MENU
klinika

Roberto Juarroz

Poezi vertikale

10.06.2020 - 06:46

Poezia e Roberto Juarroz-it është nga ato poezi, e cila të magjeps qysh sa fillon të lexosh vargjet e para. Ajo të bën t’i rikthehesh leximit disa herë, dhe në secilin lexim, të jep një pështjellim të bukur.
Ajo është poezi e dritës dhe erresirës, e vdekjes dhe jetës. Filozofike, e thellë, po aq edhe njerëzore.
Duket sikur është shkruar e gjitha në një dite me shi, pranë nje moli të braktisur, plot humbje të përsosura dhe sëmbime të bukura.

E TRETA POEZI VERTIKALE

(1965)

2

Tjetri që mban emrin tim
ka filluar të mos më njohë.
Zgjohet aty ku mua më zë gjumi,
ma dyfishon bindjen se unë mungoj,
zë vendin tim sikur tjetri të isha unë,
më kopjon në qelqnajat që s’i duroj dot,
m’i thellon zgavrat e braktisura,
i trazon shenjat që na bashkojnë
dhe i takon pa mua versionet e tjera të natës.

Duke imituar shembullin e tij,
tani filloj unë të mos e njoh më veten.
Ndoshta për ta njohur njëri-tjetrin
nuk ekziston mënyrë tjetër.

15

Ndonjëherë ndalojmë në vend
në mes të një rruge,
të një fjale apo të një puthjeje,
me sytë e palëvizshëm
si dy gota të thella uji të vetmuar,
me jetën e ngrirë
dhe me duart e ndalura mes një gjesti
dhe atij që do ta pasonte,
sikur tani të mos ndodheshin kurrkund.
Atëherë kujtimet tona i përkasin dikujt tjetër,
të cilin e mbajmë mend vagëllimthi.

Duket sikur e japim jetën hua për një çast,
pa na i pat kërkuar askush
dhe pa sigurinë se do të na e kthejnë sërish,
por duke e ditur që e përdorin
për diçka që na përket më shumë se gjithçka.

Mos vallë dhe vdekja është një hua,
në mes të një rruge,
të një fjale
a të një puthjeje?

E GJASHTA POEZI VERTIKALE

(1975)

75

Jemi këtu
si lodrat e dikujt
që s’di të luajë.

Lodrat
duhet ta mësojnë si të luajë
atë që i ka krijuar.