MENU
klinika

Ligji hyn në fuqi

Anulohen këstet e tatim-fitimit

02.07.2020 - 14:37

Tatimpaguesit e tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, me qarkullim 5-8 milionë lekë, për këtë vit nuk do ta paguajnë detyrimin tatimor. Akti normativ i qeverisë ka hyrë zyrtarisht në fuqi, ku hiqet detyrimi i pagimit të kësteve për këtë kategori, me qëllim lehtësimin e biznesit të vogël pas pasojave të lëna nga COVID-19.

Shkalla e tatimfitimit për subjektet me qarkullim vjetor 5-8 milionë lekë, është 5 për qind, e cila për vitin 2020 nuk do të paguhet, ndërsa për tatimpaguesit me qarkullim 0-5 milionë lekë , shkalla tatimore është zero. Sipas legjislacionit në fuqi ky detyrim paguhet në 4 këste për çdo tremujor, të caktuara në Prill, Korrik, Tetor dhe Dhjetor. Po ashtu, akti normativ datë 23.4.2020 “për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar, përjashton gjithashtu nga pagesa e taksës së ndikimit në infrastrukturë investimet, në kuadër të programeve të rindërtimit.

Programet e rindërtimit, objekt i këtij përjashtimi, janë disa programe që synojnë përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit të banorëve të zonave të dëmtuara nga tërmeti i 26 Nëntorit, pas shpalljes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Të tilla janë programi i zhvillimit të objekteve të reja, programi i ndërtimit të infrastrukturës publike dhe infrastrukturës kritike në zonat e dëmtuara nga tërmeti.