MENU
klinika

Rikthen ish-deputetët

PD gati përzgjedhjen e kandidatëve, Basha nis “fushatën”

21.06.2020 - 07:39

Partia Demokratike duket se ka ndezur motorët për zgjedhje. Më 7 qershor kryedemokrati Lulzim Basha zhvilloi një mbledhje me kryesinë e partisë, ku propozoi nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore. Më konkretisht zoti Basha kërkoi përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie.

Por, mësohet se udhëzimi që do t’i kërkojë anëtarësisë së PD të zgjedhë përmes parimit një anëtar një votë deputetët e saj për Parlamentin e ardhshëm është gati dhe po konsultohet me forca partnere që zhvillojnë këtë proces në vendet e tyre. Sipas informacioneve, mësohet se procesi i përzgjedhjes së kandidaturave pritet të nisë javën e ardhshme dhe do të zgjasë deri në 15 shtator. Por pavarësisht se ia ka lënë anëtarësisë përgjegjësinë e propozimeve dhe vendimmarrjes, ditët e fundit në takimet që ka zhvilluar me qytetarë, biznese dhe fermerë, vetë kreu i demokratëve ka qenë i shoqëruar nga disa prej ish-deputetëve të tij që pritet t’i nënshtrohen testit të anëtarësisë në muajt në vazhdim.

Kështu, në takimet e zhvilluara në Tiranë, Basha është shfaqur në krah të ish-deputetëve, Halim Kosova, Jorida Tabaku, Gert Bogdani, Grida Duma, Klevis Balliu. Ndërkaq në Vlorë kryedemokrati u shfaq në krah të ish-kandidatit për kryetar bashkie, Genc Deromemaj, ndërsa në Elbasan në krah të ish-deputetëve Luçiano Boçi dhe Endri Hasa.

Ndërkohë që takimet në rrethe do të vijojnë edhe në ditët e ardhshme. Pra, kjo tregon që paralelisht me përzgjedhjen e kandidatëve për pushtetin vendor dhe për deputetët, Basha ka nisur edhe “fushatën” elektorale, duke kthyer pas vetës disa prej ish-deputetëve. Nga ana tjetër në lidhje me zhvillimet në kampin blu dhe strategjisë së përzgjedhjes së kandidatëve, dje ka folur edhe nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka. Ky i fundit gjatë një prononcimi për mediat, theksoi se ky vendim i PD i hap rrugë anëtarësisë që të zgjedhin atë kandidat që duan për t’i përfaqësuar ata si në nivel deputeti ashtu edhe në nivel vendor.

“Sistemi ynë synon t’i japë mundësi anëtarëve të PD, demokratëve që të zgjedhin ata, se kë duan që t’i përfaqësojë, qoftë në Parlamentin e ardhshëm, qoftë në pushtetin lokal. Kjo për mua është zgjidhja e vetme, për problemin që është krijuar me listat e hapura”, deklaroi Paloka.