MENU
klinika

Është aq shqiptar në tingëllim dhe...

Shënime për artin e Lasgushit

03.06.2020 - 06:25

Nga Sadik BEJKO

Në adoleshencë, në rini, për më tepër, kur vjen nga leximi i letërsisë shqipe të fundviteve 1950, takimi me artin e Lagushit të lë pa frymë. Është një poet krejt tjetër:

1. Poet me frymëzim siperan, i cili çdo lëndë që prek e kthen në material fisnik, në bukuri të shkallës së lartë.
2. Aristokrat i fjalës, i artit më të ëmbël, më intim, i mallit të pashpjeguar dhe më të thellë.
3. Larg temave politiko-sociale, fjala e tij për sferat e larta të shpirtit, të dashurisë, të filozofisë e të natyrës arratiset gjer në kozmogoni, gjer te “e moskuvenduara”, te hapësirat e tejreales.
4. Është aq shqiptar në tingëllim dhe në ndërtimin sintaksor, sa do të thoshim është i papërkthyeshëm në gjuhë të tjera.
5. Konica për Gjeçovin në Gomsiqe të Mirditës tha se ishte “një lartësi e Shqipërisë”, por “një lartësi e përulur”. Për Lasgushin e periudhës komuniste, mund të thuhet një lartësi e nëpërkëmbur.
Me atë mbase për herë të parë u shfaq tek ne poeti që i mjaftonte vetvetja, poeti më personal, më vetjak i letrave shqipe. I pari i një letërsie jofunksionale.
Në çdo kohë artistët i kanë vënë vetes synime, ideale estetike. Cilat ishin detyrat që Lasgushi i shtronte para vetes së vet?
Mund të thuhet se, sipas tij, detyra e artistit ishte të punojë për luksin, për të tepërtën. Ky art, pjellë e lirë e trurit, buronte nga dëshira e vjetër për të bërë një realitet tjetër, si: të shpikësh një përrallë, me instinktin e lashtë të gdhendësh statuetën në gur a në fildish, të skalitësh arin apo argjendin e fjalës, të pikturosh imazhe, të rishpikësh të bukurën, shkurt, “të bësh art magjie” .
Po ta përtoje nga kjo detyrë, Lasgushin e asgjësoje si artist.
Për fatin e tij ai u ndodh në një vend të varfër, dhe në kohëra të fatakequra. U ndodh keq e ngushtë se edhe përpara tij letërsia shqipe, kultura jonë, u ka vënë të diturve, sidomos shkrimtarëve, detyra funksionale si angazhimet për çlirimin kombëtar dhe shoqëror. Në variantet e saj kjo mendësi që nga vitet 1930 e tëhu ka vazhduar deri më sot. Shkrimtarit i ngarkohen detyra jashtëletrare, te ai kërkohet kallauzi i popujve, udhëheqësi shpirtëror.
Në rastin e tij thamë ndihej meraku, apo instinkti i magut për të ngrirë në ngjyra fjale fluturimin e kaprollit, apo imazhin e një shenjtori në afresk.

Dashuria dhe vasha
Arti i tij, si art i së ëmblës, i së bukurës, i intimes më të thellë, në qendër ka gruan, larton kultin e vashës. Në qytetet e Shqipërisë së Mesme mjediset gulçojnë nga këngë që kanë në qëndër të bukurën, intimen, femrën. Mjedise që gati të zënë frymën. Te Lasgushi është ndryshe. Rinisë i pëlqen vagullia, idealizimi i ndjenjës së sapoprovuar nga çikja e dorës së vashës që e ke pranë. Vasha e Lasgushit, dashuria e saj, përjetuar në vargjet e tij, përkon me moshën e adoleshencës, të rinisë. Kjo ndjenjë është një zbulim i madh në jetën e njeriut, është një fshehtësi e ëmbël dhe e egër që të përfshin pa e kuptuar, një liri, një robëri, një këngë e durimit. Në atë stad të moshës së re dashuria më shumë ndihet, imagjinohet, poetizohet sesa gjen shprehje konkrete, realizohet. Por reflektimet e Lasgushit prekin dhe moshat e mëvonshme. Shqiptari tradicionalisht i ka të trashëguara në gjak prej shekujsh durimin, lirinë e rebeluar, rezinjatën dhe vuajtjen. Në atë vargun “dashuronte dashuria”, aq të përfolur në komente, vjen zbulimi i beftë rinor i kësaj ndjenje, (befasi fatale e shprehur edhe sot me thëniet “rashë në dashuri”, “kam rënë brenda”), një kurth, një mister që na ngre lakun a rrjetat.
Dashuria është një realitet më vete, një realitet tjetër, hapësirë tejlëndore, ku trimi dhe vasha jetojnë në një botë fantastike vuajtjeje dhe malli.
Dhe një bukuri-llahtari, më e tejme se tmerri kozmik, mbetet prapë përmasë e jetës.
Trimi dhe vasha, dhe kur janë veç e veç si në vallen e hontë e të përnatshme të yjeve, me vetëmohimin sublim për shoqin i sjellin dritë njëri-tjetrit, bëhen burim për dritën e universit në përjetësinë e qiejve.
Vasha e Lasgushit është një e “tjetërt” në letrat shqipe. Rina e De Radës te “Milosao” është një vajzë e lektisur dhe e zilepsur dashurie që jeton me punë e mund dhe do të realizohet në martesë. Serafina, po te ky autor, vë detyrën mbi ndjenjën, është dashnore, grua, nënë, poete, tragjike si figurë, pra, shprehje e idealit romantik të autorit.
Vasha e Serembes jeton në kujtimet e autorit dhe e ëmbël, dhe si shkaktare e fatit të keq, e tragjedisë, e mosrealizimit.
Vasha e Naimit si sorkadhe pylli, si diell i zënë nga reja, me zor zbret në tokë, ku si pluhur mund t’i puthësh këmbët. Vjen më shumë si vuajtje, si shprehje e idealit panteist të së perëndishmes së shkrirë te femra e dashuruar. Vasha e Çajupit është bijë e tokës.

Ka shumë vasha poezia e Lasgushit: vasha dhe trimi krojeve si arketipe të folklorit, vasha e valleve qe u vidhet shoqeve dhe e zë gjarpërushja, motriçkat e miturisë, ajo që vjen vetëm në ëndrra, vasha me drapër, vasha e liqerit me sytë përdhe, balukeprera e kopshtijeve, vasha e perëndishme që vjen së largu duke shkitur mbi lëndina, ajo që duron si kalliri, e që thotë “lele ngriva”, vasha vogëlushe- vetullushe, vasha e valës fashë dhe e liqerit që buçet, vasha që zemra i shndërrohet në dorë, vasha sundimtare e llahtarisë dhe e shkretëtirës së shpirtit… vasha-motër e dhembjeve. Në një botë, në mjedise shqiptarësh, ku jeta mbizotërohet nga burrërorja e ashpër, përjashtuese, të sjellësh kaq vasha lëndonjëse të zemrave nuk është, nuk duhet të jetë mëkat. Po ndonjëherë mbase është.

Gjuha dhe detaji
Ai është nga poetët më vetjakë të letërsisë shqipe edhe në gjuhë, në detaje, në gjeografi, në sintaksë, në shprehjen e intimitetit. Madje për përkthimet është thënë se ai nuk e ka përkthyer në shqip këtë apo atë poet botëror, as nuk e ka shqipëruar, por e ka lasgushëruar. Tek ai gjen fjalët: çetele, piraust, dhemkos, mërshë, mi i hirtë, nepërkë pikëlore, shpesë e fatit, kurillë, shtërg, çoçërr që dërdëllet, poleskë, junap, takije, sylynjarë… Fjalë që kanë mbetur të tijat, dhe nuk guxon t’I përmendë tjetër njeri, se… kanë tapinë e tij. Ai nuk ka frikë nga një kolorit gjuhësor i beftë, vetëm i vetvetes: “më bën ujem”, “baltishtë e shkretëtirtë”, “flet e çflet, vret e pret për të vet virgjinitet”. Fjala e Lasgushit ka lëng për t’u ngjtur te fjala tjetër. Nuk është fjala që rëndon si tullë aty ku bie, siç do të thoshim për Nolin. Ai, sa i shkoq aq dhe i ngjit, i mpiks me musht fjalët. Ndonjëherë një varg të tërë e vë në vijëza lidhëse si te i famshmi “gushë –e- llërë- e- gji- bardhoshe”. Është i paarritshëm në bashkime fjalësh të tilla si “bukuri tmerrisht e dashur, llahtari tmerrisht e trishtme” etj. Herë-herë ai s’ia përton të luajë lozonjarisht me fjalën: vetullo moj vetullushe, bukuro moj bukurushe.
Detajet te poezia e tij janë të sfumuara si të kredhura dhe të konservuara në ujin e artit, apo si arabeska të qëndisura e të ngrira në kollë, si imazhe ikonografike të gdhendura një herë e përgjithmonë në fisnikërinë, në afreskun e metalit të çmuar. Janë kështu në një transparencë opake, se për poetin ka rëndësi e tëra, tabloja. Detajet, ngjashëm me artin ikonografik bizantin, janë si lëndë e parë për t’i dhënë tonin, ngjyrën krejt tablosë. Ngjyrë e tonalitet i gjithë poezisë.

Ngjyra te Lasgushi
Lasgushi është poet i luksit edhe në ngjyrë. Si poet i ngjyrës ai kombinon tonet, zmaltin e ashpërsisë me butësinë, modelon dritëhijen; një ikonografi e grisë apo e së argjendtës së pasur vjen gjithmonë e matur, strikte; një cohë e qëndisur, e nuancuar e pamjeve të liqerit, në mëngjes, në mesditë, në muzg; pastaj ngjyra e valleve, e luleve, e krojeve. Si dhe Milosaoja i De Radës, Lasgushi është poeti më me ngjyrë i poezisë sonë. Po te Lasgushi ngjan se e gjitha vjen si në velaturë. Jo ai detaji i latinitetit, që çan e duket shkoqur, detaji i De Radës. Stofi i ngjyrave të buta a të guximshme të Lasgushit endet poshtë sipërfaqes së tejdukshme të ndjenjës. Marrim poezinë “Mbarim vjeshte”. Me ç’material e ndërton tablonë në tejdukshmërinë e grisë, e mbarimt, e eksodit të së bukurës? Një fluturim shtërgu, foleja e zbrazur, sqepi i fortë, trokitja në portë, brazda e qeve malorë, miu i hirtë, nepërka, baltishta e shkretëtirtë. Këto të gjitha në funksion të ndjenjës së mbarimit, të boshit, të shkretimit, të lamtumirës. Animizimi i shtërgut dhe i krillës në një dhendëri të hirshme, vargu që ta mban frymën pezull “Fluturoi dhe shtërgu i fundit”, të lartësojnë në një ndjenjë katarsisi që e sjellin vetëm kryeveprat e poezisë.

Ndjenja
Ndjenja kryesore e Lasgushit është dhembja. Ai i këndoi mungesës. Vrazhdësia shqiptare me Lasgushin prodhoi kristianitet. Parimi bashkues i elementeve tokësorëe, dhe i atyre kozmike, është dashuria. Por vetëm me atë harmonizimi, realizimi janë të paarritshëm. “E si kurrë nukë mund ylli yllin që ta kapë”. Ç’duhet tjetër? Dashuria si vetëmohim. Vetëmohimi i nositit, i yllit në vallen e yjeve, në vallen e jetëve, te njerëzit dhe gjer në kozmos sjell rend e vazhdimësi…
Në fillimin dhe mbarimin e stinëve, në lindjen dhe vdekjen, në përzierjen e në vallen e tyre pa fund, Lasgushi, fshehur diku te liqeri, ndjek dukuritë në sekuencat, në sfumaturat më të brishta të dhembjes.

Mjeshtër i poezisë –gjendje
Lasgushi ishte mjeshtri më i madh i poezisë lirike dhe është. Kjo poezi u shfaq së pari te Budi, u shpall me Jul Varibobën, dha shenjë te bejtexhinjtë, kulmon te kangjelet e De Radës, Naimi solli ca pak kryevepra, arbëreshi Serembe po ashtu. Pastaj Mjeda i soneteve. Kryemjeshtri i poezisë së shkurtër lirike mbetet Lasgushi. Nuk mund të ndodhte ndryshe: lënda, bota e poezisë lasgushiane është e bukura. Pas tij poeti duhet të matet mirë. Të vijë si usta i qosheve me pe dhe plumbçe në dorë. E bukur, e rrumbullakosur, e matur, e latuar dhe njëherësh plot dritë e tingëllima tingujsh kjo poezi. Vargu i parë, strofa e parë dhe e fundit mbahen mend mirë. Lasgushi arriti kulme në poezinë – gjendje, e pikturoi, e thadroi me fjalë një gjendje emocionale. Kap një moment, ndal kohën, dhe thellohet te mistika e përtej momentit. Është një çlirim, një trans, një kalim në të përjetshmen. Në këtë mënyrë ai krijoi një kohë tjetër, të shpirtit, kohë që ne e takojmë, e prekim. Kështu dhe ata që do të vijnë nesër.
“Më zu një mall o zot”, “Ti po vjen që prej së largu”, “Të ritë e viteve të mi”, “Me zjarr ju flas, me zjarr”, “Perëndim i vagëlluar mbi liqerin pa kufir” … “Fluturoi dhe shtërgu i fundit”… ky varg i parë i poezisë jep, kap momentin, mpiks kohën. Përtej ka lëndë ndjenjash dhe mendimesh. Koha është rrokur, është heshtur, është mposhtur. Mjeshtri i poezisë gdhend një gjendje brenda e përtej kohës.

E bukura-tragjikja
Bota e Lasgushit është kryesisht bota e së bukurës: i bukur vendi, e bukur ndjenja, Naimi dhe Smaili i Vlorës – të bukur dhe nositi e gjeniu i anijes, pra, edhe vdekja e bukur. Dhembja e Lasgushit tmerrisht e bukur dhe e dashur. Toka, qielli yjet janë të bukur. Veshja poetike, ajo valle diamantesh prej fjale, hartuar brenda ligjesh të rreptë, është e bukur. Tragjiciteti lasgushian është te e moskuptuara, te e parrëfyera që të shemb e shkel pamëshirë. Dhembja zbret e pakuptuar dhe e pafund.
Në katër vargjet e para të poezisë “Poradeci” Lasgushi pikturon ajrin. Pikturon ajrin ngjyrosur me muzg. I pari dhe mbase i vetmi tek ne që e ka arritur këtë. Dielli ka rënë. Poshtë liqeni i vagëlluar merr ndriçim nga qielli. Ngjyrat përreth shuhen. Një pëlhurë hije mbush mjedisin, bëhet shkrumb, firon në liqen. Duke pikturuar një tejdukshmëri në zbehje dhe zhdukje, ai krijon plasticitet, pejsazh ngjyrash të buta, kap thellësinë gjer në skaje, kap vertikalitetin që në çast thërrmohet, dhe… dhe si magjistar këtë gjithësi e zhduk, e firon në liqen.
E lashë për në fund këtë strofë për të thënë se Lasgushi na çon te një fisnikëri e lashtë, te shkëlqimi i një grushti perlash që nuk do të vdesin. Qytetëruese dhe fisnikëruese ky është çmimi i lartë i poezisë së tij, i vlerave që nëpërmjet tij ne mund t’ia pohojmë kujtdo.
…kur në adoleshencë poezia e Lasgushit të ka lënë pa frymë, dashuria për të nuk të ndahet tërë jetën.