MENU
klinika

Është përkthyesi i madh, Gjon Shllaku

Shqiptari që mori “Diskun e Argjendtë” nga Qeveria Greke

10.06.2020 - 06:23

Shqiptarë të vlerësuar nga vendet e tjera ka pafund. Për  disa syresh kemi shkruar më parë, ndërsa sot dua t’ju bëj një ftesë për të lexuar një tjetër figurë shumë të rëndësishme për artin dhe kulturën shqipe. Ky është përkthyesi i madh, Gjon Shllaku.

Shpesh kontributi i këtij personaliteti në fushën e përkthimit i është atribuar një tjetër personaliteti me po të njëjtin emër, ama me një tjetër histori, Atë Gjon Shllakut për të cilin mund të lexoni duke klikuar këtu.

Sa i përket përkthyesit Gjon Sllaku, ai lindi në vitin 1923 dhe që në moshë të hershme nisi të përkthente. Kështu, kur ishte vetëm 17 vjeç përktheu romanin “Ben Hur” të Vallasit duke e marrë si një shtysë për përkthimet e mëpasshme që do t’i bënte kryeveprave botërore.

Gjatë jetës së tij, jetë të cilën ia kushtoi plotësisht përkthimit, do t’i bënte të flisnin shqip personazhet e shtatë tragjedive të Sofokliut, të katër tragjedive të Euripidit, të shtatë tragjedive të Shekspirit si dhe “Prometeun e Lidhur” të Eskilit dhe “Eneidën”  dhe “Gjeorgjikat” e Virgjilit.

Lexuesit shqiptarë, të etur për letërsi të dalë nga kornizat e asaj të “Realizmit Socialist” do t’i jepte edhe “De reum Natura” të Lukrecit, “Metamorfozat” të Ovidit, “Martirët” e Shatobrianit, “Sidin” e Kornejt e në vitet e tij të fundit edhe eposin frances “Kënga e Rolandit”.

Gjithashtu do të përpilonte edhe dy fjalorë me rëndësi të madhe për të gjithë studiuesit dhe filologët shqiptarë, atë Greqishte e Vjetër – Shqip me 20 mijë fjalë dhe atë të Gjuhës së Vjetër Latine – Shqip me 65 mijë fjalë.

Por kontributi më i rëndësishëm i tij është përkthimi i një prej poetëve më të mëdhenj botërorë, poetit më të madh helen dhe një ndër poetët më influencues në letërsinë botërore, Homerit.

Me përkthimet e tij, ai i dha poetëve e shkrimtarëve të mëdhenj, kryesisht helenë e latinë, hijeshinë e gjuhës shqipe dhe i dha Shqipërisë hijeshinë e vargjeve helene e latine.

Për këto përkthime, ai do të vlerësohej nga Qeveria Greke me çmimin “Disku i Argjendtë” ndërsa në Shqipëri me urdhrin “Naim Frashëri i Artë”.

Helenisti i shquar dhe i fundit i shkollës së përkthyesve të klasikëve do të mbyllte sytë përfundimisht në vitin 2003 në Shkodër duke i lënë gjuhës shqipe një dhuratë të çmuar.