Gjatë një takimi në zonën turistike të Divjakës ministri i Turizmit Blendi Klosi thotë se do të lobojë fort që në vitin 2021 kur mbaron moratoriumi për gjuestinë, të vendoset një tjetër moratorium.
Sipas Klosi e mira do të ishte të vendosej një tjetër 5-vjeçar, pasi gjatë kësaj periudhe flora dhe fauna janë përmirësuar shumë. Gjithsesi për këtë do të ketë takim me grupet e interesit.
“Jemi këtu në Divjakë në një nga ato qendrat më të avancuara që kemi ne në Agjencinë e Zonave të Mbrojtura, pasi realisht ja kemi dalë që këtu të krijojmë një ambient jo vetëm turistik, jo vetëm që vizitohet nga mijëra e mijëra pushues, por të jetë dhe një ambient shkencor edhe Spitali i shpendëve që kemi për te inauguruar sot një investim i përbashkët me Organizatën e Kombeve të Bashkuara, PNUD, dëshmon që sa mire po ja dalin që e gjithë Agjencia e Zonave të Mbrojtura të shndërrohet në një agjenci për natyrën. Pra të përkujdeset shumë më shumë për ato çfarë ndodh në natyrën shqiptare.
Jemi këtu në një diskutim me ekspertë të fushës së biologjisë, me ekspertë të gjithë florës dhe faunës shqiptare për te vazhduar një debat të madh që ka sot në Shqipëri. A të rikthejmë ligjin e moratoriumit të gjuetisë.
Unë jam partizanë i flaktë i kësaj teze. Do të doja shumë që në vitin 2021 kur përfundon moratoriumi 5 vjeçar dhe jo vetëm të rikthejmë moratoriumin për 5 vjet te tjera, por të diskutojmë gjerësisht efektet pozitive që ka sjellë ky moratorium. Flora dhe fauna shqiptare ka ndryshuar krejtësisht dhe sot kemi një numër të konsiderueshëm shpendësh por edhe kafshësh të tipeve të ndryshme, të cilat vazhdojnë të jenë shumë të populluara në vendon tonë.
Shpresoj shumë që edhe aksionet e ndërmarra tashmë me policinë e shtetit edhe me Agjencinë e Mbrojtjes së Territorit të vazhdojnë në kuadër të mos mbajtjes peng të kafshëve të egra nga përdorues të ndryshëm dhe sidomos nga baret dhe restorantet që tek tuk, në raste shumë të rralla gjithsesi tregëtojnë mish të kafshëve të egra.
Prandaj beteja për rivendosjen e moratoroumit të gjuetisë duhet të jetë një bisedë intelektuale do të duhet të jenë një debat që duhet të përfshijë gjithë ekspertët e fushës dhe natyrisht të ballafaqohemi me një lobim të caktuar, i cili kërkon rikthimin e gjuetisë. Unë do të loboj fort që në vitin 2021 të rivendosim përsëri moratoriumin 5-vjeçarë të ndalimit të gjuetisë dhe së bashku me moratoriumin për ndalimin e prerjes së pyjeve të jemi në një vend i cili mbron në mënyrë të theksuar natyrën shqiptare,”-deklaroi Klosi.