MENU
klinika

Konfirmohet nga OBSH

“Covid qëndron më gjatë në ajër”

08.07.2020 - 20:45

Organizata Botërore e Shëndetësisë pranon këshillën e 239 ekspertëve ndërkombëtarë se koronavirusi përhapet më gjerësisht se ç’mendohej përmes ajrit.

Zyrtarët e kësaj organizate thanë se nuk përjashtohet mundësia që virusi të qëndrojë në ajër më gjatë se ç’parashikohet në rekomandimet aktuale për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Megjithatë, përpara përmirësimit të rekomandimeve, drejtuesit e OBSH-së thonë se nevojitet grumbullim më tepër evidenca mbi konstatimet e ekspertëve dhe shpjegim më i detajuar i tyre. Ata shprehën angazhimin për të thelluar studimet për këtë çështje.

Në letrën që i dërguan OBSH-së në fillim të kësaj jave, ekspertë të virologjisë nga 32 vende të botës shpreheshin se veç teshtimave dhe kollës, COVID-19 përhapet nga të infektuarit edhe nëpërmjet frymënxjerrjes dhe të folurës.

Virusi qëndron më gjatë në ajër, ndryshe nga sa parashikojnë rekomandimet e OBSH-së, ku thuhet se pas teshtimës dhe kollës, ky virus bie brenda pak sekondash në tokë. Kjo do të thotë se ruajtja e distancës social pa maskë, në ambiente të mbyllura, të mbipopulluara dhe të pa ajrosura mirë nuk mjafton.