MENU
klinika

Shote Galica

E stolisur me kobure dhe gjerdanin me fishekë…

03.07.2020 - 16:13

        Shënohet sot, 93-vjetori i vdekjes së Qerime Galicës, e mirënjohur me emrin Shota, në vitet 1895-1927 – luftëtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë, austro-hungarezë, bullgarë dhe jugosllavë, si dhe për bashkimin me shtetin shqiptar, “Heroinë e Popullit”.

Është një nga figurat e pavdekshme historike, emri i të cilës do të përmendej në kohën e fateve të Ballkanit. Lufta që bëri për drejtësi kundër forcave serbe për të vetmin qëllim, çlirimin e Kosovës.

Shote Galica merrte edhe vendime më vete. Kjo ndodhte kur ishte larg Azemit, në mungesë të komunikimit për shkaqe gjeografike, sidomos kur Azemi ndodhej në vise të ndryshme të Kosovës, për çështje organizimi ose edhe në Shqipëri, për çështje armatimi e komunikimi me forcat përparimtare e demokratike të kohës si me Hasan Prishtinën, Bajram Currin, e të tjerë.

Një hap të tillë, Shota e kishte marrë për likuidimin e një zyrtari të lartë të Serbisë. Së bashku me Mehmet Deliun dhe me dy-tre shokë tjerë, kishin hyrë në zyrë të eprorit serb, mu në qendër të qytetit të Mitrovicës dhe me dorën e vet e kishte vrarë. Serbi kishte bërë sa e sa masakra mbi popullatën shqiptare që po përpiqej për liri. Ajo i tha Azemit, më pas:

“E vrava Azem! E vrava në emër të nënave që i ka lënë pa djem, në emer të nuseve që i ka lënë pa burra, në emër të motrave që ka lënë pa vëllezer, në emër të lirisë së Kosovës”.

Pas vdekjes së Azemit, Shote Galica iu priu luftëtarëve të lirisë në sa e sa aksione të rrepta, ballë për ballë me armikun.

Shote Galica në fundin e dimrit të vitit 1926, të një dimri të ashpër, e lodhur dhe e dërmuar e me zemër të plagosur, shoqëruar nga Mehmet Deliu e me pak shokë të tjerë, kishin mësyrë Shqipërinë, duke e lënë Kosovën nën kthetra të pushtuesit serb, me shpresën se do të ktheheshin me pranverën e parë.

Shpërngulja në Shqipëri

U vendos në katundin Shullaz të Krujës. Me vete kishte edhe disa fëmijë të shokëve të rënë, fëmijë të mbetur jetim të cilët Shota kishte marrë përsipër t’i rriste dhe t’i edukonte me frymën atdhetare.

Duhet të mos harrojmë që Shota ishte një 32-vjeçare, në këtë kohë. Me shpresën se do të gjente mbështetjen e qeverisë së Ahmet Zogut priti, por më vonë u zhgënjye shumë shpejt nga sjelljet e tij mospërfillëse. Si duket, Shota nuk e kishte të qartë se kishin ndryshuar rrethanat, se Zogu ishte borxhli ndaj Krajlit të Serbisë, i cili e kishte strehuar, armatosur dhe kthyer nga hoteli “Bristol” i Beogradit në karrigen e mbretit të Shqipërisë!

Shote Galica e përballur me tmerrin e varfërisë, rrethuar nga harresa, mjerimi dhe inferioriteti i një regjimi mbretëror zogollian, i shkroi një letër qeverisë në fjalët:

“Unë jam Shote Galica, gruaja e Azem Galicës, prijësit të Lëvizjes Kaçake të Kosovës. Gjendem në katundin Shullaz të Krujës, kam dhe kater femijë jetimë me vete. Janë femijët e luftëtarëve të vrarë për çlirimin e Kosovës. Jam e shtrënguar t’ju vë në dijeni, se po vdes nga uria së bashku me femijët jetim”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Përkujtohet Shote Galica

Nga Drenica vijnë me plisa

Fjalët e fundit: “Kosovë, gjaku im t’u bëftë dritë!”

Marie Shllaku, shkodrania që u flijua për Kosovën