Shpesh herë, letërsia ëshë rruga shpirtërore për të shprehur të vërtetat e brendshme. Kur vepra letrare vjen si fryt i kësaj mënyre të të shkruarit, kemi të bëjmë me një vepër të mirë e cila i reziston kohës (për shembull Franz Kafka), pasi personazheet e saj kanë një lidhje logjike dhe kronologjike, çka u jep atyre jetë. Ndërsa në një vepër me tematikë të marrë nga interesat e masës (për shembull Daniel Still apo Nikola Sparks), personazhet duken si marioneta, të lidhura me penj të dukshëm me dorën drejtuese të autorit.
Ndër shkrimtarët që veprën letrare e krijojnë duke përshkuar fazat e kategorisë së parë të shkrimtarëve të lartpërmendur (kategoritë i kam marrë nga libri “Letra një shkrimtari të ri” me autor Mario Vargas Llosa), vlen të veçohet edhe laureanti i çmimit “Nobel” në letërsi për këtë vit, Kazuo Ishiguro. Vepra e tij më e rëndësishme sipas kritikëve seriozë është “Never let me go”, shqipëruar nga Rudi Erebara dhe botuar nga “Pegi” me titullin “Mos më lër të shkoj”.
Në të trajtohen në tërësinë e kompleksitetit të një njeriu me fat të tmerrshëm të paracaktuar figurat e xhelozisë, dashurisë, jetës dhe mërzisë duke ditur se askujt nuk do t’i mjaftojë koha për t’i përjetuar të gjitha këto ndjenja të plota.
Libri tregon jetën e atyre fëmijëve të krijuar vetëm për të dhuruar oganet. Ato edukoheshin në institucione të ndryshme ama me synim të përbashkët: Rritja për të dhuruar. Mes tyre, si personazhi kryesor, është Keti H. e cila jeton aq sa të ndjejë gjithçka dhe të kuptojë se ato ndjesi nuk do t’i vlejnë asgjë.
Ajo qe rritur në Heilsham, një qytet në Angli në të cilin, sipas Ishiguros (të bazuar ndoshta në fakte historike… ku i dihet!) fëmijët shkonin për tu kthyer në “banka” organesh të cilat mund të hapeshin në çdo moment kur një nga shtetasit anglezë të kishte nevojë për një të tillë.
Heilshami tregohet si një vend tejet normal në sytë e Keti H. pasi ajo nuk kishte parë asnjë vend tjetër gjatë gjithë jetës, prandaj përshkrimi mund të shihet si tepër realist, pa asnjë grimcë subjektiviteti (e si mund të kishte një njeri i krijuar për këtë arsye anë subjektive?!).
Kështu, një vend pikërisht në Angli ka qenë vendi në të cilin njerëzit gjenin organin për të cilin kishin nevojë duke e marrë nga të tjerë njerëz të cilët më tepër donin vdekjen se jetën.