MENU
klinika

Kisha e Shën Eufemisë

Kisha nga ku buron uji që furnizohet i gjithë fshati

13.07.2020 - 06:48

Kisha e Shën Eufemisë përmendet për herë të parë në një dokument të vitit 1343, ku Stefan Dushani e rendit në mes të kishave që i jepen Krujës.

Po ashtu në letrën që papa Innocenti VII i drejton nga Roma, më 12 nëntor 1404, ipeshkvit të Lezhës, Andrea, i jep atij të drejtën të gëzojë edhe të ardhurat e kishës famullitare të Kallmetit. Pas pushtimit të Lezhës nga turqit, në vitin 1478, shihet se ipeshkvi i Lezhës, nuk qëndron më në qytet, por është zhvendosur në Kallmet. Rreth dy shekuj më vonë, në vitin 1629, ipeshkvi i Lezhës, Benedikt Orsini, e rendit shën Eufeminë e Kallmetit, në listën e kishave të Dioqezës së Lezhës.


Njëkohësisht, ajo përmendet edhe në letrën e ipeshkvit të Sapës, Frang Bardhit, më 8 shkurt 1637, dhe, rreth dy muaj më vonë, përsëri në një letër të po këtij ipeshkvi, më 28 maj 1637. Emri i kishës gjendet sot i shndërruar nga banorët në “Kisha e Sh’Misë”.

Ajo ndodhet në fshatin Kallmet i Vogël, në një lartësi të madhe, në anën perëndimore të një shkëmbi natyror me përbërje gëlqerore. Nga vendndodhja e kishës mund të vështrohet e gjithë fusha e Drinit të Lezhës deri në Malin e Zefjanës, në Bushat, mali i Taraboshit, Kalaja dhe qyteti i Shkodrës.

Pranë kishës nga shkëmbi gëlqeror rrjedh një burim uji i bollshëm, i cili është futur në brendësinë dhe në oborrin e kishës, pasi shihet si ujë pastrues dhe bekues nga besimtarët. Kisha nuk ka absidë, por në vend të saj, një shkëmb i gjallë është përfshirë në brendësinë e kishës.

Nga kisha e vjetër kanë mbetur vetëm një pjesë e themeleve dhe paturat e dyerve prej guri të gdhendur me kujdes, ku nuk mungojnë as kryqet në reliev.

Sot kisha gjendet e restauruar tërësisht mbi themelet e vjetra. Ajo është njënefëshe, me një portik që mbështetet në dy kolona, i cili hapet në anën perëndimore, para portës kryesore të saj, në formën e një hajati.


Zona e altarit të kishës, pas ndërhyrjeve që janë bërë viteve të fundit, është përshatur mjaft bukur me arkitekturën e monumentit dhe sot, nën altarin e kishës rrjedh uji i pastër i burimit, gjë që jep efektin shpirtëror të ujit të bekuar.

Rrjedha e ujit përshkon në të gjithë gjatësinë, aksin qendror në nefit të kishës, vijon nën dyshemenë me pllaka guri të portikut dhe oborrit të kishës për t’u derdhur me zhurmë në shpatin e thikët të malit të mbuluar me dru lisi. Nga aty, uji bie poshtë në fshat duke u kthyer në një ndër burimet e ujit të pijshëm.

Mjedisi përreth kishës, i cili përbëhet nga shkëmbinj të thepisur gëlqerorë dhe disa zgavra të vogla, vazhdon të përdoret ende edhe sot nga besimtarët.

Ky peisazh i bukur, mbi të cilin është ndërtuar kisha, jep mjaft efekt tërheqës dhe ngjall dëshirën për të bërë pelegrinazh. Nga kjo pikëpamje, banorët vendas e krahasojnë këtë kishë me kishën e njohur të Shën Antonit (Shna Ndout) në Laç.

Pasi mbetjet e vjetra të kësaj kishe pothuajse janë zhdukur plotësisht, sipas Flavio Cavallini-t, janë burimet historike që na bëjnë ta datojmë kishën e Shën Eufemisë në fillimet e shekullit XIV.

Marrë nga “MONUMENTE HISTORIKE TË KULTIT TË KRISHTERË NË DIOQEZËN E LEZHËS”.