Ambasada shqiptare në Athinë ka sqaruar dje se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për shkarkimin e ambasadores Ardiana Hobdari.
E pyetur nga “BalkanWeb”, në një reagim zyrtar ambasada shqiptare në Athinë sqaron se nuk ka njoftim zyrtar nga institucioni përkatës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Europës në Shqipëri apo ndonjë institucion tjetër.
“Përshëndetje! Konfirmojmë se nuk ka asnjë njoftim zyrtar për sa i referoheni. Njëkohësisht, sqarojmë se procedura për dekretimin dhe zhdekretimin e ambasadorëve është qartësisht e përcaktuar nga Kushtetuta e RSH dhe ligji ‘Për shërbimin e jashtëm’. Me respekt, ambasada e RSH, Athinë”, shkruhet në reagim. Por nga ana e saj, Ministria e Jashtme nuk i ka përgënjeshtruar mediat për lajmin e dy ditëve më parë për shkarkimin e ambasadores Hobdari dhe një pjesë të mirë të stafit të ambasadës sonë në Athinë.
LIGJI
Ligji ‘Për shërbimin e jashtëm’, në nenin 26 dhe 27 të tij përcakton qartë procedurën e emërimit dhe lirimit të ambasadorit shqiptar në një nga përfaqësitë diplomatike. “Ambasadori emërohet dhe lirohet nga Presidenti i Republikës, jo më vonë se 30 ditë pas propozimit të Kryeministrit; ministri i Punëve të Jashtme i paraqet Kryeministrit propozimin për emërimin dhe lirimin e ambasadorit; përpara emërimit të ambasadorit nga Presidenti i Republikës, Komisioni për Politikën e Jashtme organizon seancë dëgjimore me kandidatin për t’u emëruar ambasador dhe i përcjell Presidentit të Republikës opinionin për kandidaturën e propozuar”, thuhet në nenin 26 të ligjit. Po ashtu, përcakton qartë dhe kriteret që duhet të përmbushë një ambasador.
“Kreu i misionit diplomatik përzgjidhet ndërmjet diplomatëve të karrierës me gradë të lartë, jo më pak se këshilltar; kreu i misionit diplomatik mund të përzgjidhet dhe një person, i cili plotëson kriteret e mëposhtme: a) të plotësojë kushtet për rekrutim të parashikuara në nenin 35 të këtij ligji; b) të ketë të paktën 10 vjet përvojë në fushën e politikës së jashtme, marrëdhënieve ndërkombëtare, marrëdhënieve ekonomike ndërkombëtare ose të së drejtës ndërkombëtare, ndër të cilat tre vjet në pozicione drejtuese”, thuhet në nenin 27 të ligjit “Për shërbimin e jashtëm”.
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ka shkarkuar dje ambasadoren e Shqipërisë në Athinë, Ardiana Hobdari dhe pjesën më të madhe të stafit të ambasadës sonë. Vendimi ka ardhur vetëm pak ditë pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës pushoi çështjen e ngritur ndaj ambasadores Hobdari dhe konsullit të përgjithshëm në Janinë, Gjikuria, për akuzën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, për rastin e vjedhjes së 100 pasaportave biometrike të shtetasve shqiptarë që jetojnë në Greqi.
Kanë qenë mediat greke që e kanë publikuar këtë lajm, ndërsa burime nga Ministria e Jashtme pohuan se motivacioni i këtyre shkarkimeve është performanca dhe shërbimet e dobëta ndaj komunitetit shqiptar në Greqi.
ARISTIR LUMEZI