MENU
klinika

A duhen besuar dosjet e ish-Sigurimit?

Gjyqi “publik” i Camajt e Koliqit, studiuesi: E qëllimshme!

16.07.2020 - 17:16

      Drejtori i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, pas publikimit të pjesshëm të dosjeve të Camajt dhe Koliqit”, argumenton se përse nuk u duhet besuar dosjeve të Sigurimit. Sipas studiuesit, ky organizëm ishte i paligjshëm, prandaj dosjet duhen studiuar në kompleks.

Perdja e sistemit monist ka rënë prej 3 dekadash dhe në skenë mbeten ende për t’u diskutuar ngjarjet e asaj periudhe. Por a mund të rikonstruktohen këto ngjarje e personazhet e asaj epoke, duke i veshur opinionit publik një tjetër perde të mjegullt, atë të ish-Sigurimit të Shtetit? Debati mbi “Dritëhijet” që Auron Tare, u vesh dy kolosëve të jetës letrare dhe intelektuale të shekullit të XX, Camajt dhe Koliqit, gjeneroi një tjetër diskutim, atë të nevojës për një kënd të ri vështrimi, të distancuar nga sulmet e rrufeshme te diktaturës, përmes presionit e manipulimit. Studiuesi Çelo Hoxha, njëkohësisht edhe drejtues i Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit tregon për “Report tv”, se pse sot është e nevojshme që Dosjet e ish-Sigurimit duhet të lexohen me ftohtësi dhe të dhënat që jepen në to, para se të trumbetohen duhet të vërtetohen nga burime të besueshme.

“Me dokumentet e Sigurimit të Shtetit duhet punuar si me të gjithë dokumentet që punojnë historianët. Një dokument, nuk mund të përdoret i izoluar, për një ngjarje të caktuar apo për një personalitet të caktuar. Dokumenti është një dimension i ngjarjes apo jetës së personit. Por edhe ngjarja, edhe personi duhet parë më në kompleks sesa një dokument”.


Dosjet e Sigurimit të Shtetit, përveçse të paligjshme, sipas tij, qëllim primar kanë pasur sulmin, deformimin e figurave, implikimin e tyre edhe me dhunë për të arritur qëllimet, që s’i shërbenin me shumë gjasa, si shërbenin as të mirës së përgjithshme, as zhvillimit të vendit.

“Sigurimi i Shtetit ka qenë një organizëm, sepse s’mund t’i thuash as institucion, pasi ka qenë i paligjshëm. Ka qenë një organizëm politikisht i orientuar me objektiva të qarta, që i ndiqte për interesa të veta. Në momentin që ajo ndjek interesin për politika të caktuara, ata njerëz janë të paragjykuar. Dokumentet e shërbimeve sekrete, të çdo lloj shërbimi sekret, nuk kanë vlerë juridike” – shton Hoxha.

Ndaj tridhjetë vite pas këtij regjimi, duhet reflektuar, nëse agjentët vullnetarë e të paguar të shtetit duhen parë si njerëz të besës, e ata që vunë themelet e jetës kulturore, si tradhtarë të këtij kombi.

“Problemi është; kush i detyroi ata që të merrnin informacion, kujt i duhej informacioni? Kush vepronte mbi bazë të këtij informacioni? Këta janë viktima. Rëndësia që i duhej dhënë, është se çfarë do mund të bëhej brenda hapësirës ligjore që ekziston. Mund të bëhej një ligj lustracioni në këtë rast, që kush ka qenë rrogëtar i Sigurimit, të mos punonte në administratën shtetërore. Kush merr pension të veçantë, t’i hiqet edhe t’i jepej pensioni i zakonshëm. Pasi s’mund të marrësh pension të veçantë, kur ke qenë pjesë e një organizate kriminale. Kështu ka qenë Sigurimi. Sigurimi ka qenë një grupim njerëzor i paligjshëm. S’ka pasur ligj për Sigurimin. Ne si ISKK, kemi qenë për këtë mënyrë të parit të gjërave” – thotë studiuesi.

Torturat e zyrave të hetuesisë, ferrin që përjetonin viktimat, e kanë përshkruar tanimë ata që e kanë jetuar. Përballë tyre, pothuajse askush s’mund të thotë jo. Përndjekja e tyre, nuk ishte vetëm ndaj individit. Në këtë kontekst: a duhen paragjykuar Camaj dhe Koliqi, në bazë të disa faksimileve të shkëputura, si të ishim në gjyqet publike, ku dikush çohet me ftohtësi dhe në mes të sallës, kërkon të rrëzohen mitet? Apo figura të tilla, meritojnë një studim të hollësishëm, konsultim me dokumente dhe ekspertë…

“E para, duhet që të jetë ndjeshmëria njerëzore. Kur flasim për bashkëpunëtorë të Sigurimit edhe dosjet e tyre, duhet të kemi parasysh që njerëzit janë bërë bashkëpunëtorë me dhunë, nuk kanë pasur shumë mundësi zgjedhjeje. Një pjesë kanë rezistuar, një pjesë u është bërë provokim mbi njerëzit e familjes. Prandaj edhe mua, nëse do ma bënin atë presion, në ato kushte do të firmosja. Por, ne si brez që s’e kemi pasur atë fat të keq, duhet të jemi të kujdesshëm, nuk mund të akuzojmë njerëzit se përse kanë firmosur”.

Ernest Koliqi, Martin Camaj, Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Fatos Arapi e të tjerë personalitete, që lakohen në shkrime shumëfletëshe, si mite që duhen rrëzuar, nuk u bënë të tillë prej bashkëpunimeve me shërbimet inteligjente. Miti i tyre u krijua falë veprës letrare e veprimtarisë kulturore dhe intelektuale, që ishte në shërbim të zhvillimit të vendit. Dhe ndaj saj, lexuesi s’duhet të distancohet.

“Ka një mënyrë për të vërtetuar, se çfarë pune ka bërë ky njeri? Dakord, ka firmosur një ditë, por a ka dhënë informacion? Cilat janë pasojat e këtij informacioni? A është ky njeriu më i rrezikshëm, apo ishte ai që merrte informacionin i tillë? Duhet parë këto gjëra, në rastin e Camajt. Ai ka firmosur për personat, të cilët, ata i kërkonin informacionin, i ka lajmëruar edhe është larguar bashkë me ta” – shprehet studiuesi Çelo Hoxha.

Në dilemën, sesa i duhet besuar për të kuptuar atdheun e diktaturës, raporteve të ish-sigurimsave ka peshë fjala e institucioneve. Akademia është thirrur në skenë, por ende mbetet figurante në këtë debat, ndërkaq janë studiuesit e pavarur të letërsisë bëhen ‘gardianët’ e sotëm, që nuk pranojnë një Shqipëri, pa Camajn, Koliqin, vëllezërit Frashëri etj.

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit