MENU
klinika

"Vakti"

Instalacioni i çmimit special në “Onufri remade”

15.07.2020 - 12:54

       Instalacioni “Vakti” i artistit Vladimir Myrtezai u vlerësua dje me çmimin special “Onufri Remade” në Tiranë. Ekspozita “Onufri Remade” u çel për vitin 2020 në Galerinë Kombëtare të Arteve në Kosovë nga kuratorët Ardian Isufi dhe Elton Koritari.

Mes 25 artistëve pjesëmarrës, veprat e të cilëve u ekspozuan në Kosovë edhe në Korçë, çmimin special të “Onufri remade” e dorëzuan për artistin Vladimir Myrtezai në Tiranë.

“Është një kënaqësi e veçantë, që së bashku me Elton Koritarin pas një kalvari të gjatë dhe bashkëpunimi me artistët ia dolëm që të realizojmë këtë aktivitet të rëndësishëm, një sfidë e vazhdimësisë së çmimit së artit bashkëkohor, që për ne ka edhe një mbiemër “Onufri remade”, për ta risjellë si aktivitet artistik dhe si një debat mbi artin bashkëkohor”, – theksoi kuratori Ardian Isufi.

Isufi tha se “menduam që ky çmim të ishte i veçantë për kontekstin shqiptar”.

“Ideja e një kokoreje saldatori ka një simbolik të veçantë, jo vetëm me atë çfarë po kalojmë për shkak të COVID 19. Por, kjo kokore saldatori të jep edhe idenë e një artisti industrial”, – tha Ardian Isufi.

Sipas tij, vakti është një darkë, ku artisti fton edhe publikun, ku në vend të supës i serviret një bimë me rrënjët e saj.

“Kjo është një metaforë shumë e bukur për marrëdhënien që ne duhet të kemi me habitatin u jetojmë”, – thotë Isufi.

Vladimir Myrtezai ka hapur shumë ekspozita personale dhe në grup në Galerinë Kombëtare të Arteve, në Galerinë FAB në Tiranë dhe në shumë qytete të botës si në Berlin, Këln, Athinë dhe në SHBA. Ai ka marrë pjesë në shumë edicione të Ekspozitës Ndërkombëtare të Arteve “Onufri”.