arkeologjike nga fondacionet.