MENU
klinika

Miratohet lista e përfituesve në Manëz

Dëmet nga tërmeti/ Merret vendimi! Do shemben 6 pallate

14.07.2020 - 14:36

Këshilli Bashkiak i qytetit të Durrësit ka zhvilluar mbledhjen e radhës ditën e sotme, ku ka marrë vendime të rëndësishme sa i përket banorëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Dy janë vendimet që janë marrë ditën e sotme.

Së pari, për shembjen e 6 pallateve dhe të 1 banese individuale, të ndodhura përkatësisht në njësinë administrative nr.1, njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe në njësinë administrative nr.5. Vendimi tjetër është miratimi i listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësinë administrative Manëz. Mbledhja është zhvilluar online, në kuadër të masave anti-COVID.

“Këshilli bashkiak i Durrësit ka zhvilluar një mbledhje të jashtëzakonshme me mjete të komunikimit elektronik ku u miratuan dy vendime të rëndësishme: Vijimi i procedurave të prishjes së detyruar të 6 pallateve të ndodhura në njësinë administrative nr.1, njësitë administrative Sukth, Katund i Ri dhe të 1 (një) banese individuale të ndodhur në njësinë administrative nr.5, Durrës, të gjitha pronë private, në zbatim të ekspertizave të thelluara të hartuara nga Instituti i Ndërtimit Tiranë. Miratimi i listës së përfituesve nga programi i rindërtimit në njësinë administrative Manëz”, njoftojnë burime zyrtare.