Kurba e të infektuarve me koronavirus ka shënuar rekord rastesh të reja ditën e djeshme. Në raportimin e të dhënave më të fundit Ministria e Shëndetësisë tregoi se bilanci i të prekurve është rënduar ndjeshëm, duke shkuar në 57 raste të reja brenda 24 orëve. Referuar të dhënave të publikuar numri më i lartë i të prekurve shënohet në Krujë, qytet i cili prej fillimit ka qenë vatër e nxehtë infeksioni, me 16 raste që i përkasin kontakteve me të infektuar të mëparshëm.
“Gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 362 testime për të dyshuar të prekur me Covid-19 nga të cilat janë konfirmuar 57 raste pozitive. Kruja ka numrin më të lartë të rasteve ditore, me 16 të prekur që lidhen me aktivitete biznesi dhe kontakte të tyre, e ndjekur nga Tirana me 14 raste, 9 në Vlorë, 8 në Shkodër, 6 në Lushnje, 2 në Pukë, 1 në Durrës, 1 në Fier. Ndërkohë që janë në hetim shumë raste të reja në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Krujë”, raportoi MSH.
Ndër të tjera bëhet e ditur se, gjatë 24 orëve janë shëruar 5 qytetarë duke e çuar numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë në 1044. Aktualisht në spitalin infektiv po marrin shërbim 47 pacientë, 7 prej tyre janë në terapi intensive dhe një i intubuar. Në vendin tonë janë aktualisht 441 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Shkodër, Krujë.
Sakaq referuar situatës së përkeqësuar ministria u bën thirrje qytetarëve, por më së shumti bizneseve të respektojnë protokollin e përcaktuar nga qeveria në të kundërt do të ndëshkohen si shkelës të ligjit, madje nëse është e mundur të vijohet puna nga shtëpia. “Nisur nga fakti se po zbulohen raste pozitive në disa ndërmarrje, subjekte tregtare apo institucione të ndryshme publike dhe private, Ministria e Shëndetësisë rekomandon kudo ku është e mundur puna nga shtëpia, të nxisin këtë mënyrë alternative për të frenuar përhapjen e Covid-19. Me organet e rendit po intensifikohet puna për të garantuar respektimin e karantinës së detyrueshme për personat e prekur nga Covid-19. Inspektorët e task-forcës anti-covid do të ndëshkojnë çdo subjekt që thyen rregullat e vendosura”, thuhet më tej.
Ja qëndrimi i Piperos për rikthimin e karantinës
Maqedonia e Veriut ka rikthyer masat kufizuese pas shtimit të rasteve të infektuar, në të njëjtën situatë me rritje të numrit po përballet edhe vendi ynë, kështu që të gjithë i druhen rikthimit të karantinës. Por, deri më tani qeveria nuk ka dhënë asnjë vendim për rikthim të masave nga ana tjetër.
Për këtë çështje ka folur edhe mjeku i njohur Pëllumb Pipero. Gjatë një interviste për “Deutsche Welle” ai u shpreh se nuk është pro rikthimit të masave në Shqipëri, por kërkoi respektim të protokollit nga qytetarët dhe punë më intensive dhe të kujdesshme nga autoritetet shëndetësore. “Nuk besoj, se rikthimi i masave do të ndodhë edhe në Shqipëri. Për Shqipërinë nuk do ta rekomandoja. Masat shtrënguese nuk janë tanimë efikase. Mjafton respektimi nga popullata i distancës sociale, vendosja e maskës në mjedise publike, higjiena e duarve. Kurse për autoritetet e shëndetësisë dhe stafet e mjekëve mjafton ndjekja e rasteve klinike, testimi i tyre, lokalizimi i rasteve të kontaktit dhe i vatrave të infektimit për të vazhduar të kemi nën kontroll epideminë në këtë fazë të dytë të zhvillimit të saj”, u shpreh ai.
Sipas tij në këtë situatë kemi ardhur për shkak se qytetarët shkelin rregullat dhe nuk janë të ndërgjegjshëm në kontaktet që kanë me mjekët apo dhe të tjerët, prandaj është shtuar edhe numri i të infektuarve nga radhët e bluzave të bardha. “Shtimi i rasteve pozitive ishte i pritshëm, pasi hapja totale ka rritur mundësitë e ekspozimit ndaj virusit. Por shifrat kaq të larta dhe të shoqëruara me shtrime në spital janë të papritura. Mendoj se ka një shkujdesje që shkon deri tek ideja se virusi “iku”.
Por ai vazhdon të qarkullojë, të jetë mes nesh. Duhet respektuar distanca sociale, vendosur maskat në mjedise publike apo në grumbullime në vende publike, duhen respektuar protokollet në bare, restorante, madje edhe në institucionet shëndetësore. Rasti i prekjes nga virusi korona i 15 mjekëve dhe infermierëve në QSUT, nga një paciente pozitive me këtë virus, është më seriozi”, theksoi ai.