MENU
klinika

Negociatat

Gjermania në krye të BE-së, çfarë pret Shqipëria?!

02.07.2020 - 14:07

Gjermania ka marrë dje zyrtarisht kryesimin e Këshillit të Bashkimit Evropian, duke theksuar si prioritet rimëkëmbjen ekonomike nga pandemia COVID-19 dhe agjendën e zgjerimit me Ballkanin. Ambasadori Zingraf: Kushtet e Bundestagut, udhërrëfyes për integrimin. Reagojnë Meta, Balla, Kodheli dhe Gjosha

Nga Blerina Gjoka

Drejtimi i Bashkimit Evropian kalon në dorë të Gjermanisë, nga data 1 korrik deri më 31 dhjetor 2020, periudhë vendimtare për vendin tonë që pret çeljen e bisedimeve me unionin. Perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit ballkanik është shpallur si një prej prioriteteve të presidencës gjermane. Për Shqipërinë është shumë domthenëse kjo periudhë, kur i duhet të plotësojë kushtet e vendosura për çeljen e negociatave, kushte që lindën fillimisht në Budenstag-un gjerman dhe më pas u adaptuan si kushte të BE-së. Gjermania ka treguar vijimësisht mbështetje për integrimin e vendit tonë, duke u bërë dhe avokate e Shqipërisë në debatet brenda vetë unionit. Kësisoj, gjatë këtyre muajve puna që do të bëhet nga qeveria dhe insitucionet shqiptare për përmbushjen e këtyre kushteve, do të ketë mbikëqyrjen direkte gjermane, nga e cila pritet dhe thirrja e tryezës ndërqeveritare për çeljen zyrtare të negociatave. Por Ballkani nuk është në krye të listës së prioriteteve të kësaj presidence, pasi pandemia COVID-19 dhe rimëkëmbja ekonomike e vendeve anëtare është shprehur në fokusin gjerman, duke përfshirë këtu miratimin e kornizës shumëvjeçare financiare dhe fondin për përballje me pasojat e pandemisë.

Çfarë pret Shqipëria nga presidenca gjermane?

Reforma zgjedhore, një prej 5 kushteve emergjente që duhen plotësuar për çeljen e negociatave, ka përfundur dhe pret vetëm votimin në Kuvend. Ndërkohë, vendi ynë duhet të japë dhe disa prova të tjera për të tërhequr vëmendjen gjermane drejt Tiranës, siç është ngritja e Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë, plotësimi dhe funksiomini i organeve të vetingut etj. Ambasadori gjerman në Tiranë, Peter Zingraf, ka prezantuar përparësitë e kryesisë gjermane të Këshillit të BE-së dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë. Në një videomesazh prezantues për prioritetet e presidencës gjermane, Zingraf tha se “Gjermania, në rolin e motorit dhe moderatorit, dëshiron që, së bashku me institucionet evropiane dhe shtetet e tjera anëtare, të forcojë Evropën dhe ta çojë atë përpara”. Ai foli edhe për perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor. Nxitja e kësaj perspektive në kuadër të presidencës gjermane, të cilësuar “motor dhe moderator të perspektivës evropiane të Shqipërisë dhe rajonit”, është një prioritet tjetër i kësaj presidence. “Pjesë e së ardhmes së Evropës është edhe perspektiva evropiane e Shqipërisë dhe e rajonit. Dhe ne dëshirojmë ta nxisim më tej këtë perspektivë, në kuadër të presidencës sonë, si motor dhe moderator i saj”, tha ambasadori Zingraf. “Më gëzon fakti që presidenca jonë ka qëlluar të jetë pas marrjes së vendimit nga ana e Këshillit për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit. Kushtet e formuluara formalisht, të cilat ishin të parapërcaktuara edhe në vendimin e Bundestag-ut, janë cilësuar në vend si një udhërrëfyes për kalendarin shqiptar të reformave. Unë uroj shumë që institucionet shqiptare t’i vënë vetes objektiva ambiciozë në zbatim të këtyre reformave. Në mënyrë të veçantë, kushtet që duhen përmbushur përpara Konferencës së Parë të Anëtarësimit, janë thelbësore për vendin dhe duhet të jenë të zbatueshme në një periudhë të afërt kohore. Gjatë presidencës së Këshillit, Gjermania do të jetë në krah të Shqipërisë me fjalë dhe vepra. Pres me gëzim gjashtë muaj intensivë.” – përfundon ambasadori gjerman.

Rimëkëmbja e Evropës

Kalimi i pandemisë së virusit Corona dhe rimëkëmbja ekonomike në Evropë janë dy çështjet qendrore, me të cilat do të merret Gjermania gjatë kohës që do të kryesojë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian. Ky është konstatimi i partive të unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, në negociatat e Këshillit të koalicionit, të zhvilluara në zyrën e Kancelarisë, raporton Deutche Welle. “Bashkimi Evropian gjendet para një sfide që përcakton fatin e vendeve anëtare, e kjo është pandemia COVID-19”, thuhet në dokumentin e partive të koalicionit qeverisës. Gjermania do të angazhohet gjatë kohës së presidencës me gjithë fuqinë për tejkalimin e kësaj pandemie dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës. Qeveria gjermane synon të lërë pas këtij mandati një Evropë më inovative, më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Një synim tjetër është edhe një Evropë më e sigurt, ku respektohen vlerat e përbashkëta, si dhe një Evropë më të fuqishme në botë.

Taulant Balla:

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, shpreh bindjen se Gjermania do t’i japë një impuls të ri procesit të integrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. “Shqipëria me publikimin e kuadrit negociues dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, do të nisë më pas rrugëtimin e kapitujve të parë të negociatave me BE-në.” – tha ai.

Mimi Kodheli

Kryetarja e Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Mimi Kodheli, e cilësoi me rëndësi për Shqipërinë marrjen e presidencës së BE-së nga Gjermania. “Ajo është për Shqipërinë, sikurse dhe për vendet e tjera të rajonit, garantja më e sigurt për vijimësinë në kuadrin e proceseve tashmë edhe më të vështira integruese në Bashkimin Evropian”.

Ditmir Bushati:

Ish-ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, e sheh si një mundësi të shkëlqyer që nuk duhet humbur. “Marrja e drejtimit të BE-së në këtë moment kritik nga vendi më i fuqishëm evropian, shoqërohet me pritshmëri të mëdha. Për Shqipërinë është një mundësi e shkëlqyer që nuk duhet humbur, për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE”.

Klajda Gjosha:

Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, e cilësoi një ngjarje jashtëzakonisht të rëndësishme për muajt e ardhshëm të vetë BE-së, si për daljen nga kriza, ashtu edhe për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit perëndimor. “I bëj thirrje qeverisë shqiptare të dalë sa më parë në një plan konkret për plotësimin e kushteve, të cilat duhet të kenë një afat kohor sa më të afërt, sepse koha nuk pret.”- tha ajo.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN