Djathi, pa dyshim, është një nga produktet që nuk mungon asnjëherë në tryezën e çdo familjeje shqiptare. Në tregje, e konkretisht në pikat e bulmetit, gjen djathëra të llojeve të ndryshme, dhie, lope apo dele nga zona të ndryshme të vendit, sipas të cilave variojnë edhe çmimet.
Por sa cilësor është djathi që ne blejmë në bulmetore apo baxho të ndryshme të vendit?
Nuk janë të pakta rastet kur djathi që tregtohet në bulmetore të ndryshme në të gjithë vendin është i falsifikuar apo thënë ndryshe i përgatitur me niseshte dhe jo natyral.
Tregtarët, pa dashur të identifikohen, të pyetur nga AgroWeb.org, nuk dinë të identifikojnë nëse djathi që ata tregtojnë është krejtësisht natyral apo ka përbërës shtesë.
Në shumicën e rasteve, djathi që ata tregtojnë vjen nga pika të ndryshme baxhosh pa pasur të shoqëruar listën e përbërësve apo thënë ndryshe etiketën.
Ata e blejnë atë në fuçi dhe e ndajnë në pjesë për t’ua shitur konsumatorëve.
Manipulimi i djathit me niseshte – Çfarë ndodh?
Manipulimi i djathit me niseshte është një fenomen jo i rrallë.
Sipas të dhënave të AgroWeb.org, në shumë raste prodhuesit e djathit përdorin niseshte për të rritur sasitë e djathit të prodhuar me një kosto shumë të ulët dhe me një cilësi shumë të ulët gjithashtu.
Por jo vetëm kaq, problem është edhe sasia e lartë e niseshtesë në përgatitjen e djathit.
Konkretisht, prodhuesit e djathit në shumë raste përdorin sasi të larta amidoni, pra niseshte duke e përzjerë atë me qumështin në përgatitjen e djathit.
Kjo i ndihmon ata që të prodhojnë sasi të mëdha djathi në kosto më të ulëta duke ofruar në treg djathë artificial dhe jo natyral.
Është apo jo natyral? Si të dalloni cilësinë e djathit
Ka një mënyrë për të identifikuar nëse djathi është natyral apo jo, të cilën po e ndajmë më poshtë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë konsumatorëve.
Mjafton që secili prej jush, para se të blejë sasinë e duhur të djathit që preferon, të blejë më parë një sasi shumë të vogël, qoftë edhe prej 50 gramësh.
Më pas, për të provuar nëse djathi që do të blini është apo jo natyral, përdorni të hidhni mbi të dy-tre pika jod.
Nëse sipërfaqja e djathit në të cilën janë hedhur pikat e jodit errësohet shumë, atëherë do të thotë se djathi është përgatitur me sasi të larta niseshteje.
Kjo mënyrë do t’ju ndihmojë për të blerë djathë cilësor dhe të shëndetshëm.
Kjo është një nga metodat e thjeshta në kushtet e shtëpisë, por sigurisht analizat laboratorike janë ato që e dallojnë vërtet cilësinë e djathit./AgroWeb.org/