MENU
klinika

82 filma problematikë shfaqen ende në ekran!

Filmat e ish-Kinostudios, pasuri kombëtare apo propagandë?!

31.07.2020 - 17:12

       Pas diskutimeve gjatë vitit 2017, mbi prodhimet kinematografike të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, Erblin Vukaj boton studimin “Filmat e komunizmit propagandë apo pasuri kombëtare?!”. Autori sjell intervista me kineastë, analizon të drejtat e autorit të filmave, mënyrën e transmetimit të tyre në televizione, duke shtruar edhe shembujt konkretë sesi, vende të tjera ish-komuniste kanë operuar.

“Në fakt, studimin e kemi parë si një lloj përmbledhje të asaj, që u bë në vitin 2017. Kemi ndalur te të gjitha zërat, pro edhe kundër rishikimit të mënyrës së filmave të ish-Kinostudios “Shqipëria e re”, po dhe i kemi shtuar këndvështrimin e kuadrit ligjor, që e mundëson transmetimin, debatit që ka qenë që prej viteve ‘90-të, për mënyrën sesi do të menaxhohej pasuria e ish-Kinostudios dhe në një farë mënyre, sesi mund të lejohej edhe transmetimi. Kemi sjellë në vëmendje dhe problematikën që shfaq mënyra e transmetimit, pa një kontekst për propagandën, një lloj filtri përzgjedhës të filmave apo të gjithë asaj prodhimtarie, krahas kësaj dhe një lloj rekomandimi, se cila mund të ishte zgjidhja për situatën” – shprehet për mediet, Vukaj.

Nuk mungon as lista e përpiluar nga ish-drejtori i Arkivit të ministrisë së Brendshme, Kastriot Dervishim me 82 filma që edhe pse, sipas tij, janë problematikë, vazhdojnë të shfaqen ende në ekran.

“Problematikë janë: “Ngadhënjim mbi vdekjen”, që niset nga një ngjarje e trilluar edhe krijon kontekst krejt tjetër, për mënyrën sesi ishte realisht Lufta e Dytë Botërore. Filmi “Debatik” i jep një tjetër kontekst luftës, sikur në atë kohë kishin shumë rol të rëndësishëm, fëmijët. Nëse e shohim në prizmin sesi realisht, Kinostudioja e shihte luftën, mund të vijmë tek aforizma se “Luftën e vërtetë e ka kryer Kinostudio edhe jo partizanët”. “Gëzhoja e vjetër” ka qind për qind, trajtën ideologjike të asaj periudhe, që vë në qendër të vëmendjes, rolin e ish-Sigurimit”.

Propozimet që Vukaj shtron, janë të ndryshme, referuar eksperiencave të vendeve të ndryshme ish-komuniste, kontekstualizimit të filmave me titra, ku të shënohet se prodhimi kinematografik është realizuar i ndikuar nga realiteti ideologjik i regjimit komunist

“Propozimet janë të gjithanshme, por kjo varet edhe nga vullneti apo fondet, që do të jenë në dispozicion. Vendosja e titrave mund të kishte një kosto për prodhimin, por mund ta vinte në pararojë audiencën. Tjetër propozim, mund të ishte krijimi i një liste. Në këtë studim, ne kemi listuar rreth 82 filma, që i kemi analizuar si problematikë, qoftë nga përmbajtja historike edhe denigruese në raport më këto klasa. Në studim, kemi përmbledhur dhe këndvështrime që kanë ndjekur vende të caktuara të ish-kampit sovjetik. Ndryshe nga Shqipëria, vende si: Estonia apo Letonia, që ishin në kampin sovjetik, e trajtuan kinematografinë e diktaturës, si një kinematografi që vinte nga Bashkimi Sovjetik, nga Rusia. E kishin më të thjeshtë që ta ndanin, se kjo ishte një vijë, që në një farë mënyre e kishin pushtuar vendin edhe e kishin më të thjeshtë debatin. Në Rumani u vendos të mos transmetoheshin më, këta filma. Ukrahina është e vetmja, që e ka sanksionuar në ligj mostransmetimin e tyre. Ne, këto nuk ia këshillojmë Shqipërisë, sepse nuk ka ende, një ligj për dekomunistizimin në vetvete, por nisja drejt këtij procesi, do të ishte mirë për shqiptarët”.

Erblin Vukaj përfundon se, nëse do të ekzistojë dëshira e mirë e regjisorëve për bashkëpunim në këtë proces, filmave do t’u jepej vlera e tyre reale.