MENU
klinika

Rasti i parë i riinfektimit në vend!

Si e mori sërish covid-19 mjeku në Durrës? E bija punon pranë…

07.06.2020 - 14:13

Mjeku infeksionist i spitalit të Durrësit shënon rastin e parë të riinfektimit në vendin tonë, duke vënë në dyshim krijimin e imunitetit te personat e shëruar nga Covid-19. Ky rast u raportua një ditë më parë nga Ministria e Shëndetësisë.

Mjeku B. Gelaj u infektua fillimisht në fillim të marsit nga pacientja 73-vjeçare nga Shënavlashi e cila humbi jetën duke regjistruar dhe viktimën e parë nga Covid-19 në Shqipëri, rreth një javë pas kthimit të saj nga Italia.

Më 25 mars, ministrja Ogerta Manastirliu dha lajmin se mjeku i Durrësit u shërua pas rezultateve të dy testeve të njëpasnjëshme për Covid-19 që dolën negative. Pas vetëkarantinimit, Gelaj u kthye në punë, po këtë fundjavë ai është përballur rishtas me virusin, pasi është infektuar nga kontaktet familjare.

E bija, e cila është mjeke në pavionin e sëmundjeve të brendshme në QSUT, është infektuar atje duke ia transmetuar dhe prindërve në Durrës. Vajza e Gelajt ishte pjesë e grupit të mjekëve vullnetarë që shërbyen në Itali kundër Covid-19. Ajo nuk u prek gjatë shërbimit në Itali, por ditët e fundit në vatrën e re që u zbulua në QSUT.

Pas kontaktit me të bijën dhe konstatimit pozitiv mjeku infeksionist nuk është paraqitur në detyrë, pranë spitalit të Durrësit. As bashkëshortja e tij nuk ka shkuar në punë, duke shmangur kështu krijimin e vatrave të reja në qytetin e Durrësit. Aktualisht mjeku i riinfektuar ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin infektiv, shkruan Top Channel.

Ky është rasti i parë në vendin tonë kur një i shëruar infektohet për herë të dytë nga koronavirusi, duke vënë në dyshim tezën se personat e shëruar nga Covid-19 zhvillojnë antitrupa dhe imunitet ndaj këtij virusi.