Publikohet shkrimi i botuar në gazetën “Bashkimi” në Tiranë, më 29 dhjetor të vitit 1945, me nënshkrimin RES, ku trajtohet një histori e shkurtër e popullsisë çame që ka jetuar prej shekujsh në trojet e tyre në Çamëri, e cila që nga viti 1913, kur filloi aplikimi i politikave çkombtarizuese, duke futur përçarje në radhët e popullsisë dhe parisë së saj, u sulmua edhe nga disa çeta andartësh grekë, si ajo me komandant Jani Deli Gjiritis, i cili vrau pabesisht 72 veta, krerë nga Paramithia dhe fshatrat përreth, tek përroi i Selanit, ku autoritetet ushtarake greke, as ndërhynë, as u interesuan fare, edhe pse të afërmit e të vrarëve u kërkuan ndihmë. Një shembull i mirë është ai e vitit 1921, kur oficerat e Epirit për të mos shkuar në frontin e Azisë së Vogël, nxuarrën prrallën e një komploti gjoja të organizuar në Çamëri, nga Çamër për kundra Greqisë. Kjo lodër shkaktoi burgosjen e më se 500 vetave dhe torturimin e pashëmbullt në popullsinë Çame, sa edhe grave u vinin mace në tumane (çitjane), për të nxjerrë në shesh gjoja të vërtetën. Në vitet 1922-’24, mbas disfatës që patën grekët, ata vendosën për të bërë shpërnguljen e Çamërve në Turqi, si shkëmbim me grekërit e Azisë së Vogël. Por kjo dështoi në sajë të kundërshtimit të popullit, i cili në këtë mënyrë i përgënjeshtroi përpara të huajve t‘ardhur si arbitër të kësaj çështje, pretendimet greke, si të nacionalizmit Turk. Pasi u mbyll kapitulli i shkëmbimit, filloi presioni i gjithëllojtë nga ana e aparatit shtetëror grek.
Në pragun e mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, kur forcat gjermane ende nuk kishin filluar tërheqjen e tyre nga Greqia, aty nga fundi i qershorit të vitit 1944, bandat shoviniste të gjeneralit famëkeq, Napolon Zerva, nisën një spastrim etnik me bazë të gjerë ndaj popullsisë myslimane shqiptare të Çamërisë, duke i akuzuar ata si bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë. Ky spastrim etnik, i cili u shoqërua edhe me një gjenocid të paparë masakrash ndaj asaj popullsie të pambrojtur shqiptare, që prej shekujsh jetonte në trojet e veta në atë pjesë të Epirit, u përkrah dhe u ndihmua nga qeveria greke e Kryeministrit Caldaris, e cila e justifikonte atë nën “maskën” e marrëveshjes së Podzdamit të mbajtur në Poloni, ku Stalini, Ruzvelti dhe Trumani, kishin nënshkruar një pakt për deportimin (pas mbarimit të Luftës) të minoriteteve që kishin bashkëpunuar ngushtë me pushtuesit gjermanë. Si rezultat i atij represioni e gjenocidi të egër që ndërmorën bandat zerviste ndaj popullsisë çame, ku me veprimet e tyre shtazarake nuk u kursyen as gratë, pleqtë dhe fëmijët, i detyruan atë që të merrnin rrugët e botës, duke kaluar kufijtë politikë të shtetit helen të asaj kohe. Kështu, pjesa më e madhe e popullsisë çame që u detyruan me dhunë të shpërnguleshin nga trojet e tyre etnike (shifrat flasin për 45 mijë veta të ardhur në Shqipëri), në fillimin e vitit 1945, erdhën në shtetin amë, ku qeveria shqiptare e asaj kohe u mundua t‘i sistemonte, duke ngritur edhe disa kampe në qytete të ndryshme të vendit. Lidhur me pritjen dhe sistemimin që i’u bë asokohe popullsisë çame në Shqipëri, si dhe me masakrat që kishin përjetuar ata prej grekëve që nga vitet e para të shekullit të kaluar, bën fjalë një reportazh i botuar në gazetën “Bashkimi” të 29 dhjetorit të vitit 1945 (i nënshkruar me pseudonimin RES), të cilin po e ribotojmë të plotë në këtë shkrim duke mos i bërë asnjë ndryshim.
Reportazhi i gazetës “Bashkimi”: Ku shtrihet Çamëria dhe pasuritë e saj natyrore
Çamëria gjeografikisht shtrihet nga kufiri shqiptar i Jugës, duke përfshirë fshatrat shqiptare gjer në lumin e Shalësit; merr nga Jugu gjithë bregdetin gjer në Pargë; nga lindja fushën e Frarit dhe malësitë e Paramithisë. Është një vënt bregdet dhe me klimë të mirë dhe i bëgatshëm. Prodhimi kryesor është ulliri që jep vajin më të mirë. Prodhohen gjithashtu edhe portokalle, qitro, fiq, rrush etj. Fushat e saj janë mjaft pjellore, gjithashtu dhe livadhet janë mjaft të pasura në kullota. Popullata e përbërë pothuaj nga fshatarë, merret me prodhimin e vajit dhe me blegtori dhe bujqësi. Është një popull i zgjuar, kurajoz dhe shumë mikpritës. Është në injorancë dhe fanatizmë, pse është lënë në këtë gjendje nga regjimet shtypëse greke. Analfabetizmi është në kulm. Prej sundimit turk, me rënien e Janinës, më 21 Shkurt 1912, edhe Çamëria bie nën okupacionin grek. Popullata e Çamërisë përbëhej në atë kohë me afro 40.000 myslymanë shqiptarë dhe 30.000 të krishterë, që flisnin dhe flasin shqip e me zakone shqiptare të shpërndarë në Frar, Paramithi dhe bregdetin, që nga Parga gjer në kufirin Shqiptar.
Politika shtypëse ndaj Çamërisë
Qysh në fillim klika sundonjëse greke aplikuan në minoritetin Çam një politikë shtypje për çkombtarizimin ose shpërngulje. Me anë të fesë dhe të grindjeve të parisë ajo përforconte këto manovra për t‘i bërë të zakonshme dhe si natyrë të vendit. Që në vitin 1913 me okupacionin, çeta dhe më vonë ushtria me administratën shtetërore, torturuan popullatën Shqiptare. Deli Janaqi Gjiritis, komandant çete, vrau pabesisht në këtë kohë 72 veta, krerë nga Paramithia, dhe fshatrat përreth, tek prroi i Selanit. Autoritetet ushtarake greke, as ndërhynë as u interesuan fare, ndonëse afria e të vrarëve u bëri thirrje. Për kundrazi, edhe kur u muarrnë brenda nga Paramithia pak ditë më vonë, po prej atij Deli Janaqi, tre nga parësia, Fuat Pronjo, Zubhi… (nuk lexohen dot emrat e dy të tjerëve. Shënimi ynë), u vranë nga autoritetet greke. I pari dhe i dyti vdiqën dhe u çdukën, i treti shpëtoi mbas një lëngimi gjashtë muajsh, asnjë nuk u interesua. Pesë ditë mbas ngjarjes së lartpërmëndur, ushtria greke mblodhi 23 burra të zgjedhur nga parësia e katundit Grykëhor, krahinë e Gumenicës, me qëllim zhdukje. Po pasi u përhap lajmi që në Stamboll për ndodhinë e mëparëshme, Turqit si për hakmarrje, kishin arrestuar një numër grekësh, të 23 vetat nuk u vranë, por u torturuan kaq keq sa që lënguan me muaj në spitalet e Korfuzit. Një vit afro mbas pushtimit grek me shkak mbledhjen e armëvet, autoritetet greke filluan rrahjen me shumicë, pa përjashtim moshe dhe pozite mbi Shqiptarët. Këjo skenë vazhdoi pa prerë gjer në vitin 1915, duke arrirë kulmin e saj gjatë kohës s‘Autonomisë që shpallën grekët për Shqipërinë e Jugut. Këjo punë vazhdoi ku më e theksuar dhe ku më e mbyllur në forma të ndryshme dhe në vitet e tjera vazhduese. Nga kjo shtypje dhe pasiguri jete, në këto kohë shumë u detyruan që të shpërngulen për në Shqipëri dhe Turqi. Kjo shpërngulje shtohet ose pakësohet relativisht me gjendjen përgjatë 32 vjetëve.
Okupacioni grek
Okupacioni grek pa tjetër do të qe një etapë e zezë për të gjithë shtresat e minoritetit Çam; se gjithnjë dje dhe sot, klika sundonjëse greke ushqeheshe nga një “Megaliidhe” e pa masë dhe një shovinizëm i tërbuar. Ngjarjet kanë rrjedhur mbas njera tjetrës, po ato kanë qenë refleksi i kësaj politike të ndyrë. Populli minoritar ka mbajtur mbi shpinë peshën e rëndë të kësaj shtypje, me gjithë rezistencën e masës, po kjo nuk mund të qe serioze, se ajo përgatitej gjithnjë nga një rreth bejlerësh dhe oportunistësh të cilët udhëhiqnin masën atje ku u intersonte atyre dhe ashtu si e donin ata. Grindjet në mes të këtyre krerëvet, ose oferat e grekërve tek këta nuk e lanë kurrë masën që të gjejë rrugën e drejtë dhe të bashkohesh në përpjekjet serioze e sidomos në kohët e zgjedhjeve ku qenë rastet për të demaskuar dhe goditur politikën e turpshme të klikave greke në fuqi. Paralelisht me politikën ndaj Shqipërisë dhe gjendjen ndërkombëtare aktet e grekërve bëheshin të theksuara ose kamufloheshin. Më 1922-1924 mbas disfatës që patën grekët, ata vendosën për të bërë shpërnguljen e Çamërve në Turqi, si shkëmbim me grekërit e Azisë së Vogël. Por kjo dështoi në sajë të kundërshtimit të popullit, i cili në këtë mënyrë i përgënjështroi përpara të huajve t‘ardhur si arbitër të kësaj çështje, pretendimet greke si të nacionalizmit Turk. Pasi u mbyll kapitulli i shkëmbimit, filloi presioni i gjithëllojtë nga ana e aparatit shtetëror grek.
Sanksionet në planin ekonomik
Aplikuan sanksione ekonomike: Tregtarë Çamër nuk mund të bëheshin grosistë; me një reformë të shtrembër agrare dhe spekulime të tjera në treg, ua rrëmbenin ekonominë e vendit Çamërve duke ua dhënë grosistëve grekër; u merrnin taksa të rënda; ndodhte që një çam mund të paguante dy tre herë një taksë të paguar. Nuk interesoheshin për rrjetin e komunikacionit; për 20-30 km rrugë që të lidhesh Filati me skelën e Sajadhës u deshën 10-12 vjet për t‘u mbaruar. Filati deri në vitet e fundit komunikonte me Janinën me kafshë. Shteti grek aq më pak interesohesh për zhvillimin e bujqësisë; në kanalizimin e fushave, ndihmë farërash e të tjera për ngritjen e produktivitetit të vendit. Në këtë mënyrë që Çamërit të ishin të varur nga grekërit. N‘ushtri dhe kur pranoheshin, nuk gëzonin besimin si gjithë të tjerët dhe përdoreshin më tepër në mbrapavija, duke ua mohuar shpesh edhe të drejtën e gjuhës.
Ndarja e Çamërisë në dy pjesë
Në fushatat elektorale, për të mos i lënë Çamërit të votojnë bashkë, e kishin ndarë Çamërinë në dy pjesë: njërën i’a ngjitnin Prevezës dhe tjetrën Janinës, kështu që kurrë Çamërit nuk nxuarrën në parlamentin grek njeriun e tyre. Kjo mënyrë votimi i bënte ata të jenë të varur gjithnjë nga elementët grekër që u paraqitshin, të cilët bënin politikën e çastit sa për të marrë votën. Çamërve indirekt u është mohuar dhe e drejta e shkollës, aq më tepër e mësimit të gjuhës amtare. Ka qenë një kohë aty nga viti 1936 që u qe ndalur edhe të folurit Shqip në zyra dhe në Pazar. Klika sunduese greke bënin dhe një politikë përçarëse fetare duke shtruar fanatizmin dhe ngrehur vazhdimisht provokimin me karakter të tillë; që të jenë gjithnjë të përçarë në grindje dhe gjaqe. Por shpesh Çamërija bëhesh edhe lodra e interesave të ndryshme të klikave greke.
Inskenimi i “Komplotit Çam” në 1921-in
Një shembëll e mirë është ajo e vitit 1921 kur oficerat e Epirit për të mos shkuar në frontin e Azisë së Vogël, nxuarrën prrallën e një komploti gjoja të organizuar në Çamëri nga Çamër për kundra Greqisë. Kjo lodër shkaktoi burgosjen e më se 500 vetave dhe torturimin e pashëmbëllt në popullsinë Çame sa edhe grave u vinin mace në tumane (çitjane), për të nxjerrë në shesh gjoja të vërtetën. Qëllimi i kësaj lodre qe që të krijohesh përshtypja në qeverinë greke të atëhershme se gjëndja në Epir qe e turbullt dhe se nuk duhesh të lëviznin oficerat prej andej. Nga gjyqi që u zhvillua në Janinë me këtë rast dolli se gjithshka qe trilluar dhe se asgjë s‘qe e përgatitur në Çamëri. Gazeta greke e Janinës, KIRIKIS në lidhje me këtë, në Nr. 158 dt.12. VI.1921, në kryeartikullin e saj “I SAPUNOFUSKA TIS SINOMOSIAS”, shkruan një telegram nga Roma që njofton: “Veprime shtërngimi nga ana e organeve qeveritare Greke mbi myslymanët e Qarkut të Janinës”, na jep të drejtën të kuptojmë paralajmërimin, që nga ky stil, një fantazi e vepruar bashkërisht shkaktoi një zhurmë dhe paralel me këtë një keq-kuptim në botën e jashtme…”, dhe vazhdon më poshtë: “Do të ishte mundim i kotë të mohonim sjelljen e keqe kundrejt të vërtetës që njerëz tamam të klasës së lartë shoqërore, duke tërhequr dhe ata më të ultit hodhën të Premten e Madhe në burgje, që të ngjasin dy gjëra: Që të dalin nga këto përfituesa; dhe të zvarriste dinjiteti Qeveritar në botën e jashtme, nga të cilat sot kemi nevojë të madhe, janë domosdo disa rrethana nga të cilat mvaret qëllimi i heshtjes, por janë dhe disa detyrime që të shtërngojnë që t‘u tregosh vëndin disa gjërave”, dhe vazhdon duke qëlluar provokatorët e këtij trillimi mbi kurrizin e Çamërve. Sigurisht këto manovrime të Grekërve kishin mbështetjen edhe përkraheshin edhe nga një pjesë e krerëve të vendit, të cilët kanë qenë të mësuar të influencojnë në masë simbas interesave të tyre personale dhe të ngushta. Gjatë kësaj kohe, nën këtë shtypje, popullsia Çame pak ka ndjerë nga lëvizjet politike në Greqi, po ashtu edhe nga ato revolucionaret. Vetëm ndonjë punëtor ose kurbetli kish mundësi të ndjente dhe të lidhesh me këto organizata. Ardhja e Metaxajt në fuqi, si kudo, edhe në Çamëri bëri që të shuhet edhe kjo inisiativë. Influencimet e qeverive Shqiptare i përshtateshin kohës dhe marrëdhënieve të shtetit Shqiptar me atë Grek, dhe këto bëheshin përmes disa krerëve që në pjesë bënin lodrën e dyanëshme. Disa të rinj të ardhur në Shqipëri për studime që lidheshin me grupe revolucionare në Shqipëri me intervale të shkurtra që qëndronin në Çamëri, s‘mund të bëjnë një punë të organizuar dhe të lidhen me masat e popullit. Në këtë gjendje jetonte në përgjithësi minoriteti Çam dhe nga kjo situatë u përpoqën të përfitonin okupatorët Italianë dhe Gjermanë, të cilët të ndihmuar nga klika e Dinejve, u përpoqën t‘i bënin mercenarë në luftën e tyre kundra partizanëve grekë e Shqiptarë.
Përralla e Daut Hoxhës
Mbi këtë u trillua në Çamëri përralla e Daut Hoxhës, e cila u pasua në Çamëri me një propagandë të madhe çliruese. Kësaj i’u përgjigjën grekët më 1940, me riokupimin e Çamërisë në tërheqjen e ushtrive Italjane, me internimin e të gjithë meshkujve që gjetën që nga mosha 10 vjeç e deri 95, sipas vendimit të marrë një muaj më parë në Gumenicë, në një mbledhje të kryesuar nga Dhespoti i Janinës me 13 vetë të tjerë. T‘arrestuarit pasi u dorëzuan në burgje të ndryshme nga të cilët autoritetet vetë liheshin në të ndryshëm grekër civilë që i kërkonin, më se 350 veta i vranë, u dogjën ose u rropën gjallë, ose u keqpërdorën në mënyra të ndryshme gjer në vdekje. Gjithashtu u vra dhe një pjesë tjetër prej autoriteteve vetë, afro 200 vetë. Të tjerët, rrotull 450 burrash, u transportuan nëpërmjet torturash dhe zhdukjesh nëpër fusha përqëndrimi ku lënguan sa vazhdoi rezistenca greke, duke lënë dhe këta shumë vetë të vdekur nga torturat dhe vuajtje të ndryshme. Pjesa e meshkujve që asi kohe ndodhesh nën shërbimin ushtarak, u grumbulluan me urdhrin e Korp-Armatës së Janinës dhe nën kamxhikun e oficerëve dhe nënoficerëve grekër që i komandonin, u vunë të thyejnë gurë, të ndreqin udhë dhe të kryejnë çdo shërbim të rëndë. Duke paraparë kapitullimin e afërm të ushtrisë greke, autoritetet lokale të Çamërisë, në plotësimin e vendimit të marrur në mbledhjen e lartë-përmëndur të kryesuar nga Spiridhoni, kishin përgatitur listat dhe përpiqeshin të siguronin mjetet e mbartjes, të gjitha grave dhe foshnjave Çame që kishin mbetur në Çamëri, që në rast se shkelej Greqia nga fuqitë e huaja, të mos gjendej në të gjithë Çamërinë frymë Shqiptare. Këto shkaktuan të gënjehet masa në fillim të okupacionit dhe t‘i quajnë si çlirues Italianët nga disa të drejta të përcipta që u dhanë, por kjo mbeti si një simpati karshi tyre, pse shpejt u kuptua lodra e Italianëve dhe sidomos kur u shpall lufta kundra Bashkimit Sovietik.
Çamët: Duam të kthehemi në trojet tona në Greqi
Ndonëse Shqipëria e vitit 1945 ishte e sapo dalë nga lufta dhe me plot probleme ekonomike, ajo u mundua që t‘i ndihmonte bashkëkombësit e saj çamë, duke ngritur kampe dhe qendra të ndryshme për sistemimin e tyre, në mënyrë që t‘ua lehtësonte sadopak dhimbjen e madhe që ata po përjetonin larg vatrave të tyre. Lidhur me këtë bën fjalë edhe kjo pjesë e reportazhit të gazetës “Bashkimi” të 29 dhjetorit të vitit 1945, ku nën titullin “Çamët po vuajnë larg vatrave të tyre”, aty shkruhet: “Megjithë përpjekjet e mëdha të Qeverisë s‘onë për t‘ua lehtësuar vuajtjet emigrantëve Çamër, të përzënë barbarisht nga vatrat e tyre, po kalojnë ditë të mjera. Të shkatërruar nga lufta dhe të ndjekur këmba këmbës nga bandat zervisto-monarko-fashiste, familjet çame u çpërngulën nga vendi i tyre për të gjetur një strehë në qytetet e tjera të Shqipërisë më pak të dëmtuara nga lufta”. Sot numri i tyre nëpër këto vende është shtuar mjaft dhe problemi i Asistencës Sociale për t‘u gjetur strehë e për t‘i ushqyer, paraqitet i vështirë. I pari preokupim nga ana e Asistencës Sociale ka qenë t‘u gjente një strehë pak a shumë të përshtatshme. Për këtë qëllim ajo ndërtoi disa Baraka, brenda në të cilat sot kanë gjetur strehë një numër i konsiderueshëm çamësh. Bashkë me këtë vinte puna e ushqimit dhe në këtë anë Asistenca ka punuar mjaft, kështu që sot një pjesë e mensave të kryeqytetit e të qyteteve të tjera është e okupuar nga çamë invalidë, të paaftë për të punuar dhe fëmijë. Po këtu nuk kemi ndër mënd të bëjmë fjalë për aktivitetin e Asistencës Sociale në favor të emigrantëve çamër, po duam të prekim drejt për drejt problemin ekonomik të tyre, gjendjet dhe konditat në të cilën rrojnë sot çamët. Po thuaj se të gjitha familjet çame që kanë ardhur në Tiranë, kanë gjetur strehën e tyre – së paku një barakë. Dhe pothuaj të gjithë kanë gjetur një përkrahje materiale si në ushqime, veshje e mbathje nga ana e Pushtetit t‘onë. Po megjithkëtë, ata kanë shumë nevojë edhe për ndihma të tjera. Patëm rastin të vizitonim banesat e çamëve. Këto siç e theksuam më lart, janë baraka nga dërrasa, brenda nuk shikon veçse rrogozë të vjetër dhe disa rrecka me të cilat mbulohen. U mungon zjarri, u mungon drita, u mungojnë edhe gjerat më elementare. Nuk mund të dallojmë çamin nga fshatari ynë i djegur, bile mund të themi se çami ndodhet në kondita shumë më të këqija nga katundari ynë i djegur, sepse ka mbetur si zogu pa fole. Kishte ç‘kishte u shtrëngua t‘i linte. Fashistët grekë i vranë dhe i ndoqën. Ku të vinin? Medoemos këtu tek ne. Këta janë vëllezërit tanë. Por ata s‘mund të rezistojnë për një kohë të gjatë në këtë gjendje që janë sot. Ata duan të kthehen në fshatrat e tyre. U fjalosa me të bijtë e Riza Ceparit, një vajzë 15-vjeçare që më tha tekstualisht kështu: “Këtu që jam, mejtoj vëndin t‘im, mejtoj, shtëpinë t‘ime. Mejtoj bagëtinë, fushat, gjithë katandinë dhe më vjen të qaj. I humbëm të gjitha. Nënën time nuk e di ku ndodhet. Rron a ka vdekur? Më ka mbetur vetëm im atë dhe ungji im. S‘kanë me se të më ushqejnë, s‘kanë me se të ushqejnë as veten e tyre. Të gjitha këto familje që sheh rreth e rrotull vuajnë. Ne Qeveria na ndihmon. Po dhe qeveria ka shumë halle. Kë të ndihmojë më parë”. Të gjitha ëndrrat e saj, të martohej si shoqet, të gjente një shtëpi të mirë, u rrëzuan si kala prej karte. Këtë vajzë ç‘e preokupon sot? Ajo na përgjigjet vetë: “Vetëm, buka e gojës!”…Dëshira e zjarrtë e çamëve për t‘u kthyer në vatrat e tyre është e drejta më elementare, që as mund të vihet në diskutim. Por gjersa ata të qëndrojnë këtu ne jemi të mendjes që Asistenca Sociale të hapë një fushatë ndihme në favor të çamëve ashtu siç u bë me rastin e “Javës së Fëmijës”. Jemi më se të sigurt se kjo fushatë do të sigurojë një fond të mirë për çamët, fond që do të lehtësojë vuajtjet e një periudhe në mos të gjatë po relativisht të zorshme./Memorie.al
Përshtati: Konica.al