MENU
klinika

Gola, penallti dhe ritëm

Rifillim thuajse perfekt, shifrat e Superiores

04.06.2020 - 11:34

Java e parë pas rifillimit të futbollit shqiptar ka rezultuar pa probleme, madje me nota pozitive krahasuar me ndeshjet në mars kur u ndërpre kampionati. Mbi të gjitha, në 5 ndeshjet e javës 27 të Superiores pati ritëm, luftë sportive dhe gola, me një mesatare prej 3.2 gola për ndeshje.

Nuk pati dëmtime të shumta, ashtu siç u druheshin trajnerët në deklaratat e tyre para startit. Protokolli në përgjithësi u zbatua mirë, përpos festimit të golave, ku nuk munguan përqafimet. Kartonët e verdhë, krahasuar me javët më parë, ishin më të paktë, ndërsa pozitiv ishte fakti që nuk pati asnjë karton të kuq.

Sa u takon zëvendësimeve, shumica e skuadrave bënë nga 4 të tilla nga 5 që kishin në dispozicion. U akorduan 4 penallti në 4 ndeshje të ndryshme, ku të gjitha u kthyen në gol.

Ndeshjet e javës së 27 të Kategorisë Superiore kanë sjellë pak ndryshime në renditje përtej faktit që kanë folur qartësisht në favor të tre skuadrave të cilat dominojnë aktualisht renditjen dhe gjenden në podium.

Por si rrallëherë, ishte java e skuadrave udhëtuese. Edhe Kukësi që luante si pritës, me Luftëtarin luajti në fushë asnjanëse. Fitoi Tirana në Ballsh, Vllaznia në Vlorë, Skënderbeu në Tiranë, por edhe Teuta mori një pikë në fushën e vështirë të Laçit. Gjithashtu, java 27 thuajse vulosi rënien e dy skuadrave nga kategoria, Flamurtarit dhe Luftëtarin, thjesht matematika nuk i ka zbritur ende.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kategoria Superiore, Java 27

Tirana e rinis ku e la, Kukësi vuan shumë