MENU
klinika

Projekti i qeverisë turke

Rindërtimi/Ahmetaj: Banorët do të marrin 70 milionë dollarë

04.06.2020 - 10:34

Banorët që do t’i rikonstruktojnë vetë shtëpitë e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit do të marrin rreth 70 milionë dollarë. Ministri i Rindërtimit dhe koordinator për hartimin e Planit Kombëtar të Rimëkëmbjes, Arben Ahmetaj, bëri të ditur dje miratimin e 4 vendimeve nga qeveria, për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti. Ahmetaj tha se nga bashkia e Shijakut janë miratuar listat e qytetarëve që do t’i përfitojnë pagesat për rikonstruksionin e shtëpive të dëmtuara. Afër procesit të miratimit të listave nga këshillat bashkiakë, pas shqyrtimit të dosjeve të dorëzuara, janë edhe bashkitë e Durrësit, Tiranës, Kavajës dhe Kurbinit. Ministri i Rindërtimit u kërkoi bashkive ta përshpejtojnë procesin e vlerësimit dhe të aprovojnë listat, me qëllim që të nisë shpërndarja e granteve të rikonstruksionit. Në total për të gjitha familjet që u janë dëmtuar shtëpitë nga tërmeti dhe kanë nevojë të rikostruktohen, qeveria do të shpërndajë 70 milionë dollarë sipas Ahmetajt.

Vendimet

“Nisim zyrtarisht zbatimin e programit të granteve të rikonstruksionit me Bashkinë Shijak, për dëmtime DS1, DS2, DS3, punime që mund të kryhen vetë nga qytetarët dhe të rimbursohen nga shteti. Janë 1174 familje në banesa individuale dhe 27 banesa kolektive të cilat i përfitojnë drejtpërsëdrejti pagesat e granteve për riparimin e dëmeve të shtëpive të tyre. Procesi vijon në bashkitë e tjera dhe, në ditët në vijim, do të miratohen fondet për përfituesit e rinj. Qeveria do t’i paguajë një për një të gjithë banorët në nevojë për riparime të dëmeve të tërmetit.” – tha Ahmetaj.

Ministri njoftoi edhe miratimin e 3 vendimeve të rëndësishme në mbledhjen e qeverisë, për rindërtimin e zonave të dëmtuara nga tërmeti, siç ishte shpallja e zonës për rikualifikim dhe rindërtim pas pasojave të tërmetit në Parkun Arkeologjik të Durrësit dhe marrëveshjen e bashkëpunimit me qeverinë turke, që do t’i hapë rrugë fillimit të punimeve në kantierin e Rindërtimit në Laç.

“Është miratimi në parim i marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Turqisë, për bashkëpunimin në fushën e ndërtimit të banesave pas fatkeqësisë, konkretisht në Laç. Në muajin shkurt ne nënshkruam Memorandumin e Mirëkuptimit mes dy palëve, që i hapi rrugën negocimit të marrëveshjes, e cila në ditët në vijim do të nënshkruhet edhe formalisht e zyrtarisht, së bashku me ministrin turk për Mjedisin dhe Urbanizimin, z. Murat Kurum.” – tha Ahmetaj.

Sipas tij, projekti i qeverisë turke është prezantuar publikisht.

“Dua t’ju bëj me dije se i kemi kaluar të gjitha fazat që nga projekti deri te planifikimi dhe shpronësimi, qoftë me mjete monetare, qoftë me shkëmbim për banorët që preken, në një zonë ku do të ndërtohen 500 banesa dhe patjetër do të kthehet në një model të ri të zhvillimit urban dhe ekonomik për Kurbinin dhe për vendin.” – tha Ahmëtaj.

Në total në 11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit, kanë aplikuar online 48708 qytetarë. Nga këto 25863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt. Deri tani ka përfunduar vlerësimi i thelluar për 357 apartamente kolektive, 3529 shtëpi individuale, 99 institucione publike, 108 objekte arsimore dhe 15 qendra shëndetësore./Fjala.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"T'iu tregojmë të gjithëve çfarë duan të dinë"

Buxheti i rindërtimit, zgjatje e buxhetit të shtetit