“Favipiravir”, kështu quhet medikamenti i ri i sintetizuar që do të përdoret kundër koronavirusit. Ky është një zbulim i kryer nga shkencëtarët turq që kanë arritur të prodhojnë këtë ilaç për trajtimin e të sëmurëve me COVID-19. Ministri turk i Teknologjisë dhe Industrisë, Mustafa Varank e ka quajtur një ngjarje të lumtur dhe plot krenari këtë zbulim i cili tashmë ndodhet në fazën e liçensimit.
“Favipiravir” është zhvilluar në bashkëpunim mes Ministrisë së Teknologjisë dhe Industrisë, Ministrisë së Shëndetësisë, Këshilli i Hulumtimeve Shkencore dhe Teknologjike i Turqisë (TUBITAK), Universitetit Medipol në Stamboll dhe kompanisë farmaceutike “Atabay Ilaç”. Ekipi prej 32 shkencëtarësh ka zhvilluar ilaçin duke e sintetizuar atë me një lëndë të parë vendase në vetëm 40 ditë.
Ilaçi i sintetizuar “Favipiravir” është një nga projektet e lançuara në kuadër të Platformës së Turqisë COVID-19, ku janë zhvilluar punime hulumtuese dhe zhvillimore në lidhje me zhvillimin e ilaçeve dhe vaksinave. Mustafa Güzel, një nga koordinatorët e projektit, deklaroi se projekti vendas për zhvillimin e ilaçeve është realizuar në bashkëpunim të industrisë dhe akademisë. Ekipi filloi punën rreth 5-6 javë më parë, tha Güzel.
“Më besoni, nuk mendoja se mund të bëhej kaq shpejt. Por, me mobilizimin kombëtar, të gjithë u afruan. Ne e arritëm këtë me frymë ekipore”, shtoi ai. Ai theksoi se trajtimi me Favipiravir-in e sintetizuar është efektiv edhe tek pacientët që sapo kanë filluar të kenë temperaturë.
“Ka 3-4 ilaçe në botë që janë të mirënjohura në trajtim. Ky është një ilaç që ne e dimë se është efektiv”, përfundoi Güzel. Ndërkohë Rusia njoftoi të premten se ka nisur përdorimin e Favipiravir duke vënë në dispozicion 60 mijë doza dhe paralajmëroi porositjen e 2 milionë dozave të tjera.