MENU
klinika

Thirrje Ramës dhe Metës të lënë lojërat me Venecian

Yuri Kim kërcënon sërish sabotatorët e reformës

26.06.2020 - 08:31

Ambasadorja amerikane në vendin tonë, Yuri Kim, ka tronditur dje sërish nga themelet politikën shqiptare. Pas reagimit të pak ditëve më parë se po bëhej një puç kundër reformës në drejtësi, dje Kim ka dalë me një tjetër paralajmërim ndaj sabotatorëve të drejtësisë së re. Përmes një editoriali të publikuar në faqen online të ambasadës, ajo u shpreh se armiqtë e reformë janë hedhur sërish në sulm. Duke bërë një paralelizëm tepër të bukur me Skënderbeun, i cili nuk u dorëzua kurrë, ambasadorja u shpreh se nuk duhet të ketë tërheqje edhe për ecurinë e reformës. “Reforma në drejtësi është në një fazë kritike. Ka bërë përparim të mjaftueshëm për të frikësuar ata që nuk e duan atë, por ende jo aq përparim sa të përmbushë kërkesat e popullit shqiptar për një sistem drejtësie që ka veçori integritetin dhe pavarësinë. Prandaj, ata që kanë frikë nga reforma në drejtësi janë në sulm. Ata që e duan reformën në drejtësi duhet të gjejnë frymëzim tek fryma e Skënderbeut, tani më shumë se kurrë. Katër vjet pas përballjes me pengesa të shumta, është e natyrshme të ndjesh lodhje dhe ndoshta shkurajim. Por nëse shohim atë që është përftuar pavarësisht pengesave – dhe se sa shumë mund të përftohet për brezin e ardhshëm – atëherë ky është pikërisht momenti kur duhet të dyfishojmë përpjekjet dhe të shtyjmë përpara drejt synimit tonë”, u shpreh ambasadorja.

Yuri Kim mesazh Ramës e Metës

Më pas ambasadorja është ndalur te raporti i Komisionit të Venecias, ku nuk ka kursyer si Ramën, ashtu edhe Metën. Me publikimin e raportit, secila palë ka pasur interpretimet e veta. Meta ka kërkuar analizë për të reflektuar për sugjerimet e Venecias, duke ftuar në takim edhe Ruçin. Gazeta e tha dje se presidenti po kërkon që politika të marrë në dorë emërimet në Kushtetuese. Nga ana tjetër PS ka hedhur idenë që duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutë për betimet. Por dje ambasadorja Kim u ka dhënë ultimatum të prerë të dyja palëve të tërhiqen nga çdo lëvizje që pengon reformën, pasi sipas saj, interpretimet ligjore i bën vetëm Gjykata Kushtetuese dhe askush tjetër. “Është me rëndësi që as Presidenca dhe as Parlamenti nuk janë një gjykatë me autoritetin për të vendosur se si duhet ecur përpara kur në legjislacion ka një boshllëk. Komisioni i Venecias vë në dukje se: “Varet nga Gjykata Kushtetuese që të vendosë për interpretimin e dispozitave të Kushtetutës në një situatë që nuk parashikohet në procesin e hartimit”. Kjo këshillë thekson urgjencën e ngritjes së një Gjykate Kushtetuese funksionale sa më shpejt që të jetë e mundur. Në vend që të ngecin në qëndrimet e tyre, tani është përgjegjësi e udhëheqësve të Shqipërisë që të ndjekin këshillën e qartë të Komisionit të Venecias: Kultura dhe pjekuria demokratike kërkojnë përmbajtje institucionale, mirëbesim dhe respekt të ndërsjellë midis institucioneve të shtetit”, thuhet në fjalën e Kim.

“Ndalni festat dhe akuzat”

Një tjetër goditje e ambasadores si për PS ashtu dhe për presidentin ka ardhur mbi interpretimet e raportit të Venecias. Meta shpalli fitoren, ndërsa PS tha se mori dritën jeshile për ndryshime kushtetuese. Por ambasadorja shprehet: “Opinioni i fundit i Komisionit të Venecias mbi Emërimin në Shqipëri të Gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ofron një mundësi për të gjitha palët që të bëhen bashkë për të çuar përpara reformën në drejtësi. Nuk është rasti për akuza apo valle fitoreje. Asnjë institucion nuk ishte tërësisht fajtor. Asnjë institucion nuk e kishte tërësisht drejtë apo tërësisht gabim. Komisioni i Venecias pranon se ekzistojnë interpretime të ndryshme, legjitime të dispozitave ligjore, të cilat “çuan në emërimin me pikëpyetje të dy gjyqtarëve” për të njëjtin vend në Gjykatën Kushtetuese”. Editoriali i ambasadores ishte një mesazh shumë i qartë për të gjithë. Kim tregoi se SHBA nuk do të lejojë asnjë tjetërsim të reformë sipas interesave partiake. Për t’i vënë kapak, pas publikimit të editorialit, ambasadorja thirri në rezidencë ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ku u diskutua mbi këtë çështje.

Distancohet Basha

Si për ironi, i vetmi që u distancua dje ishte kreu demokrat Lulzim Basha, duke ja u lënë topin në derë socialistëve dhe presidentit. “Çdo vonesë dhe zvarritje në emërimin e gjyqtarëve të GJK vonon daljen nga kriza politike dhe mban mbyllur dyert e BE për shqiptarët. Funksionimi i GJK shërben për plotësimin e 2 prej 15 kushteve për hapjen e negociatave dhe për rikthimin e legjitimitetit në qeverisjen vendore”, tha ai.