MENU
klinika

"Zogu i parë"

Kush ishte francezja që i thuri vargje mbretit të shqiptarëve?

28.07.2020 - 17:32

       Komiteti i “France-Orient” (Shoqatë kombëtare propagande politike dhe ekonomike në Lindjen e Mesme, në Evropën Lindore dhe në Afrikën Veriore) ka organizuar, të hënën e 13 shkurtit 1933, një ceremoni për nder të Shqiptarëve të Parisit, ku kanë qenë të ftuar ndër të tjerë, ambasadori i Shqipërisë Stavro Stavri dhe gruaja e tij franceze. Në shkrimin e buletinit zyrtar të këtij komiteti mësojmë më shumë mbi historinë e këtij çifti dhe në fund të tij, gjejmë poezinë e veçantë të Znj. Stavro Stavri, për mbretin Zog, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar:

“…Znj. Stavro Stavri është franceze, madje Burginjone; ajo mbart shpirtin dhe elegancën e kësaj toke, buqetën dhe vlerën e saj. Kjo martesë është një roman, ai i dy ‘Promessi sposi de Manzoni’; student dhe studente në Sorbonë, të ardhur në Paris, njëri nga thellësitë e Shqipërisë dhe e fejuara e re, nga Dukata e vjetër e Burgonjës, ata i premtuan njëri-tjerit, se do të martoheshin sapo të kishin marrë bashkë, diplomat e doktoratës.

Çfarë stimulimi është ky premtim që do të bashkonte shpirtin francez me besnikërinë shqiptare? Të dy bashkëshortët bartën kështu në Shqipëri, ndikimin e shkencës franceze dhe sollën këtu, në Legatën në të cilën është angazhuar nga Mbreti i tij, Shkëlqesia e Tij Stavro Stavri, parfumin e atdheut shqiptar, shkëlqimin e maleve të thyera që vlerësonte Lamartine dhe të gjitha aspiratat e një race krenare, të drejtë dhe fisnike midis të gjithë atyre të Lindjes…”

Zogu i Parë

Kur njëzet vjet më parë, ngrihej flamuri

Në Vlorën e gëzuar dhe që Ismail Qemali

Plaku me flokë të bardha, këndonte përtëritjen

Në Atdheun e çliruar, një burrë i ri, mbi kalë,

Përshkonte Matin, djepin e fëmijërisë së tij…

Ai ëndërronte, i mahnitur nga qielli i tij i magjepsur,

Madhështinë, bukurinë, forcën, fuqinë,

Dhe, në mbrëmje, flinte në një pallat të mallkuar

Me rrëqethjen e fuqishme të zhurmës së fluturimit të shqiponjave

E quanin Ahmet, ishte djali i madh

I një Familje të lashtë që jeton në mal;

Nëna e tij, një heroinë, kishte ditur ta stërviste

Me guximin që pushton dhe afshin që fiton.

Fati i lidhur me racën e pafrikshme

Që gjithmonë dëshiron të rritet dhe të arrijë majën,

U dhuroi Shqiptarëve, një shef, një shpirt, një zemër

I lindur për t’u sjellë atyre zhvillimin që asgjë nuk ndal.

E thërrisnin Ahmet, djali i Zogut, fitimtar!

Ishte ai, dhjetë vite më vonë, që tashmë Sovran,

Njëzet herë, ndoshta njëqind, gjithmonë me të njëjtin guxim,

Për të shpëtuar vendin e tij, rrezikoi me zemër të qetë,

Jetën bashkë pasuritë e tij, duke vështruar vdekjen ballë për ballë.

Skënderbeu e frymëzonte, ky luftëtar i shquar,

Që çliroi Krujën nga zgjedha e tiranisë.

I gjithë populli i tij, njëzëri, brohoriti: “Zog i Parë!”

Mbret i Shqiptarëve, djalë i kësaj Shqipërie

Që e deshti të bashkuar e të lirë, në tokën Evropiane.

 

  Paris, 13/2/33.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN