Pas vitit 1944, Lasgushi pothuajse nuk shkroi asgjë të rëndësishme, me përjashtim të “Kamadevës”, e cila për mua, është e dyshimtë të jetë shkruar pas 44-ës. Në rast se po, përse nuk e botoi, por pa dritën e botimit aq vonë? Po të ketë ndodhur kështu, është dhe më domethënëse: poeti s’ ka dashur t’i japë asaj kohe, një poeme aq të bukur ose ka pasur frikë ta botojë.
Të vetmet vargje që ka shkruar Lasgushi në atë kohë, janë një tallje dhe ironi e hapur. Kështu e doni poezinë ju? Ua jap unë: Republika Popullore/ mori Shqipërinë për dore/ dhe e çoi në fitore. Është proverbiale pyetja që i drejton Lasgushi, Kadaresë, duke pirë kafe në Turizmin e Pogradecit: në ç’sistem jetojmë, z. Ismail?
Karantina e Lasgushit ishte aq e thellë, sa atë, pothuajse për vite te tëra, nuk e kishte parë kush. Në vitin 1986, Aurel Plasari me gazetarë të “Dritës”, shkoi ta intervistonte pas kaq vitesh, tek shtëpia në Tiranë, sepse ai, gjysmën e vitit e jetonte në Tiranë, gjysmën në Pogradec. Pasi i la rreth gjysmë ore të prisnin, se çelësin e kishte e shoqja dhe kishte shkuar në pazar (e shoqja, kishte nja njëzet vjet që kishte vdekur), porta, më në fund u hap dhe filluan pyetjet.
Përgjigjet ishin të gjitha njëlloj. Kush është poeti më i madh i shqipes. Po këtë e dinë të gjithë. Po kush? Po këtë e di dhe Çuçi, qeni im. Po kush? Lasgushi, bre. Po pas tij? Rituali fillonte nga e para. E dinin të gjithë, e dinte dhe qeni i tij, se nuk kishte tjetër. Po i njëjti format edhe për përkthyesin. E dinte dhe Çuçi që Lasgushi, ishte më i miri dhe pas tij, nuk kishte tjetër.
Pak kohë para vdekjes, në Lidhjen e Shkrimtarëve u vendos të festohej përvjetori i Lasgushit, për herë të parë. Interesim i jashtëzakonshëm, deri në oborr. Në orën 10:00, ai që mungonte, ishte Lasgushi. Pas rreth dy orësh, më në fund e gjejnë. Lasgushi hyri, me kostum të zi, me barsolinë, mbështetur mbi bastun, i zbehtë sikur sapo ishte ngritur nga varri (hollësisht e përshkruaj tek libri im “Jeta që na dhanë). Gjatë gjithë kohës që flitej për të, ai shikonte vetëm tavanin.
Në fund, kur i thanë se, sipas zakonit të athershëm, duhej të falënderonte Partinë dhe organizatorët, ai goditi me bastun dyshemenë dhe tha vetëm dy-tri fjalë: dëgjoni këtu, poeti është Zot, është mbi gjithçka.
Kjo ishte hera e parë dhe e fundit, që e pamë Lasgushin. Pas vitit 1944, ai refuzoi të shkruante dhe të jetonte siç ia kërkonin të tjerët. Prandaj u mbyll ose më saktë, e detyruan të mbyllet në një karantinë që vazhdoi gati gjysmë shekulli.
Nga: Bardhyl Londo