MENU
klinika

Hapet dosja e Sigurimit

Jusuf Vrioni, armiku i regjimit, që përkthente Enver Hoxhën

30.07.2020 - 11:47

       Është cilësuar si një nga mendjet e rralla intelektuale. Dhe padyshim që ishte i tillë. I kulturuar dhe plot sharm Jusuf Vrioni më së shumti mbahet mend për përkthimin e një serie veprash letrare të shkrimtarit Ismail Kadare. Sot askush nuk mund të thotë, se larg në horizont është shfaqur… apo është në rrugëtim e sipër, dikush që po tenton ta kapërcejë shkollën e tij të përkthimit. Dhe në këtë mënyrë ai vazhdon të mbetet unik

Jusuf Vrioni, armiku i regjimit, që përkthente Enver Hoxhën

Dosja e përkthyesit të rrallë shqiptar, formuluar nga Sigurimi i Shtetit. Akuzat për qëndrim kundër pushtetit popullor dhe flirtim me misionarët anglo-amerikanë dhe ata të UNRRAS. Në dokumentet e dosjes së sigurimet Vrioni përshkruhet si armiku i betuar i komunizmit: “Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet

Nga Leonard Veizi

Në heshtje të plotë, pa shumë bujë por duke e favorizuar gjithsesi, sepse tek e fundit u la të punonte në një ndërmarrje të rëndësishme për kohën siç ishte Shtëpia Botuese “8 Nëntori”, Enver Hoxha kishte pranuar që veprat e tij, libra me kujtime apo shënime të rëndësishme politike, t’ia përkthente në frëngjisht një armik i klasës, ish i burgosur, më përbërje krejtësisht jashtë normave të moralit komunist. Shkurt një kundërshtar i devotshëm i tij. Nuk ishte e vështirë të kuptohej se ky kompromis bëhej vetëm për një shkak, ai kishte një frëngjishte të kulluar. Ndaj vetëm prej dorës së tij edhe veprat e udhëheqësit komunist do të mund të lançoheshin në kryeqendrën e kulturës evropiane. Ndaj shteti mbylli njërin sy dhe e mori në shërbim. Në këtë shtëpi botuese, që për nga emri simbolizonte lindjen e Partisë Komuniste Shqiptare, Jusuf Vrioni, punoi deri sa doli në pension në vitin 1990…

… Është cilësuar si një nga mendjet e rralla intelektuale. Dhe padyshim që ishte i tillë. I kulturuar dhe plot sharm ai më së shumti mbahet mend për përkthimin e një serie veprash letrare të shkrimtarit Ismail Kadare. Por edhe pas një pune të tillë sqimatare Jusuf Vrioni nuk mund të dilte nga anonimati, dhe për më tepër as damka e armikut të klasës nuk mund ti hiqej, edhe pse tek “8 Nëntori” përktheu fort nga veprat e Enver Hoxhës. Sot askush nuk mund të thotë, se larg në horizont është shfaqur… apo është në rrugëtim e sipër, dikush që po tenton ta kapërcejë shkollën e tij të përkthimit. Dhe në këtë mënyrë ai vazhdon të mbetet unik.

Dosja

Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit në një material të përgatitur nga punonjësit e tij thotë se në kuadër të kurimit të së shkuarës institucioni hedh dritë mbi një nga familjet më të mëdha të vendi siç janë Vrionët. E me këtë rast fton qytetarët, studiuesit dhe të interesuarit të shohin dosjen e Vrionëve, persekutuar nga Sigurimi i Shtetit.

Po çfarë thuhet në materialin e vënë në dispozicion nga AIDSSH?

***

I lindur më 16 mars 1916, në familjen e mirënjohur beratase të Vrionëve, Jusufi u arsimua në Paris, pas emërimit të të atit diplomat. Në vitet 1920, Iliaz bej Vrioni u dekorua me Urdhrin e Lartë të Legjionit të Nderit nga shteti francez. I shkolluar për drejtësi në Francë e Itali, intelektual i nivelit të lartë, Jusuf Vrioni u rikthye në Shqipëri në 1943. Më 13 shtator 1947 u arrestua nga regjimi komunist, me akuzën “për faje penale kundra Popullit dhe Shtetit, si anëtar i organizatës trathëtare Social- Demokrate dhe si agjent i spiunazhit Francez në Tiranë”.

Pas hetuesisë tejet të vështirë më shumë se njëvjeçare, Jusuf Vrioni u dënua nga Gjykata Ushtarake e Tiranës, më 8 korrik 1950, me 15 vjet privim lirie dhe punë të detyrueshme për aktivitet spiunazhi në shërbim të Francës dhe lidhje të ndryshme me të huajt, aktakuzë e ngritur dhe firmosur nga Ministri i Punëve të Brendshme, Mehmet Shehu. Po në aktakuzë shkruhej se: “Përpara hetuesis, ka mbajtë nji qëndrim nga më armiqësorët, duke qëndruar shumë i vendosur në rrugën e trathtisë dhe duke mos pranuar asnjë nga akuzat që i atribuoheshin, por ma e keqja asht se n’asnji mënyrë nuk përgjegjesh rreth pyetjeve që i bëheshin, duke pretenduar se këta janë pyetje pa vend dhe të shkëputura, me nji fjalë kërkonte që hetuesija të ndjeki një formë proceduriale t’atillë që dëshironte ky, dhe këtë e bante gjithmonë ni nji, kohe kur vehesh në pozita të vështira dhe kur nuk kish ndonjë bazë mbrojtjeje”.

Dënimin e kreu në burgun e Burrelit. Pas lirimit nga burgu dhe internimit në Fier, në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”, ku përktheu në gjuhën frënge veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës, libra të regjimit e propagandës… Jusuf Vrioni u ndoq për 27 vjet me radhë nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B, që nga 29.2.1964 deri më 28.04.1991, kohë kur dosja u arkivua. Në dokumentet e dosjes së përpunimit nr. 1452, citohet: “Është shtresë e pasur feudale, babai i tij ka qenë kryeministër si dhe ministër fuqiplotë (ambasador) në Francë në kohën e Zogut. Vetë ka qenë me Legalitetin dhe mbas çlirimit është dënuar me burg, si spiun i francezëve. Është anëtar i “Partisë Popullore”. Ka tendenca zogiste. Miqësi me ministrin (ambasadorin) anglez. Vrioni ka shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës” dhe e ka cilësuar si inkompetent, “ku ligji është zbatuar arbitrarisht”.

“Ka pasur kritika për mungesë lirie të shtypit; administratë të pashkolluar, dhe ka kërkuar nga misionet e huaja që të mos e njohin qeverinë e dalë nga zgjedhjet.” Po sipas raportimeve, Vrioni dyshonte në drejtësinë e gjyqeve komuniste. Sipas tij, njerëzit janë marrë në qafë për një fjalë goje, se kanë shprehur mendimin e tyre të lirë… “se nga torturat, të gjithë e kanë dhënë nga një fjalë. Demokracia e vërtetë nuk vendoset me burgje dhe vrasje”.

Veç Vrionit, mbi 17 veta të rrethit të tij mbaheshin në vëzhgim. Dosja e përpunimit e Isuf (Jusuf) Iliaz Vrionit është deklasifikuar nga AIDSSH më 21.1.2019. Të interesuarit mund të njihen me përmbajtjen e saj, në përputhje me ligjin 45/2015.

Materiale plotësuese

Dosja e përpunimit të Jusuf Vrionit zë fill filluar në 29 shkurt 1964. Në materialet e përgatitura nga oficerët e sigurimit të shtetit dhe Degës së Punëve të Brendshme emri i Jusufit është shkruar gjithmonë Isuf.

Në materialin Tepër Sekret që i paraqitet zv/Drejtorit të Punëve të Brendshme N/Kolonel Koço Panos mes të tjerash për Jusuf Vrionin thuhet: “Qëndrimi politik gjatë regjimeve të kaluara ka qenë pro tyre dhe u ka shërbyer me besnikëri, ka qenë familje e pasur feudale, ka pasur çifligje, dhe funksione shumë të rëndësishme në ato regjime”. Më poshtë akuzat vazhdojnë: “Mbas daljes nga burgu Isufi vazhdon të mbajë pozicion armiqësor. Është armik i betuar i pushtetit tonë popullor”. Në një faqe tjetër të dosjes thuhet

Në një material tjetër e cila titullohet “Ustanofka e Isuf Vrionit” thohet “Gjatë luftës Isufi nuk ka mbajtur qëndrim të mirë. Në vitin 1945 kohë kur sapo ishte çliruar Shqipërija ky fillon aktivitetin e tij armiqësor kundër Pushtetit Popullor dhe në vitin 1946 lidhet dhe me njerëzit e Unros. Isuf Vrioni din gjuhë të huaja, inglisht, frëngjisht dhe italisht”

Dhe përsëri në një faqe tjetër, material i propozuar nga punëtori operativ kapiten Shyqyri Karemani, shkruhet: “Duke parë rrezikshmërinë që paraqet, Isuf Vrioni si armik i betuar i Pushtetit Popullor dhe që ka aktivitet aktual, propozojmë që ta marrim në përpunim 2/A”

Në një akt-akuzë të vitit 1949 drejtuar Degës VII të Sigurimit të Shtetit shkruhet: “Akuzohet se: Mbas çlirimit të vendit ka mbajtur qëndrim armiqësor duke u lidhur gjithmonë me elementë reaksionarë, aq më tepër me anëtarë të misioneve ushtarake të huaja, si me Varta-Ousin, RobinsoninThoma Stefanin, Toger Lombardin dhe nën/togerin Koshei me të cilët takohesh përditë në tenis-nallban, gjoja për qëllime loje, bashkë me shokë të tjerë Agostin Bonatin, Skënder Konicën, Skënder Shkupin, Fatlum Vilën, Zafer Vilën, Agap Papajanin, Aziz Vrionin e të tjerë dhe bisedonin për çështje politike dhe u jepnin informata këtyre mbi gjendjen e vendit dhe merrnin udhëzime prej tyre se si të vepronin në punën e përditshme kundër interesave të vendit, duke paraqitur një ndërrim të situatës nga një zbarkim i shpejtë i Anglo-Amerikanëve”.

Më 3 dhjetor 1959, mbas 12 vjetësh burg Jusuf Vrioni fiton lirinë. Në 1960 u emërua përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”.

Demokracia

Emri i tij si përkthyes do të fillonte të figuronte nëpër botimet në Francë vetëm në vitet 1980. Rreth fundit të viteve ’80, Jusuf Vrioni nisi të gëzojë famë si përkthyes si pashoq në qarqet intelektuale dhe artistike të kryeqytetit.

Në vitet e para të Shqipërisë post-diktatoriale, Jusuf Vrioni, falë staturës së tij si intelektual, angazhohet në qarqet e shoqërisë civile dhe për një kohë shërben si Kryetari i Kominetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut. Kriza e vitit 1997 e detyron të largohej nga Tirana dhe të rikthehej në Paris. Më 1998 emërohet Ambasador i Republikës së Shqipërisë në UNESCO dhe më 22 maj të këtij viti, për kontributin e tij të pasur në gjuhën frënge, dekorohet nga Republika Franceze me urdhrin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, ashtu si dikur i ati, Ilias Bej Vrioni, ish dekoruar në fund të viteve 1920 me urdhërin “Grand Officier de la Légion d’Honneur” nga Republika Franceze.

Në fund

Jusuf Vrioni ndërroi jetë në Paris në maj 2001 ndërsa shërbente si Amabasor i Republikës së Shqipërisë në UNESCO. Një avion special e solli trupin e të ndjerit Jusuf Vrioni në Tiranë, më 1 Qershor 2001.

Shkrimtari francez Eric Faye laureati i Çmimit të Romanit të Akademisë Franceze, do të shkruante: “Amaneti i fundit i shqiptarit dhe intelektualit erudit, evropianit të shquar të shekullit që sa kaloi, njeriut që ia doli mbanë të kalonte nga Sharibda në Shilla, mjeshtrit të talentuar të gjuhës së Balzakut e Bodlerit, përkthyesit të madh të Kadaresë, ish të prehej përfundimisht në vendin e tij, në Shqipëri, aty pranë varrit të së ëmës, e cila e kish dashur aq shumë …”.

Ismail Kadare

Vrioni, një transmetues i fuqishëm i kulturës tonë në botë

Ai ishte një transmetues i fuqishëm i kulturës shqiptare në botë dhe kjo e ka bërë Ismail Kadarenë që gjatë një interviste në emisionin “Opinion” të thotë: “Jusuf Vrioni do të kujtohet gjithmonë në kulturën shqiptare. Ai ishte një fenomen i rrallë, jo vetëm për kulturën shqiptare, por në përgjithësi. Një transmetues kaq të fuqishëm në botë i një letërsie e një kulture, është shumë e rrallë të gjendet qoftë dhe në vende të tjera. Ai ishte përçuesi më i madh që ka njohur letërsia shqiptare në të gjithë shekujt, përçuesi më i madh i letërsisë sonë në botën e jashtme. Unë e kam njohur në vitin 1962, sapo ishte fejuar dhe m’u ofrua duke më thënë nëse doja që të përkthente veprën time. Përkthimi i veprave të mia ishte nismë e Jusuf Vrionit edhe pse ai e dinte se nuk do të vihej emri i tij si përkthyes. Madje dhe botimi i “Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur” në Francë gjithashtu ishte një nismë e tij”.

“Kujtimet e një evropiani”

Enver Hoxha një dedikim për Vrionin

Në librin “Kujtimet e një evropiani”, përgatitur nga shkrimtari francez Eric Fay, Jusuf Vrioni shkruan: “Një ditë tetori të 1980-ës më thirri drejtori në zyrë, ku ndodhej një përfaqësues i Komitetit Qendror, i cili donte të më takonte. “Pa shihni!,- më tha ai sapo hyra, dhe më dha një kopje të përkthimit frëngjisht të “Hrushovianëve” të Enver Hoxhës. Lexoni çka brenda!”, – vazhdoi ai. Pasi ktheva faqen e parë, vura re, me habi të madhe, një kushtim nga vetë autori. Njëshi i partisë dhe i shtetit, udhëheqësi historik i Shqipërisë socialiste më përgëzonte për përkthimet e mia”.

 

Lista e librave të Ismail Kadaresë përkthyer nga Jusuf Vrioni

Le Général de l’Armée Morte

Le Pont aux Trois Arches

Le Grand Hiver

Chronique de la Ville de Pierre