MENU
klinika

Ndeshja spektakolare, 5-4

5 gola dhe 2 asiste shqiptarësh, Balaj përmbys Lausannen

03.07.2020 - 21:36

Një nga përmbysjet spektakolare ka ndodhur në kategorinë e dytë në Zvicër. Lausanne, që kryeson në këtë ligë dhe është një hap larg ngjitjes në Superligë, nga 1-3 që po fitonte në transfertë, është përmbysur në fund në 5-4 nga Aarau.

Kjo përmbysje erdhi nga mesfushori kosovar Liridon Balaj, i cili ishte njeriu i ndeshjes. Ai shënoi golin e parë në pjesën e parë, ndërsa në të dytën shënoi edhe dy të tjerë, plus dha edhe asistin e golit të pestë, për t’u zëvendësuar në fundin e ndeshjes.

Në pjesën e dytë në fushë hyri në lojë për Aaraun edhe ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Shkëlzen Gashi, ndërkohë që për këtë ekip luan edhe shqiptari tjetër Donat Rrudhani, i aktivizuar për 90 minuta.

Aarau me këtë fitore i shpëton rënies, ndërsa Lausanne mbetet në krye, edhe pse ende nuk ka fituar një ndeshje pas rifillimit të sezonit. Për Lausanne një tjetër shqiptar ishte protagonist. Andi Zeqiri shënoi dy gola dhe dha asistin e golit të dytë. Shqiptarët po bëjnë ligjin në Zvicër.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN