MENU
klinika

"Makineria" portugeze

Dy rekordet e afërt që mund të thyejë Ronaldo

08.07.2020 - 16:05

Pavarësisht humbjes së Juventus ndaj Milanit, Cristiano Ronaldo arriti të lërë gjurmë në këtë ndeshje, teksa shënoi golin e dytë. Pak rekorde që i rezistojnë ende në botën e futbollit portugezit, që ka fituar një Kampionat Europian, pesë Champions, pesë “Topa të Artë”, tre “The Best FIFA”, katër “Këpuca të Arta” e shumë të tjera.

Një listë e pafundme e çmimeve individuale dhe kolektive. Për më tepër, është golashënuesi më i mirë në historinë e Champions-it dhe Real Madrid. Përkundër të gjitha këtyre arritjeve, Cristiano Ronaldo është duke u përpjekur të bëhet golashënuesi më i mirë në Serie A.

Nëse e arrin këtë sukses, ai do të bëhej futbollisti i vetëm, që ka arritur të fitojë “Këpucën e Artë” (golashënuesi më i mirë) në të paktën një sezon në La Liga, Premier League dhe Serie A. Këtë rekord që pretendon portugezi nuk e ka arritur asnjë futbollist ndonjëherë.

Vetëm Ruud Van Nistelrooy dhe futbollisti i Barcelonës, Luis Suárez, e kanë arritur një rekord të ngjashëm, por jo në tri nga pesë ligat kryesore europiane (Spanja, Anglia, Italia, Gjermania dhe Franca). Më konkretisht, Van Nistelrooy ishte golashënuesi më i mirë i Spanjës në sezonin 2006-2007, në radhët e Real Madrid, përpara se ta bënte këtë edhe në Premier League (2002-2003, me Manchester United).

Më herët e kishte fituar “Këpucën e Artë” edhe në “Eredivisie” (Holandë), në sezonet 1998-1999 dhe 1999-2000, me PSV. Luis Suárez ka ndjekur të njëjtën rrugë si sulmuesi holandez: kryegolashënuesi i “Eredivisie” me Ajax (2009-2010), i Premier League me Liverpool-in (2013-2014) dhe pastaj në La Liga (2015-2016).

Cristiano Ronaldo e përfundoi si golashënuesi më i mirë i sezonit 2007-2008 në Premier League, kur ishte pjesë e Manchester United. Këtë sukses e përsëriti tri herë në La Liga, dy prej të cilave radhazi, me fanellën e Real Madrid: 2010-2011, 2013-2014 dhe 2014-2015.

Tani synon të bëhet edhe “Këpuca e Artë” e Serie A. Në sezonin e tij të parë në Itali, portugezi u rendit i katërti, pas Fabio Quagliarella, Duván Zapata dhe Piatek. Në sezonin aktual, ai është në ndjekje të kryegolashënuesit Ciro Immobile. Sulmuesi i Lazios ka 29 gola për momentin, ndërsa Ronaldo shënoi mbrëmë të 26-in.

Portugezi ka shënuar një gol në secilën nga katër ndeshjet e luajtura pas pandemisë. Fundjavën e kaluar realizoi për herë të parë në Itali nga goditja e dënimit, pas më shumë se 40 përpjekjeve. Përveç kësaj, 35-vjeçari ka thyer edhe një rekord shumë të gjatë të “Zonjës së Vjetër”, në fuqi prej gati 60 vitesh.

Ai u bë lojtari i parë i Juventusit, që nga viti 1961, që shënon 25 gola sezonalë në Serie A. Nëse Cristiano Ronaldo vazhdon me këtë ritëm, me siguri do të ketë shanse që ta arrijë synimin madhor në shtatë ndeshjet e mbetura për Juventusin. Pra, ta mbyllë si “Këpuca e Artë” e Serie A.

Matematikisht, Immobile dhe Ronaldo kanë shanse edhe për të arritur Leëandoëskin në Europë, që ka 34 gola. Sulmuesi i Lazios duhet të shënojë 5 gola, ndërsa CR7 8 të tillë. Gjithçka mund të ndodhë, janë edhe 7 ndeshje para.

Përveç kësaj, Ronaldo është afër trofeut të radhës, për herë të dytë kampion me Juventus. Pastaj portugezi mund të përqendrohet në Ligën e Kampionëve, që rifillon në gusht. Në garën madhore evropiane për klubet ai ka mundësinë të barazohet me një tjetër rekordmen si Paco Gento, futbollisti me më shumë Kupa Europiane (sot, Champions) të fituara, 6 të tilla.