MENU
klinika

Nga Andi Bushati

Pesë mite aspak speciale që u rrëzuan në Hagë

28.06.2020 - 08:06

Përdhosja e samitit serbo- shqiptar që do të mbahej këtë 27 qershor në Uashington, si pasojë e vendimit të Gjykatës Speciale për të shpallur marrjen e mundshme të Hashim Thaçit si të akuzuar, i ka vënë në vështirësi ekstreme të gjithë mbrojtësit pa kushte të projektit të dy presidentëve, të mbështetur nga Rik Grenell.

Të gjithë ata që deri më tani pretendonin se takimi në Shtëpinë e Bardhë nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, se fjala e Amerikës barabitej me atë të perëndisë, se grushti i shtetit kundër Albin Kurtit përligjej nga interesa më madhore, se fijet e qeverisë së re nuk i luante Hashim Thaçi, tani janë detyruar ti ridimensjonojnë qëndrimet e tyre.

Mitet që ata u munduan të ndërtojnë me mundim po shemben një nga një si kështjella të vogla rëre.

1) S’mund të ketë komplot kundër një plani ekonomik
Që kur u rrëzuan njëra pas tjetrës qeveritë Haradinaj dhe Kurti, që kur u kërcënua me ndërprerjen e ndihmës amerikane dhe tërheqjen e trupave nga Bondsteel, që kur u karkua në mënyrë ultimative heqja e takësës 100% pa vendosur reciprocitetin, që kur u bombardua me kushte Prishtina, pa i vënë një të tillë Beogradit, të shumtë qenë ata që propogandonin se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar.
Ata mjaftoheshin me fjalët e të dërguarit special për dialogun se nuk kishte dëgjuar gjë për shkëmbim teritoresh dhe se marëveshja ishte vetëm ekonomike.
Tani, të njëjtët po ulërijnë se prokurorët amerikanë të Hagës bënë një komplot. Se ata organizuan një puç për të prishur një marëveshje. Se mbrapa saj qëndrojnë ose ato shtete europiane që nuk e doni këtë “deal”, ose kundërshtarët demokratë të Trumpit në ShBA.

Por, pyetja që shtrohet është: nëse në Uashington do të flitej vetëm për ekonomi, punësim dhe investime, pse do qenë aq shumë të interesuar në të dy anët e Atlantikut për t’a prishur takimin? Pse kur nuk do arrihej asgjë dhe nuk do vizatoheshin harta, duhej të kishte aq shumë faktorë të angazhuar për të përdorur drejtësinë si digë për politikën?

E pra, të dy argumentet nuk mund të qëndrojnë së toku.

Asnjë mendje normale nuk mund të pranojë se u shpenzuan energji, u thurrën plane, u përdorën kulisa për të shkatërruar diçka që si prishte punë kërkujt. Vetëm nëse pranojmë se aty kishte një plan okult, me pasoja të rrezikshme, mund të imagjinojmë se dikush komplotoi kundër asaj që mund të ndodhte.

2) Barazimi i Amerikës me një kaubojs si Grenelli
Për një kohë të gjatë kushdo që ka shprehur dyshime për mënyrën arrogante dhe brutale me të cilën po vepronte i dërguari i persidentit Trump për dialogun, Rik Grenell, është ndeshur gjithmonë me retorikën idiote: ‘Kush je ti që po ngrihesh kundër ShBA-së? Etiketimet si anti-amerikan kastrist, çavist, rimonin menjëherë pas kësaj.

Të njëjtët që zhurmonin në këtë proces pro- amerikanizmi, sot kanë guximin të thonë se puçi i Hagës dhe samiti i Uashingtonit mund të jetë prishur nga kundërshtarët demokratë të presidentit Trump, që vazhdojnë të kontrollojnë shtetin e thellë në ShBA.
Po pyetja e thjeshtë është, po këta të dytët nuk qenkërshin amerikanë? Po ata kongresmenë demokratë, analistë dhe gazetarë që e shihnin me dyshim atë që nisi John Bolton dhe donte të përfundonte Grenell, mos janë gjë marksistë, kubanezë, venezuelianë?

E pra, nuk ka idiotsi më të madhe se sa të mbash mbi supe epitetin qesharak të anti- amerikanit, kur të qëllon të jesh kundër aksionit dhe punës individuale të një diplomati, politikani apo qoftë edhe administrate.

3) Grushti i shtetit justifikohej nga interesa madhore
E njëjta mendësi karikoi edhe topat politiko- mediatikë që shkarkuan breshërinë e tyre për rrëzimin qeverisë legjitime të Albin Kurtit. Në fjalorin e të gjithë atyre që milituan kundër saj, nuk përfillej fare fakti i votës popullore për ndryshim, as premtimet që i ishin bërë zgjedhësve, as programi i votuar në parlament. Ajo thjeshtë duhej rrëzuar se po e prishte Kosovën me aleatët strategjikë.

Të gjithë ata që kënduan këtë refren luftarak sot po denoncojnë komplotin e kundërshtarëve euro- atlantikë të Grenellit, që i ngrinë atij buzëqeshjen në buzë.
Po pyetja është, po këta komplotistë, amerikanë apo gjermanë qofshin, a nuk janë aleatët tanë strategjikë? A nuk kanë luftuar për çlirimin e Kosovës? A nuk e kanë njohur të parët pavarësinë e saj? A nuk kanë vënë vija të kuqe kundër coptimit dhe lojës me kufinj?

E pra, tani e kemi më të qartë, se Albin Kurti u rrëzua për interesa personale dhe jo për broçkullat parimore me të cilat na frynë kokën për javë me radhë.

4) Qeveria “Koti” e pavarur nga Thaçi
Që kur kabineti Kurti u rrëzua për të shkuar drejt dialogut me një qeveri të varur nga votat e listës serbe, të përbërë nga kapsëit e shtetit që populli i dënoi me votë, të përdorur si mashë për qëllimet e presidentit Thaçi, Albini me një lojë të gjetur fjalësh, e quajti pasardhësin e tij, jo Hoti, po Koti.

Më kot u rekën dalëzotësit e pushtetit të vjetër ta vizatonin atë si një qeveri legjitime dhe të zonjën e fateve të veta. Porsa u vu në provë, porsa Haga i’a bëri të pamundur Hashim Thaçit pjesmarrjen në samitin e Uashingtonit, ndonëse Grenell, insistoi që takimi të vazhdonte dhe kryeministri të merrte pjesë, Avdulla Hoti u tërhoq duke dëshmuar edhe njëherë se nuk është asgjë më shumë se paterica e presidentit. Ai jo vetëm u mbulua me turp si kryeministër që s’ka asgjë në dorë, por fëlliqi edhe ata që e mbrojtën si një politikan të pamvarur dhe dinjitoz.

5) Personifikimi i UÇK me Thaçin
Pasi loja individuale e Thaçit, Vuçiçit dhe Grenellit që mëtoi të përjashtonte çdo lloj faktori tjetër, mori një goditje të papritur, të gjithë mbrojtësve të këtij plani, nuk u mbeti gjë tjetër veçse të bërtisnin, se si pasojë e akuzës së mundshme për presidentin e Kosovës, po njollosej epopeja e UÇK-së.

Vetë ish drejtuesi i kësaj ushtrie u kujtua të vendosë në faqen e Facebook stemën e saj, ndërsa kryeministri shqiptar u përbetua se ajo histori e lavdishme nuk mund të zhbëhet. Si kor për këta solistë u vunë në radhë edhe mbështetësit e tyre.

Por, asgjë reale nuk ka në këtë mes.

Sepse është hileqare dhe meskine që të personifikosh një luftë të tërë me fatin e një njeriu, krimet apo pastërtinë e tij, me sjelljen e mijra luftëtarëve të tjerë.

Ashtu sikurse donte t’a personalizonte dialogun me Serbinë, Hashim Thaçi po tenton ta unifikojë edhe të shkuarën e çlirimtarëve me veten. E këtu sado fanatikë që të jenë, mbështetësit e tij nuk e mbrojnë dot. Aq më tepër që ata që besojnë se ndaj tij po bëhet një komplot politik, pa bazë reale, nuk kanë pse shqetësohen, as për njollosjen e idhullit të tyre, e aq më pak për atë të ushtarëve të thjeshtë të UÇK-së.