MENU
klinika

Roland Qafoku/ Çfarë do të ndodhë në PD?

Po tani kush do t’ia ketë fajin Partisë Demokratike?

08.06.2020 - 11:30

Nga Roland Qafoku

Më në fund marrëveshja u arrit. PD-ja dhe PS-ja ranë dakord për mënyrën se si do të realizohen zgjedhjet në vitin 2021, duke plotësuar kushtin kryesor, atë të identifikimit biometrik ose, e thënë ndryshe, që përveç votës, çdo votues do lërë edhe shenjat e gishtërinjve duke sofistikuar identifikimin e secilit.

Por nuk është pak edhe riformatimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të cilin kryetari do zgjidhet me konsesus dhe nënkryetari do t’i përkasë opozitës. Ngazëllimi u duk qartë në fytyrat e përfaqësuesve të Partisë Demokratike mbrëmjen e 5 qershorit, të cilët u ndien super të kënaqur për atë që kanë arritur, pavarësisht se prej muajsh kërkesa e saj pa negociata ka qenë “nuk ka zgjedhje me Edi Ramën kryeministër”.

Por, kjo tani nuk ka fare rëndësi. E rëndësishme është që PD-ja është e kënaqur me atë që ka arritur dhe vetë kryetari Lulzim Basha deklaroi se me këtë marrëveshje jepen garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Deri këtu biem dakord të gjithë, dhe kjo na kanaq pa masë.

Por tani për PD-në dhe lidershipin e saj vjen ajo më vështira. Çfarë do të ndodhë në Partinë Demokratike nëse ajo i humbet këto zgjedhje? Alibi nuk do të ketë, sepse marrëveshja e arritur jep garanci.

Atëherë a është i gatshëm lidershipi i saj në drejtimin e Lulzim Bashës të dekalarojë dhe premtojë që nëse i humbet zgjedhjet, do të largohet nga drejtimi i PD-së? Sigurisht që për një parti në opozitë kjo është një pyetje e vështirë, rraskapitëse dhe po t’i shtosh që vitin tjetër mbushen 8 vjet pa pushtet, afërmendsh që edhe militanti më pesimist do të përgjigjet se kjo nuk do të ndodhë.

Pesë herë e pyeta Oerd Bylykbashin pak ditë më parë në emisionin tim“HARD TALK” që nëse PD-ja humbet, a do të largohet Lulzim Basha nga drejtimi i PD-së dhe po aq herë ai nuk dha përgjigje.

Ironia me një nga figurat më serioze në këtë parti shkoi deri atje sa dha përgjigje për veten e vet, duke sqaruar publikisht se ishte i gatshëm të largohej nga PD-ja dhe t’i futej jetës akademike, nëse dështonte. Por ama sakrifikoi të mos artikulonte asnjë fjalë për shefin e tij, Lulzim Basha.

Po pse ka një frikë PD që të diskutohet kjo çështje? Përse sa herë pyetet edhe vetë kryetari Basha përgjigjja është klishe: PD nuk humbet. Dhe më e rëndësishmja, çfarë do të ndodhë në të vërtetë nëse PD-ja humbet?

E kam shkruar edhe herë të tjera. Unë nuk e shtroj këtë pyetje ngaqë mezi pres të humbasë Partia Demokratike. Do të ishte harakiri e demokracisë të mos kemi rotacion dhe ndërrim pushtetesh, duke prishur rregullin e këtyre 30 vjetëve që një forcë politike qëndron në pushtet 8 vjet, në dy mandate. Do të ishte akoma më e rëndë për demokracinë që pas tri dekadave të mos kishim një kalim normal pushtetesh, siç ndodhi më 2005 dhe më 2013.

Por a është e gatshme dhe e përgatitur PD-ja të vijë në pushtet pas 8 vitesh në opozitë? Kujdes! Nuk po pyes nëse Lulzim Basha ka dëshirë të bëhet kryeministër? Por po pyes nëse ka një frymë masive në Shqipëri që të ndërrohet pushteti? Po pyes nëse pjesa gri e shoqërisë, ajo më intelektualja, jo militantja, kërkon dhe dëshiron që PD-ja të vijë në pushtet si alternativë bindëse për të zëvendësuar Edi Ramën dhe Partinë Socialiste.

Po pyes akoma nëse ka një situatë të ngjashme si në vitin 2004 dhe në vitin 2012, kur një vit përpara se të vinin në qeverisje kishte bindje masive në popull që PD-ja dhe PS-ja vinin në pushtet dhe Sali Berisha dhe Edi Rama do të ishin kryeministra.

A ka sot një vit përpara zgjedhjeve të vitit 2021 një frymë se PD-ja do të vijë patjetër në pushtet? A ka sot bindje masive se PD-ja do të jetë në qeveri pas 12 muajsh? A beson zona gri se Lulzim Basha do të jetë kryeministër pas 12 muajsh? Realisht sot është shumë, shumë e vështirë të jesh optimist në përgjigjen e këtyre pyetjeve për shumë arsye. E para, është se që nga vitit 2013 që ra nga pushteti, kjo forcë politike ka një bilanc tepër negativ. Ka humbur zgjedhjet lokale të vitit 2015.

Ka humbur thellë zgjedhjet e përgjithshme në vitin 2017. Dorëzoi mandatet e deputetëve me një gafë vetëvrasëse politike dhe nuk mori pjesë në zgjedhjet lokale të vitit 2019. E dyta, është që shumë figura të rëndësishme të kësaj force politike janë larguar dhe shikohen nga lidershipi i saj si armiq të egër.

Së treti, te lidershipi i PD-së mungon besimi i duhur në kohë të tilla. Me këtë bilanc, as frymë, as erë e as besim nuk duket që kjo parti të jetë pranë pushtetit. Kundërshtarët e kësaj teorie mund të nxjerrin dhe ta justifikojnë dështimin me atë që “diktatori Rama i vjedh zgjedhjet”.

Ok, e marrim të mirëqenë. Po tani që identifikimi biometrik mori aprovimin nga nga marrëveshja e re, çfarë justifikimi do të nxjerrin? Dhe më e rëndësishmja fare: nëse PD-ja humbet zgjedhjet në vitin 2021, kush do t’ia ketë fajin?

Është shumë, shumë e rëndësishme që lidershipi i saj dhe vetë kryetari Lulzim Basha t’i japin përgjigje që sot kësaj pyetjeje. Në mënyrë që kur të vijë ai moment, nuk duhet të kemi justifikimin e radhës se na vodhën. Pas arritjes së marrëveshjes, vetë Edi Rama e tha: Bujrum!/ Fjala.al