MENU
klinika

Formula 1

Aston Martin, destinacioni i ardhshëm i Vettel

15.07.2020 - 14:42

Dy gara, vetëm 1 pikë. Një nisje sezoni katastrofë për pilotin gjerman Sebastian Vettel, 4 herë kampion i Formula 1. Më shumë se sa për të ngarë makinën Ferrari, me të cilën nuk do të garojë sezonin e ardhshëm, Vettel e ka mendjen për të nënshkruar me një skuderi tjetër.

Dhe më të interesuar për momentin janë drejtuesit e Aston Martin, që do të rikthehen vitin e ardhshëm në botën e Formula 1, por nën emrin e skuderisë Racing Point.

Sipas Bild, negociatat janë në një fazë të avancuar dhe gjithçka do të jetë më e qartë deri më 31 korrik, sepse në kontratën e Sergio Perez, e cila do të bënte vend për të, ekziston një klauzolë që do të ushtrohet deri në fund të muajit. I konfirmuar Lance Stroll, i cili është gjithashtu djali i pronarit të ekipit.

Është e vështirë për të parë Vettel te Mercedes apo rikthim te Red Bull dhe për këtë arsye Aston Martin është pista më konkrete për të vijuar në Formula 1. Gjatë rrugës për në Hungari, ku do të zhvillohet në fundjavë gara e tretë e këtij sezoni, 33-vjeçari gjerman ka dribluar pyetjet.

Sipas Vettel, e ardhmja vazhdon të mbetet e hapur. Asgjë nuk është vendosur akoma. I vetmi qëllim, sipas tij, është të nxjerrë Ferrarin nga kriza e rezultateve, pse jo, duke nisur që nga diela e 19 korrikut, ku priten ndryshime te kokëkuqja, sidomos në pjesët aerodinamike.