MENU
klinika

Mallkimi i vajzave të Marksit

Eleanora vdiq me fustan nuseje, Laura duke thënë: “Rroftë komunizmi!”

22.07.2020 - 16:04

     Martuar me fisniken gjermane Johanna “Jenny” von Westphalen, Karl Marks kishte shtatë fëmijë: pothuajse të gjithë vdiqën në moshë të re. Mbijetuan vetëm tri vajza. Jenny Caroline, lindur në 1844, vdiq në janar 1883; disa muaj më vonë e ndoqi i ati. Ajo ishte 38 vjeç, e martuar me Charles Longuet, kishte lindur gjashtë fëmijë – vetëm dy u rritën. Vdiq nga kanceri në vezore. Një lloj mallkimi i përndiqte vajzat e Marksit./Konica.al

Eleanor Marks, lindur më 1855, ishte vajza e vogël dhe më simpatikja e filozofit të madh. Për më tepër, ajo ishte edhe bashkëpunëtorja e tij më efektive. Historia e saj u rindërtua nga Faith Evans në “The Independent”. “Në jetëgjatësinë e shkurtër, 43-vjeçare, Eleanor ushtroi gazetarinë, përkthimin (versioni i parë në anglisht i “Zonja Bovari”), shkroi ese mbi socializmin, recensa teatrale, raporte për punën e të atit, në gazeta gjermane, ruse, britanike. Punoi pa u lodhur për të përhapur doktrinën e solidaritetit ndërkombëtar dhe u mësoi shumë socialistëve që vinin nga klasa punëtore të lexonin dhe të shkruanin. Kishte pasur një fëmijëri të lumtur, viktoriane. Piknik në “Hampstead Heath”, recitime familjare nga Shekspiri. E quanin “Tussy”, i donte macet. Marksi ishte plot jetë, periudha e varfërisë së ashpër ishte zhdukur – dhe Frederik Engels, kur ishte e nevojshme, i paguante faturat dhe verën, Elanor ishte një vajzë e llastuar. Kishte një ngjashmëri fizike të habitshme me të atin dhe një prirje në temperamentin intelektual. Sidoqoftë, iu mor gëzimi: motrat, të martuara, jetonin në Francë, kishin fëmijë për t’u kujdesur. Ajo, pre e ezaurimeve nervore, nga një formë e lehtë  anoreksie, nuk qe në gjendje të çlirohej nga tutela e të atit. “Ajo që babi dhe mjekët nuk kuptojnë është se pushimi është e vetmja gjë që nuk dua, dua jetën…”, – i shkruante ajo Jenny-t. Kur vdiq Marksi, vetëm 28-vjeçe, ajo do të merrte përsipër detyrën e organizimit të dokumenteve të babait dhe botimin e punës së tij, detyrë që ajo e përmbushi me egërsinë e zakonshme. Vdekja e të atit qe një çlirim. Eleanor ishte pasionante, donte të ndihej e dashuruar: shkëputi marrëdhëniet me një komunsit që kishte dyfishin e moshës së saj dhe iu bashkua Edward Aveling, një nga themeluesit e Lidhjes Sociale dhe të sindikatave të para angleze. Eleanor ishte padyshim e tërhequr prej tij: i kujtonte energjinë e flaktë të të atit. “E kam zili: brenda një ore ai harron thuajse gjithçka… Edward më bëri një grua, më tërheq në mënyrë të parezistueshme”, – shkruan ajo. Me Edward jetoi 15 vjet. Vite të trazuara. Përtej betejave politike, shpesh të dhunshme, Eleanor u çorodit kur zbuloi lajmin tronditës se Marks kishte një djalë, Freddy Demuth, me guvernanten e tyre, Helene. Në fillim, Fredi ishte prezantuar si djali i Engelsit, i cili ishte huazuar me insistimin e mikut të tij, për të shmangur skandalet. Së fundmi, Aveling e la për një aktore 22-vjeçare, me të cilën kishte zgjedhur të martohej. Për Eleanor ky ishte akti përfundimtar. Më 31 mars 1898, Aveling iu kundërvu: kërkonte para. Sapo u largua i shoqi, Eleanor veshi një fustan të bardhë martese, të përgatitur për rastin, u ngjit në dhomë, përpiu një sasi të konsiderueshme acidi hidrokianik, i quajtur në atë kohë “prusik”. Arriti të linte shënimin: “Fjala ime e fundit për ty është e njëjta që kam thënë në këto vite të gjata, të trishtueshme: dashuri”./Konica.al

Jenny Marx And Jenny Von Westphalen. Karl Marx Daughter And Wife. (Photo by: Marka/Universal Images Group via Getty Images)

Lindur në Belgjikë, në 1845, Laura Marks u martua në 1868 me Paul Lafargue. Themeluesi i ardhshëm i Partisë Franceze të Punëtorëve, shkrimtari i “E drejta e kotësisë”, nuk e duronte Marksin, por ishte i joshur nga vajza e tij e dytë: shtatlartë, elegante, bjonde, me sy të kaltër. Engelsi qe dëshmitar në dasmën e tyre. Ata kishin tre fëmijë: të gjithë vdiqën në moshë të re. Mallkimi – ose diçka që ka formën e një pitoni – filloi të zvarritej me tërbim. Laura Marks dhe Paul Lafargue vranë veten, pas dyzet vjet martesë, më 25 nëntor 1911. Laura ishte 66 vjeç, Paul 69. Vetëvrasja e Laurës ishte krejtësisht e ndryshme nga ajo e së motrës, Eleanor: mund të themi se ishte një vetëvrasje në kulmin e  gëzimit, e paramenduar, për të pasur fjalën e fundit mbi jetën. “Nëse nuk mund të jesh i dobishëm për Partinë, duhet të jesh në gjendje të sfidosh jetën, të përqafosh të vërtetën dhe të vrasësh veten, siç bënë Lafargue”, – do thoshte Lenini, i pranishëm në funeral. Paul kishte shënimin triumfues, që mbyllej me: “Rroftë komunizmi! Rroftë internacionalja socialiste!”. Pjesa tjetër e tekstit është tejet interesante, sepse të zgjedhësh një mënyrë jetese do të thotë të kesh një ide për vdekjen. “Trup i shëndoshë në mendje të shëndoshë, po i jap fund jetës sime para se të më rrënojë pleqëria, duke më privuar nga të gjitha kënaqësitë dhe gëzimet, duke më paralizuar energjinë, duke më bjerrë vullnetin. Vite me radhë i kam premtuar vetes se nuk do jetoja më shumë se 70-vjeç”. Kurrë vdekja nuk ka qenë kaq ideologjike. Laura kishte përkthyer punën e të atit në Francë. Atë ditë nëntori, nxehtë për një vjeshtë të vonë, Laura dhe Paul kishin lënë takim në pastiçeri. Kishin ngrënë si të babëzitur së bashku, kishin shkuar në teatër, pastaj ishin kthyer në Draveil. Ata kishin zgjedhur acidin hidrokianik, si Eleanora: ekziston një lloj përsëritje, një dishepullizim i tmerrshëm, në zgjedhjen e mënyrës së vdekjes midis familjarëve. Para se të vdisnin, përgatitën ujë dhe ushqim të bollshëm për qenin. Quhej Nino. Sapo u shembën përdhe, të vdekur, kafsha filloi të lehë, me fuqi perandorake./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN