MENU
klinika

"Me dashurinë ndër dhëmbë..."

Poezi nga ROBERTO JUARROZ

10.06.2020 - 06:16

ROBERTO JUARROZ
(1925 – 1995)

69

Çdokush ikën si të mundet,
disa me gjoksin gjysmëhapur,
të tjerë vetëm me një dorë,
disa me kartën e identitetit në xhep,
të tjerë në shpirt,
disa me hënën e vidhosur në gjak
dhe të tjerë pa gjak, pa hënë, pa kujtime.

Çdokush ikën edhe pse nuk mundet,
disa me dashurinë ndër dhëmbë,
të tjerë duke ndërruar lëkurën,
disa me jetën dhe vdekjen,
të tjerë me vdekjen dhe jetën,
disa me dorën në supin e tyre
dhe të tjerë në supin e të tjerëve.

Çdokush ikën sepse ikën,
disa me dikë mes vetullave natë-gdhirë,
të tjerë pa u takuar me askënd,
disa nga dera që të nxjerrë apo duket se të nxjerrë në rrugë,
të tjerë nga një derë e vizatuar në mur ose ndoshta në ajër,
disa pa nisur të jetojnë
dhe të tjerë pa nisur të jetojnë.

Por të gjithë ikin me këmbët e lidhura,
disa nëpër rrugën që bënë,
të tjerë nëpër atë që nuk bënë
dhe të gjithë nëpër atë që kurrë nuk do ta bëjnë.

 

77

Në një natë që duhet të ishte shi
a në molin e një porti që ndoshta nuk ekziston
a në një buzëmbrëmje të kthjelltë, ulur në një tryezë pa askënd,
më humbi një pjesë e imja.

Nuk ka lënë asnjë boshllëk.
Madje: duket si diçka e ardhur
dhe jo diçka që ka ikur.

Por tani,
në netët pa shi,
në qytetet pa mole,
në tryezat pa buzëmbrëmje,
papritur ndihem shumë më i vetmuar
dhe s’e marr guximin ta kontrolloj veten me duar,
edhe pse gjithçka duket se është në vend të vet,
ndoshta edhe më shumë se më parë.

Dhe dyshoj mos ndoshta do të kishte qenë më mirë
të kisha ngelur tek ajo pjesa ime e humbur
dhe jo tek ky pothuaj i tëri
që vazhdon ende pa u rrëzuar.

Shqipëroi: Erion Karabolli

Nga vëllimi: POETË TË SHQUAR HISPANIKË
(Antologji poetike), ILAR, Tiranë, 2016.
Përkthyen nga spanjishtja Erion dhe Bajram Karabolli