MENU
klinika

"Nevojiten institucione të fuqishme"

Isa Mustafa: Ndodhemi në gjendje të panjohur

05.07.2020 - 09:12

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur se paralajmërimi i Prokurorisë së Speciale duket se flet për një betejë të gjatë në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Mustafa tha se ata që duan zgjedhje nuk ia duan të mirën Kosovës. Me anë të një postimi në rrjetin social, Mustafa shkruan se Kosova aktualisht ka nevoje për institucione stabël dhe në ditët në vazhdim do të bisedojë me këdo që është i gatshëm për të bashkëqeverisur në mënyrë që të forcohet shteti i Kosovës dhe funksionalizimi i tij.

Sipas tij situata nuk është e njëjtë me atë para 24 qershorit, ditë kjo kur Dhomat e Specializuara në Hagë, lëshuan një lajmërim ku thuhej se Zyra e Prokurorit ka paraqitur aktakuzë Gjykatës Speciale, ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veselit.

Ai gjithashtu sqaroi edhe një herë se themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK’së dhe intervenimin e NATO-s.

Postimi i plotë

Jam i bindur se situata në vendin tonë është tjetër nga ajo që ishte para datës 24 qershor, kur Dhomat e Veçanta në Hagë lëshuan një lajmërim të pashembullt se kanë propozuar aktakuzë kundër z. Thaçi, President i Kosovës dhe z. Veseli, Kryetar i PDK-së. Tani jemi futur në një gjendje me shumë të panjohura, që nuk determinon stabilitet apo jo të Qeverisë por të të gjitha institucioneve të vendit. Parasëgjithash, ardhmërinë e shtetit të Kosovës.

Krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit sikurse edhe dhunime dhe gjenocid në Kosovë kanë kryer forcat ushtarake dhe paramilitare serbe. Për fat të keq, paralajmërimi i Prokurorisë së Dhomave të Veçanta të Gjykatës Speciale flet për një betejë të gjatë të Kosovës me Serbinë, jo vetëm për tu gjykuar individë por për tu mbrojtur e vërteta historike.

Në këtë betejë duhet të jemi bashk, të gjithë ne në Kosovë. Themelet e pavarësisë së Kosovës janë vënë me luftën e UÇK-së, politikën vizionare të Ibrahim Rugovës dhe LDK-së si dhe me intervenimin e NATO-s për ta mbrojtur popullin e Kosovës nga zhbërja dhe deportimi.

Ne këto rrethana Kosova ka nevojë të sigurojë institucione stabile dhe të fuqishme, të mbështesë institucionet e drejtësisë, vendore dhe ndërkombëtare, një drejtësie të pavarur dhe të pandikuar, sikurse edhe të mbështesë njerëzit e saj që ballafaqohen me drejtësinë deri në përfundimin e saj, sepse deri atëherë fajësia e tyre është vetëm e presypozuar.

Në ditët në vijim do të bisedojmë me të gjithë që kanë gatishmëri, jo për të forcuar pushtetin individual apo partiak por, për të forcuar shtetin e Kosovës dhe funksionalitetin e tij.

Ata që Kosovë e duan si fushë të gladiatorëve, nuk besoj se ia duan të mirën këtij vendi.