MENU
klinika

Milan-Juventus, ora 21:45

Kush e merr lavdinë sonte, Ibra apo CR7?

07.07.2020 - 13:42

Milan sfidon sonte në orën 21:45 kryesuesit e Juventusit, në ndeshjen e madhe të javës së 31-të të Serie A, e cila do të luhet në “San Siro”. Ora e së vërtetës fillon për Juven, që pasi ka zgjeruar avantazhin ndaj Lazios, do të përpiqet t’i vendosë të dyja duart mbi titullin e nëntë radhazi.

Por bardhezinjtë ndeshen me njërën prej skuadrave më në formë aktualisht. Milan-Juventus do të jetë gjithashtu Zlatan Ibrahimovic kundër Cristiano Ronaldo, në një sfidë pa kohë si në mes të dy klubeve ashtu edhe mes dy yjeve.

Të dy mbi 35 vjeç, të mëdhenj për ego dhe shumë të mëdhenj në fushë. Për Zlatan kjo është Ndeshja e Fundit… Jo e karrierës, por më prestigjiozja, pasi lamtumira në fund të sezonit me Milanin do të jetë e pashmangshme dhe do të vazhdojë mbase edhe 1 vit te Hammarby në Suedi.

Suedezi do të luajë për herë të parë kundër Juventusit që nga kthimi i tij te kuqezinjtë. Hera e fundit kur suedezi u përball me “Zonjën e Vjetër” ishte në sezonin 2010-2011, teksa goli i suedezit nuk e shmangu dot humbjen 1-2. Sidoqoftë, Ibra luajti kundër Juventusit në Kupën e Italisë në ndeshjen e parë gjysmëfinale në Milano.

Ronaldo është ende duke ndjekur rekordet. Sonte do të jetë një tjetër shfaqje e madhe dhe spektakolare. Por, përballja e sotme në “San Siro” do të jetë e 13-ta mes Cristiano Ronaldos dhe Zlatan Ibrahimovic.

Dy futbollistë që në vitet e fundit kanë udhëhequr skuadrat e tyre me gola dhe paraqitje super, aq sa në total në karrierë, përfshirë kombëtaret, kanë dërguar topin në rrjetë 1272 herë! Një shifër e pabesueshme, që do ta bëjë sfidën edhe më interesante.

Cristiano Ronaldo është shënuesi më i mirë i sfidës, me 25 gola në këtë kampionat, 4 më pak se Immobile kryesues. Në derbi, ai u kthye te goli përmes goditjes së lirë, një specialitet nga i cili nuk kishte shënuar kurrë që kur kishte veshur fanellën bardhezi.

Nga ana tjetër, në mesin e kuqezinjve dallohen 9 golat e kroatit Ante Rebic, i cili e ka shkruar emrin e tij në tabelën e rezultateve 6 herë në 8 ndeshjet e fundit. Mes dy skuadrave janë luajtur 84 ndeshje në Serie A, në shtëpinë e skuadrës lombarde.

Në to mbizotëron shenja X, e cila është regjistruar në 33 raste, kundër 28 fitoreve të Milanit dhe 23 fitoreve të “Zonjës së Vjetër”. Duke mposhtur Torinon, Juventus e ka rritur numrin e fitoreve radhazi të Serie A në 7, ndërsa kuqezinjtë morën 3 fitore dhe një barazim në 4 ndeshjet e fundit.

Pioli nuk do të ketë Castillejon e dëmtuar, ndërsa Calhanoglu mbetet në dyshim. Nga ana tjetër, Sarri  nuk ka në dispozicion për skualikim De Ligt në mbrojtje dhe Dybala në sulm. Mes shtyllave të portës, pas rekordit të arritur nga Buffon, kthehet Szczesny.