MENU
klinika

Balancat/ Kundërvajtjet administrative

Gjobë deri në 1 milionë lekë nëse nuk deklaron të ardhurat

05.06.2020 - 12:21

Klientët e bankave duhet të plotësojnë formularët e vetëdeklarimit. Ashpërsohen masat në luftën kundër evazionit fiskal. Bizneset dhe individët – shkelje afatit, gjobë nga 10 mijë deri në 1 milion lekë

Mbajtësit e një llogarie bankare duhet të plotësojnë formularin e vetëdeklarimit brenda muajit, në të kundërt do të përballem me gjoba të cilat variojnë nga 10 mijë deri në 1 milion lekë.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në zbatim të ligjit nr. 4/2020 “Për Shkëmbimin Automatik të Informacionit të Llogarive Financiare”, sjell në vëmendje të të gjithë individëve dhe tatimpaguesve të cilët zotërojnë një llogari financiare, të bashkëpunojnë me institucionet financiare përkatëse për plotësimin e formularit të vetëdeklarimit, të kërkuar nga këto institucione, sipas afateve të përcaktuara nga secila prej këtyre institucioneve. Mosdhënia e informacionit nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme apo person tjetër përgjegjës, konsiderohet kundërvajtje administrative dhe penalizohet sipas ligjit nr. 4/2020, i cili parashikon gjoba nga 10 mijë deri në 1 milion lekë.

Ligji në fuqi përcakton se informacioni mblidhet për të luftuar problemin e evazionit fiskal offshore dhe shmangien e grumbullimit të parave jashtë vendit. Autoritetet tatimore, në bashkëpunim me vendet e G-20-s dhe OECD-së, krijuan një Standard të Përbashkët të Raportimit (CRS) mbi Shkëmbimin automatik të informacionit (AEOI). CRS për AEOI kërkon që institucionet financiare të një juridiksioni raportues, të mbledhin dhe raportojnë informacion tek autoritetet e tyre tatimore në lidhje me mbajtësit e llogarive, të cilët janë rezidentë të shteteve të tjera. Një informacion i tillë duhet të transmetohet “automatikisht” çdo vit.

Balancat

Informacioni për t’u shkëmbyer përfshin balancat e llogarive financiare në fund të vitit që raportohet, fitimet kapitale (përfshirë interesat, dividendët, të drejtat dhe të ardhurat nga shitja e aseteve financiare), të raportuara te qeveritë nga institucionet financiare, duke mbuluar llogaritë e mbajtura nga individët dhe entitetet, përfshirë trustet dhe fondacionet. Sipas standardit, një gamë e gjerë e informacionit do të shkëmbehet mbi llogaritë offshore, duke përfshirë balancat e llogarive dhe të pronësisë. Kjo do të bëjë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal, brenda logjikës se veprimtaria e evazorëve jo vetëm zvogëlon të ardhurat publike, por dhe dobëson besimin në drejtësinë e sistemit tatimor, si dhe rrit barrën mbi tatimpaguesit e ndershëm. Informacioni që do të shkëmbehet nuk ka të bëjë vetëm me individët, por edhe me kompanitë dhe NFE-të (entitete jofinanciare) pasive të cilat kanë pronar përfitues rezident në shtetet e tjera. Më tej, raportimi duhet të bëhet për një gamë të gjerë të produkteve financiare, nga një gamë e gjerë institucionesh financiare, përfshirë bankat, institucionet depozituese, sipërmarrje të investimeve kolektive dhe kompanitë e sigurimeve.

Informacioni

Institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë mund të ndajnë me ofruesit e shërbimeve, palë e tretë, ose me institucione të tjera financiare, që janë pjesë e të njëjtit grup, dokumentacionin dhe informacionet e mbledhura në lidhje me mbajtësit e llogarive të raportueshme, me qëllim përmbushjen e mbledhjes së të dhënave, të raportimit dhe rregullave për vigjilencën e duhur, të parashikuara nga ligji. Ofruesit e shërbimit, palë e tretë, që mbajnë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm për të bërë të mundur mbledhjen e të dhënave, procedurën e vigjilencës së duhur dhe detyrimet e raportimit, mundet që, për qëllime të pajtueshmërisë së institucioneve të tilla financiare me detyrimet e lartpërmendura, të ndajnë informacionin dhe dokumentacionin përkatës që disponojnë me institucionet financiare raportuese në Republikën e Shqipërisë. Institucioni financiar raportues është përgjegjës për raportimin dhe zbatimin e rregullave të vigjilencës së duhur, në përputhje me këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij.

Kundërvajtjet administrative

Veprimet ose mosveprimet e kryera nga institucionet financiare raportuese apo persona të tjerë përgjegjës, të cilat janë në kundërshtim me parashikimet e këtij ligji, konsiderohen kundërvajtje administrative dhe dënohen me gjobë si më poshtë:

a) mosdorëzimi në afat i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, i përcaktuar sipas këtij ligji, 10000 (dhjetë mijë) lekë;

b) dorëzimi i pasaktë i informacionit të detyrueshëm për t’u raportuar, jo në përputhje me nevojën dhe formën e përcaktuar në këtë ligj dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, 50000 (pesëdhjetë mijë) lekë;

c) mosdhënia e informacionit të kërkuar nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, përveç nëse ky informacion ka të bëjë me një person të tretë dhe provohet se mosveprimi nuk ishte i qëllimshëm, dënohet me 1000000 (një milion) lekë gjobë;

ç) kryerja e deklarimit të rremë nga çdo mbajtës i llogarive të raportueshme ose person tjetër përgjegjës, në kundërshtim me kërkesat e këtij ligji dhe akteve nënligjore në zbatim të tij, dënohet me 1500000 (një milion e pesëqind mijë) lekë gjobë;

d) pengimi nga personat përgjegjës, në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, me qëllim mosushtrimin e të drejtave dhe detyrave të autoritetit kompetent, të përcaktuara në këtë ligj dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, dënohet me 1000000 (një milion) lekë gjobë;

dh) zbatimi në mënyrë të gabuar i rregullave të vendosura mbi vigjilencën e duhur, si pasojë e neglizhencës nga personi që ka për detyrë t’i zbatojë ato, dënohet me 100000 (njëqind mijë) lekë gjobë;

e) kryerja me dashje e veprimeve në kundërshtim me rregullat e vendosura mbi vigjilencën e duhur, nga subjektet përgjegjëse, dënohet me 250000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) lekë gjobë.

Për raste të tjera kundërvajtjesh administrative, të paparashikuara në këtë ligj, zbatohen dispozitat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë./Fjala.al