MENU
klinika

Hyn në fuqi më 1 Shtator

Çfarë do mundësojë ligji i ri mbi bursën?

10.07.2020 - 12:39

Ligji i ri për tregjet e kapitalit ka marrë miratimin përfundimtar dhe do të hyjë në fuqi më datë 1 shtator të këtij viti. Kuvendi i Shqipërisë rrëzoi të enjten dekretin e Presidentit të Republikës që kthente për rishqyrtim ligjin në fjalë. Ligji i ri pritet të krijojë një kuadër më të qartë dhe më stimulues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në vend.

Ai do të zëvendësojë ligjin e vitit 2008 “Për titujt”, që sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Ministrisë së Financave paraqiste boshllëqe dhe kërkesa të paqarta.

Ligji i ri vendos rregulla mbi shmangien e manipulimit të tregut dhe praktikave të tjera të paligjshme të tregtimit, si dhe rregulla për krijimin e institucioneve të reja, si Depozitarit Qendror të Titujve, si dhe Agjencisë së Vlerësimit të Rrezikut të Kreditit.

Ligji i ri do të sjellë gjithashtu më shumë kompetenca për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare, në lidhje me abuzimet me tregun dhe me sanksionet për këto raste. Në të parashikohet rritja e kompetencave të AMF-së në tregjet e kapitalit, sidomos në procesin hetimor të praktikave të paligjshme të tregtimit dhe vendosjen e gjobave administrative.

Kuvendi vlerëson se ligji krijon hapësira për zhvillimin e tregjeve të kapitalit dhe krijimin e kushteve për tregje kapitali transparente, të drejta dhe të mirërregulluara. Prej dy vitesh, Shqipëria ka një bursë funksionale, të angazhuar deri tani në tregtimin dytësor të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Megjithatë, Bursa ALSE është tashmë ligjërisht dhe teknikisht gati për të mundësuar tregtimin e titujve të shoqërive tregtare.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Hidhet një hap i rëndësishëm

Bursa shqiptare drejt hapjes për sektorin privat