MENU
klinika

Biblioteka Kombëtare online

Dixhitalizohen mbi 265 mijë faqe dorëshkrimesh e antikuarësh

01.07.2020 - 21:15

        Falë punës së Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, përgjatë gjithë muajve të izolimit si pasojë e covid-19 është arritur realizimi i një faqeje të re online dhe dixhitalizimi i mbi 265 mijë faqe librash, revistash, dorëshkrimesh, antikuarësh.

Lajmi u bë i ditur nga ministrja e Kulturës, Margariti, e cila thekson se “dikur, Borges thoshte se “Parajsën e kam menduar gjithmonë, si një bibliotekë”. Në kushtet e pandemisë, po “hapim” dyert e kësaj parajse në një tjetër formë, asaj dixhitale. Një pasuri e tërë, që tashmë është e aksesueshme nga kushdo, kudo dhe kurdo”.

“Ky revolucion dixhital finalizohet pikërisht në 100-vjetorin e Bibliotekës Kombëtare, kësaj “parajse”, për të cilën, ne premtojmë se do të punojmë edhe kundër ritmit të kohës, për t’i kthyer dinjitetin që meriton: një godinë me të gjitha standardet e kërkuara në hapësira dhe teknologji”, – tha Margariti.

Ministrja u shpreh, se “ndërkohë po ecim me ritme të shpejta, për t’ia kthyer “aneksin” e Bibliotekës Kombëtare, publikut, përmes sallave të dedikuara, ku për herë të parë do të dalin në dritë koleksione të rralla, në gjuhë të ndryshme”.

Sipas saj, puna vazhdon përtej vështirësive dhe me mirëkuptimin e lexuesit, që tashmë duhet të përballet edhe me disa mungesa.

“Falë dixhitalizimit do arrijmë të mbushim disa hendekë, që na krijon pamundësia e prekjes fizike me librin”, – shtoi ministrja.

Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, si institucion i parë shte­të­ror, publik e laik, mban për datë të themelimit të saj 10 korrikun 1920.

Koleksioni i saj historik i ka fillimet që në vitin 1917. Në momentin e përurimit si BKSH, më 10 dhjetor 1922 kishte një koleksion prej 6000 vëllimesh. Sot koleksioni i saj i kalon një milion vëllimet.

Koleksionet me karakter albanologjik u rritën pas Luftës së Dytë Botërore, kryesisht si rezultat i konfiskimit të disa librarive dhe koleksioneve private të personaliteteve të kulturës nga regjimi i atëhershëm komunist.

Ndryshimet demokratike të viteve ’90 të shekullit XX mundësuan edhe ndryshimin e politikave të Bibliotekës Kombëtare. Nga modeli i bibliotekave të Europës Lindore me kufizime të skajshme në dhënien e informacionit dhe shfrytëzimin e disa kategorive të caktuara të literaturës, tani BKSH është krejtësisht e hapur për publikun e gjerë.

BKSH është qendra arkivore e të gjitha botimeve duke mbledhur, përpunuar, restauruar, ruajtur dhe vënë në dispozicion të publikut trashëgiminë e shkruar kulturore të popullit shqiptar

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Taksë parfumeve për librat në gjuhën shqipe

1940/ Shqipëria kujdesej për kulturën kombëtare