MENU
klinika

Zbardhet procesverbali

Tokë me 7501/ Si do të merren tapitë për 1 milion parcela?

03.06.2020 - 08:32

Janë rreth 1 milion parcela toke bujqësore të ndara që në vitin 1991, me ligjin 7501, që presin të marrin tapinë. Numri i parcelave u korrespondon rreth 220 mijë familjeve në të gjithë vendin. Personat që kanë jetuar në fshat dhe kanë përfituar tokë bujqësore prej 30 vjetësh, presin të marrin dokumentin e pronësisë, të cilin duket se do ta “fitojnë” me hyrjen në fuqi të ligjit për trajtimin e pronave. Ligji është diskutuar dhe miratuar në Komisionin e Ligjeve, ku kreu i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Artan Lame, ka shpjeguar me detaje se si do të përmbyllet ky proces.

Gazeta “Fjala” ka siguruar procesverbalin e mbledhjes së Komisionit që mban datën 03.03.2020, ku Lame bën të ditur se një nga çështjet e mëdha që trajton ligji është ajo e tokës në fshat dhe regjistrimi i Aktit të Marrjes së Tokës në Përdorim. “Më tepër se gjysma e familjeve fshatare, që e kanë marrë tokën në fshat, nuk e kanë regjistruar dot dhe, kur them gjysma, janë rreth 220 mijë familje që nuk kanë certifikatë pronësie, do të thotë se edhe kur kanë AMTP-në, pra atë letrën e palosur më dysh me jeshile, që thotë “Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim”, është e pamjaftueshme për ta paraqitur tek AZHBR-ja, apo te banka për të marrë kredi, sepse është i pavlefshëm, nëse nuk kthehet në certifikatë pronësie (në tapinë e dikurshme). Janë 220 mijë familje, por të mos harrojmë se bëhet fjalë për rreth 1 milion parcela toke, se çdo familje ka 3, 4 apo 5 parcela, që kur e kanë marrë tokën me AMTP, e kanë të ndarë në rripa dhe përfitojnë nga ky proces.”- deklaron Lame.

Sipas Lames, procesi i pajisjes me AMTP dhe megaprocesi që e ndjek prapa, ai i regjistrimit të AMTP-ve dhe lëshimit të certifikatës trajtohen nga ky ligj. “Pas 28 vjetësh ka akoma rreth 20 mijë familje shqiptare, të cilat nuk janë pajisur me AMTP. Mjafton kjo, për t’ju thënë se sa i zvarritur ka qenë ky proces. Janë pajisur me AMTP rreth 432 mijë familje, por janë ofro 20 mijë, që ende duhet ta marrin AMTP-në, pra tokën në fshat. Shtojmë këtu edhe problemin super të madh, që ndonjëherë tentohet t’i lidhet Veriut, por më shumë sesa Veriut, në përgjithësi do t’ua lidhja zonave malore, sepse edhe zonat malore në Jug e kanë këtë proces, atë të mospajisjes, të mosndarjes, moszbatimit të ligjit 7501 për tokën, dhe të ndarjes fshatçe, procedurë e cila, me legjislacionin aktual nuk u jepte asnjë shans që ta merrnin tokën ligjërisht. Sepse ligji 7501, i ndryshuar me dhjetëra herë, kishte një procedurë të caktuar. Ishte ndërtuar me një logjikë të caktuar, që më 1991, kur ndoshta mendohej se shteti do të funksiononte dhe do të ishte shumë i fortë.”- thotë Lame. Kreu i Kadastrës bën të ditur para deputetëve se ligji i ri i trajton problematikat dhe i zgjidh si dhe i jep përparësi çështjes tjetër të pazgjidhur prej 3 dekadash, regjistrimit të tokës në fshat.

Zgjidhja e ngërçit

“Ligji nr. 7501 është bërë mbi logjikën që shteti do të funksiononte dhe do të impononte vullnetin e tij. Për fat të keq, pas viteve ’92 – ’93 shteti e humbi fuqinë dhe vullnetin për të bërë presion në ndarjen dhe regjistrimin e tokës, dhe kjo bëri që kohë pas kohe procesi të degradonte dhe shteti të krijonte rregulla të tjera, të cilat, duke mos u zbatuar, thjesht e pengonin dhe e komplikonin procesin.’ – thotë Lame. Sipas tij, sot ky numër parcelash, me legjislacionin aktual, është praktikisht i paregjistrueshëm, se është aq i komplikuar dhe aq i hapur në kohë që nga 1991-shi, por, nga ana tjetër, është edhe për t’u respektuar, sepse shteti është munduar vazhdimisht të rregullojë, por nuk ia ka dalë, sepse ka krijuar rregulla që nuk mund të zbatoheshin në territor.

“Megjithatë, kjo zgjatje 25-vjeçare ka pasur një të mirë të madhe: njerëzit kanë rënë dakord me njëri-tjetrin, kanë gjetur përgjithësisht paqen në fshat, natyrisht konflikte ka sa të duash, por komshiu me komshiun janë shtyrë deri diku me njëri-tjetrin dhe tani secili punon tokën e vet, kanë gjetur një paqe, apo një kanal ku ndahen, kurse shteti nuk është në gjendje që këtë tokë t’ua pajisë me dokument pronësie, pikërisht sepse legjislacioni është aq i komplikuar, saqë nuk e ndjek dot këtë situatë. Logjika e thjeshtë na thotë që t’i pakësojmë rregullat që këto 3 dekada i kanë bërë të panevojshme për t’u marrë me to. Nuk ka sens të pyesim për familjet bujqësore të ’91-shit, sa vjeç ishte djali kur ka marrë tokën familja, çfarë boniteti kishte parcela e parë, apo e dytë, pra një mori rregullash që bien, duke lënë vetëm 3 rregulla kyçe: e para, të drejtën për të marrë tokë dhe për t’u pajisur me AMTP, pra të marrësh certifikatën e pronësisë, duhet të jesh familje fermere që e ke pasur të drejtën në vitin 1991 për t’u pajisur me tokë.

E dyta, të kesh marrë tokë vetëm në një kooperativë për të shmangur abuzimin që ke qenë te kooperativa e Krutjes dhe ke marrë tokë edhe në një kooperativë në Vlorë (te kesh marrë tokë vetëm në një kooperativë dhe të jesh trajtuar me tokë), e treta, të mos përdoret si tokë bujqësore fasha bregdetare dhe zonat që nuk kanë qenë asnjëherë tokë bujqësore. Logjika është shumë e thjeshtë: çfarë është toka bujqësore në fshat? Është toka që kishin këta fshatarë (në vitet ’60 e bënë kooperativë), pra ishte tokë bujqësore, dhe në vitin 1991 thanë “Stop, se kooperativat nuk funksionojnë!” dhe, për rrjedhojë, ra ai sistem, kështu që duhej ndarë toka që kishin. Nuk ka se si rëra e plazhit, që e ka pasur njëri prej tyre kur u bë kooperativa, të ketë qenë tokë bujqësore dhe tani të ndahet. Këto janë 3 rregullat kyçe që mbeten në fuqi nga rreth 23 procedura administrative që parashikonte legjislacioni i vjetër, në 8 institucione të ndryshme. Të gjitha këto bien dhe përmblidhen në 3 rregulla kyçe, si dhe në një institucion kyç, që është Kadastra, e cila merret me procedurën.” – thotë Lame.

Tapitë

Deputeti i socialist i Komisionit të Ligjeve, Bashkim Fino, ka bërë një pasqyrë të të gjithë situatës me Aktet e Marrjes së Tokës në Përdorim. “Ligji është bërë mbi bazën e të gjitha të dhënave që ka sot Shqipëria, të marra nga të gjitha institucionet që kanë të bëjnë me legalizimin dhe me pronat. Plotësimi i AMTP-ve për subjekte që nuk kanë përfituar tokë bujqësore dhe ndërmarrjeve bujqësore ose ish-kooperativave nga Ministria e Bujqësisë është deklaruar dhe parashikuar sipas rreth 25 mijë kërkesave për AMTP-të e reja. Këto mbeten për t’u plotësuar nga bashkitë, në zbatim të VKM-së nr. 253/2013, e ndryshuar për ish-kooperativat bujqësore, nga të cilat kemi rreth 3 mijë kërkesa.

Në ligjin 171/2014 për ish-NB-të kemi 22 mijë kërkesa, afati i përfundimit të këtyre akteve pas ndërhyrjeve që janë bërë për zgjidhjet kalimtare, është shtyrë disa herë deri më 31.12.2019. Për sa i përket procesit të filluar në vitin 1991, në bazë të ligjit nr. 7501, gjatë periudhës 2013-2019 janë plotësuar nga bashkitë 7280 AMTP, janë regjistruar 250 mijë AMTP, dhe numri i përgjithshëm është 450 mijë të lëshuara. Për periudhën janar-dhjetor 2019 rezulton se janë përcjellë nga bashkitë dhe janë regjistruar vetëm 1 mijë e 1 qind AMTP. Vihet re se ritmi i pajisjes me këto dokumente ka qenë shumë i ulët dhe për të arritur në përfundim ky proces kërkon që të shtyhet deri në dhjetor të vitit 2019.

Gjatë periudhës 2013-2019 janë plotësuar nga bashkitë 7280 AMTP. Këto shifra tregojnë se ritmi i pajisjes me tokë nga bashkitë është rreth 1 mijë AMTP në vit.” – thotë Fino. Sipas Finos, shifrat janë të përafërta dhe efektiviteti real i ligjeve ka qenë shumë i ulët. Në 10 vjet janë trajtuar 10-15% e problematikës. “Kriteret që janë parashikuar në ligj parashikojnë përmirësimin e pozitës juridike për një numër të madh subjektesh, sepse, sipas legjislacionit aktual, ligjit nr. 99 48/2008, për shqyrtimin e vlefshmërisë ligjore, janë kalimi i pronësisë së oborreve. Rreth 2500 kërkesa mendohet se mund të jenë në total. Për 1429 nga këto janë marrë vendime, mbeten për t’u shqyrtuar ende 1071 dosje të tjera.

Procesi i transferimit të pronës në njësitë vendore, pra për drejtoritë që kanë qenë pranë bashkive dhe ligjit nr. 111 të vitit 2018, i kaluan ATSH-së. Në vitin 2001 ishin rreth 163100 persona për t’u transferuar. Transferimi është kryer vetëm për 170 njësi vendore. Vetëm për njësi shumë të vogla është kryer regjistrimi në ish-zyrat e PP-së. Pra, për 373 njësi vendore nuk është kryer transferimi. Procesi i regjistrimit të pronës shtetërore që kryhet nga DASHPP-ja me ligjin nr. 111/2018, i ka kaluar prapë ASHK-së. Madhësia e procesit – në vitin 2001 janë rreth 233 mijë prona shtetërore, shifër kjo me rezervë, pasi nuk është llogaritur ndonjëherë, është regjistruar vetëm një sasi e papërfillshme e pronës.” – deklaroi Bashkim Fino gjatë mbledhjes.

Rastet kur “rivlerësohet” akti i marrjes së tokës bujqësore

Personat që kanë marrë tokë me ligjin 7501, në vitin 1991, mund ta humbin atë në rast se në kadastër sipërfaqja është në zërin kadastral “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”. Ndërsa në të gjitha rastet e tjera, pra, kur toka është regjistuar si tokë bujqësore, Akti i Marrjes së Tokës në Përdorim, AMTP, do të regjistrohet në kadastër dhe pronari do të marrë tapinë. Kriteret e reja janë përcaktuar në ligjin nr. 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë, i cili ka hyrë në fuqi pak ditë më parë.

Në nenin 7 të këtij ligji që parashikon regjistrimin e aktit të marrjes së tokës në pronësi, thuhet se “akti i marrjes së tokës në pronësi, i përfituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paregjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ASHK-ja. Sipas ligjit të ri, nëse akti i marrjes së tokës në pronësi nuk mund të regjistrohet sipas këtij ligji, atëherë ASHK-ja, në përputhje me Kodin e Procedurave Administrative, njofton përfituesin e AMTP-së mbi konstatimet, duke i dhënë atij mundësinë, të paraqesë shpjegimet dhe provat që disponon, brenda 45 ditëve.

Në përfundim të këtij afati, shqyrtohen parashtrimet dhe provat, në bazë të të cilave, brenda 30 ditëve, merret vendim për regjistrimin ose hartohet raporti përkatës dhe miratohet vendimi për mosplotësimin e kushteve për regjistrimin e AMTP-së. Në ligj thuhet se ky vendim nuk sjell efekte për vlefshmërinë ose jo të AMTP-së që nuk mund të regjistrohet dhe ndaj tij subjekti i interesuar ka të drejtën e ankimit gjyqësor ose të ngritjes së padisë civile për vërtetimin e pretendimeve përkatëse, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi. Ndërkohë që vendimi i mosregjistrimit duhet të jetë i arsyetuar dhe pasqyrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, së bashku me shënimin për pretendimin mbi të drejtën e pronësisë së subjektit që ka përfituar AMTP-në.

Regjistrimi i aktit të marrjes së tokës në pronësi

Akti i marrjes së tokës në pronësi, i përfituar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, i paregjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nuk i nënshtrohet verifikimit të vlefshmërisë nga ASHK-ja. Ai regjistrohet në regjistrin e pasurive të paluajtshme, nëse plotësohen njëkohësisht kriteret e mëposhtme:

1) përfituesi i AMTP-së ka qenë i legjitimuar për të përfituar tokë, sipas akteve ligjore e nënligjore për ndarjen e tokës bujqësore ose, edhe nëse nuk ka qenë i legjitimuar, ka përfituar tokën, për të cilën i është hequr pronësia atij apo trashëgimlënësit gjatë krijimit të ish-kooperativës apo ish-ndërmarrjes bujqësore;

2) përfituesi i AMTP-së ka marrë tokë në territorin e vetëm një ish-kooperative ose ish-ndërmarrjeje bujqësore;

3) toka për të cilën është lëshuar AMTP-ja nuk ka qenë “truall”, “vepër e infrastrukturës publike”, “rërë bregdetare”, “plazh” ose “sipërfaqe ujore”, në kohën e lëshimit të aktit.

Për AMTP-të që plotësojnë kriteret e pikës 1, të këtij neni, kur kanë mangësi në elementet e formës, mungesa e këtyre elementeve nuk e pengon regjistrimin, me kusht që nga dokumentacioni i procesit të ndarjes së tokës bujqësore, që ASHK-ja administron, sipas pikës 6, të nenit 68, të këtij ligji, ose që paraqet subjekti si provë, vërtetohet se subjektit i është dhënë tokë në pronësi.

Ligji u jep 6 muaj afat

Katër kushtet për të përfituar tokë bujqësore pa shpërblim

Personat që kanë në përdorim tokë bujqësore që prej vitit 1991 dhe s’kanë asnjë dokument, por në kohën që është ndarë toka me ligjin 7501 kanë qenë banorë në atë njësi, do ta marrin tapinë e tokës. Sipas ligjit të ri, toka që kalohet në pronësi, pa shpërblim, duhet të përmbushë njëkohësisht këto kushte: a) t’i përkasë njërit prej zërave të tokës bujqësore; b) të mos jetë pronë private e të tretëve; c) të mos jetë objekt i formave të kompensimit fizik, sipas legjislacionit në fuqi për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave; ç) të mos jetë zënë nga ndërtime pa leje të të tretëve apo të vetë subjektit kërkues; d) të mos jetë objekt i investimeve strategjike, sipas legjislacionit në fuqi për investimet strategjike në Republikën e Shqipërisë.

Gjithashtu, përfitojnë kalimin në pronësi, pa shpërblim, të tokës bujqësore subjektet që janë përfitues të tokës në pronësi ose përdorim, sipas akteve nënligjore që kanë rregulluar marrëdhëniet juridike të ndarjes apo dhënies në përdorim të tokës bujqësore të vitit 1991 e në vazhdim. Subjekte përfituese janë edhe punonjësit e ish-ndërmarrjes bujqësore më 01.08.1991, gjendja civile e të cilëve u është transferuar në fshatin ku gjendet toka objekt i kalimit në pronësi, pas datës 01.08.1991 dhe personat që nuk kanë qenë punonjës të ish-ndërmarrjeve bujqësore, por kanë qenë banorë të fshatit ku gjendet toka bujqësore, objekt i kalimit të pronësisë, sipas regjistrit të gjendjes civile më 01.08.1991.

Gjithashtu përfitojnë tokën edhe personat që u është hequr e drejta e pronësisë me krijimin e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore ose trashëgimtarët e tyre dhe nuk kanë përfituar tokë bujqësore në territorin e ndonjë ish-kooperative apo ish-ndërmarrjeje bujqësore tjetër. Personat duhet që brenda 6 muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, të kenë paraqitur kërkesë pranë njësive të vetëqeverisjes vendore për t`u pajisur me AMTP për tokat e ish-kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore, pavarësisht nëse janë pajisur ose jo me aktin e marrjes së tokës në përdorim./Fjala.al