MENU
klinika

Gotfrid Lajbnic

Filozofi që shpiku matematikën moderne e që u magjeps me albanologjinë…

23.07.2020 - 06:18

Gotfrid Vilhelm Laibnici (1646-1716) ishte në Gjermani filozofi i parë i madh i kohëve moderne, ashtu si Bekoni në Angli e Dekarti në Francë. Një tipar karakteristik i temperamentit të tij ishte kureshtja, për të mos thënë një kureshtje e tepruar për gjithçka që ndodhte në botë.

Lajbnici digjej nga dëshira për t’u bërë i njohur dhe tregohej shumë aktiv në shumë fusha, ndër to edhe albanologji.

Matematicien i jashtëzakonshëm ai realizoi prototipin e parë të makinës llogaritëse. Që kur ishte fare i ri e kalonte një pjesë të kohës në biblotekën e të atit, nga ku mendohet se aty ra në kontakt me shkrime me përmbajtje nga fusha albanologjike.

Që në periudhën e shkollës ai kishte marrë njohuri të jashtëzakonshme për moshën. Kur ishte 12 vjeç lexonte rrjedhshëm latinisht dhe filloi të studionte greqisht. Ai u pranua në universitet në moshën 15 vjeç.

Shërbeu si diplomat dhe jetoi pjesën më të madhe të jetës në Paris. Më vonë u emërua Dukë i Hanoverit dhe disa vjet më vonë dekan në Akademinë e Shkencave Prusiane. Pavarësiht interesave të shumta, Lajbnici iu dedikua thellësisht gjuhës shqipe, që ishte shumë pak e njohur për kohën.

Tezat e tij rreth kësaj gjuhe duke përfshirë problemet e prejardhjes dhe sqarimet e vendit të saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane i trajtoi në letrat shkruar, prej 24.06.1704 deri 15.03.1715 një mikut të tij.

Më poshtë paraqiten disa pjesë nga korrespondenca e tyre lidhur me këtë çështje:

Letrat shqiptare

Letra e parë, Hanover,

24 janr 1705

Për sa i përket gjuhës së shqiptarvë, unë dyshoj se ajo mund të jetë një gjuhë sllave, meqë kjo gjuhë zotëron gjatë brigjeve të detit Adriatik. Gabimisht atë e quajnë gjuhë ilirike (lingua ilirica). Por unë besoj se gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndyshme.

Në qoftë se do të kishte një mbeturinë të saj në malet e Epirit, kjo do të ishte shumë kurioze dhe e denjë për kërkimet tona. Unë kam menduar atë më shumë se një herë, por nuk kisha menduar fare për të kur isha në Romë, kur unë njoha Z. Pastritio (në qoftë se nuk gabohem), profesor në kolegjin e propagandës (della propaganda) që ishte vetë nga Dalmacia.

Nuk e di nëse ai jeton ende. Duhet të dihet në Raguzë, po ashtu si edhe në Venedik, vende të Republikës (së Venedikut) mjaft të afërta me Shqipërinë.

Tragjikisht e gabur. Lajbnici në këtë letër po dyshon në ekzistencën e origjinës së gjuhës shqipe nga ilirishtja dhe po e trajton shqipen një version të gjuhës sllave, sepse sllavishtja zotëron brigjet e Adriatikut. Sigurisht që çdo shqipëtar do të ndijohej të dëgjonte një përfundim të tillë, i cili u prek vetëm me intuitë nga Lajbnici.

Por do të ishte po kjo intuitë që do të hidhte poshtë mendimin e shprehur në letrën e parë se “gjuha e ilirëve të lashtë ishte një gjuhë krejt e ndryshme nga shqipja.” Në letrën e dytë, me studimet që kishte mbi fjalorin latinisht të Frang Bardhit, Lajbnici arriti në përfundimin: “… kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë.”

Letra e dytë

10 dhjetor 1709

Kur Z. Hubener që vinte nga Hollanda, kaloi këtu, unë iu luta të më merrte një dorëshkrim të Biblotekës Mbretërore, që po jua kthej duke ju falenderuar dhe dëshiroj të më jepni nderin t’ju shkruaj në të njëjtën kohë. Ju më keni dhënë një kënaqësi të madhe duke më njoftuar se keni marrë një libër dhe një fjalor të gjuhës shqipe; nga kjo mësojmë se kjo ishte gjuha e ilirëve të lashtë.

Megjithatë, unë vë re në të edhe shumë fjalë latine. Attijone, për babai jonë, përputhet me gjuhët skithe; duket gjithashtu se ka disa gjurmë të vogla fjalësh që përputhen me gjermanishten si p.sh: deet (tokë), enendieni (na falni).

Letra e tretë

26 dhjetor 1709

Megjithatë unë do të them mendimin tim rreth disa fjalëve të kësaj gjuhe. Hunde pro naso, an dicemus antiquum Celticum esse? (Hunde për hundë, mund të quajmë keltike të vjetër?) dhe fjala gjermane “Hund” (qen) e mori këtë emër sepse qeni shquhet për përdorimin e përsour të organit të tij nuhatës, si Truye Troia, që vjen në një mënyrë tjetër nga trogue ose truyn, hunda te galët e lashtë por edhe te galët modernë.

Hunting është gjuetia te anglezët, por hint për ata do të thotë gjurmë, shenjë, që gjermanët e sotëm e quajnë Sphur.

Kështu mundet që të gjitha vijnë nga një rrënjë që tregon Kunde, njohuri nga e cila mund të ketë ardhur dhe e njoh. Une nxjerr një përfundim të ngjashëm edhe për Kraha (krahë) në shqip, sepse Krebs ose Krabbe është një kafshë me krahë dhe Kralle (kthetra), Kriechen (zvarritem), Krazzen (kthetra).

Gërma K shpesh tregon lëvizje, kështu krahë shprehen me K; mua më duket se Massa është mishi për sllavët, kështu që kjo lidhet me mish (Mix) të shqipes si dhe me Mist të armenishtes. Maritus Bum mund të ketë lidhje me termin burrë në shqip ndërsa Braut me grua, ngjashmëri me fjalën angleze bride. Për sa i përket Gaforreia të shqipes unë mendoj se ajo mund të ketë lidhje me Gafel, pirun.

Cisme, quhen ato lloj këpucësh që mbahen nga hungarezët e që në Vienë, sipas shqiptimit italian quhen Citmes; gjithashtu emrat e numrave nuk kanë të bëjnë aspak me emrat e numrave që përdorin popujt e tjerë të rajonit porse te shqiptarët fjala chau është kau dhe fjala det vjen nga fjala deet, fjala i mirë vjen nga emir.

Pse studimet e Lajbcinit për Shqipërinë kishin rëndësi?

Qasja e një figure të tillë në fushën aspak të njohur të asaj kohe nxiti në radhët e studiuesve debatin shkencor për origjinën e gjuhës shqipe dhe vendin e saj në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Po ashtu ai është edhe nismëtari i tezës së origjinës ilire të gjuhës shqipe.

Nuk është aspak ekzagjërim që të thuhet se pa kontributin e këtij përsonaliteti me përmasa në fushën e albanologjisë, kjo fushë nuk do të merrej dhe aq seriozisht.

Lajbnici kishte marrëdhënie përsonale më të gjithë njerëzit e ditur të epokës së tij si dhe me shumë mbretër dhe mbretëresha. Frederiku i Madh i Prusisë ka thënë për filozofin se ai i vetëm, përbënte një akademi.

Në fund të jetës, Lajbcini takoi tri herë carin e Rusisë. Por rëndësi të veçantë kishte takimi ku përparimtari i palodhur trajton shqiptarët gjatë një memorandomi me Perandorinë e Perandorisë së Shenjtë Romake, Leopoldi I, në shtator 1688.

Lajbcini pasi përshkruan historinë e vendit dhe të shqiparëve nga antikiteti deri tek lufta e tyre dhe e Skëndërbeut kundër turqve, ai thotë se tani është një rast i favorshëm për Portën Habsburgase që ta përfshijnë këtë vend të mrekullueshëm përgjatë Adriatikut në territorin e perandorisë.

Si arsye ai sjell jo vetëm pozitën strategjiko-politike të këtij rajoni, që do t’i hapte Perandorisë së Shejtë Romake hapjen e një rruge të re tregtare detare, por edhe tokat pjellore të rajonit, leshin shqiptar që nuk është aspak më pak i vlefshëm se ai spanjoll dhe që mund të përdoret për prodhimin e veshjeve dhe ushtarët që mund të rekrutohen në ato zona, të cilët pasi të kenë mësuar të respektojnë urdhërat dhe t’i binden disiplinës sipas modelit perëndimor, nuk do të mbeteshin pas të tjerëve.