MENU
klinika

"Si i sapolinduri rrahjet e zemrës së nënës së tij"

Ky burrë do t’ju bëjë ta doni tokën tuaj!

08.07.2020 - 06:47

Konteksti i historik i periudhës në të cilën u shkrua kjo letër është ai i luftës dhe i shpërnguljeve të mëdha që industrializimi detyroi shtetin të merrte masat për largimin indianëve të amerikës nga tokat e tyre.

Kjo popullsi njihet për adhurimin që kishin për natyrën, për tokën dhe perceptimin që kishin për veten e tyre si pjesë e saj, si të pandashëm trupërisht e shpirtërisht nga toka. Ajo ishte, në fakt, feja e tyre. E ata bijtë e saj.

Kërkesës së Presidentit George Washington që ata t’ia shisnin tokat e tyre shtetit, një plak i urtë i fisit i përgjigjet me një letër e cila për nga përmbajtja e saj dhe thellësia e mendimit për adhurimin që i bëhet tokës e natyrës është bërë pjesë e pandashme e historisë.

Letra e Prijësit Seatle:

“Presidenti Pearce në Washington dërgon fjalë se dëshiron që të blejë tokën tonë. Por si mundesh ta blesh apo ta shesësh qiellin? Tokën? Ideja bën çudi të madhe. Nëse ne nuk e zotërojmë freskinë e ajrit dhe pikat e ujit, si mundemi t’i shesim ato? Çdo pjesë e kësaj toke është e shtrenjtë për popullin tim. Çdo boçe e shndritshme e pishës, çdo insekt i gjallë. Të gjithë janë të shenjtë në kujtesën dhe përvojën e popullit tim.

Ne e njohim limfën që kalon nëpër dejet pemëve sikurse njohim gjakun që kalon në venat tona. Ne jemi pjesë e tokës dhe ajo është pjesë e jona. Lulet me aromë janë motrat tona. Ariu, dreri, shqiponja e madhe, këta janë vëllezërit tanë. Kreshtat shkëmbore, livadhet, nxehtësia e trupit të kalit të vogël, dhe njeriu, të gjithë bëjnë pjesë në të njëjtën familje.

Uji i shndritshëm që kullon në rrjedhat e lumenjve dhe vetë lumenjt nuk janë thjesht ujë, por gjaku i paraardhësve tanë. Nëse ne e shesim tokën tonë, duhet ta kuptoni se ajo është e shenjtë. Çdo pasqyrim në ujërat e qarta të liqeneve flet për ndodhi dhe kujtime të jetës së popullit tim. Gurgullima e ujit është zëri i babait të babait tim. Lumenjtë janë vëllezër tanë. Ata shuajnë etjen tonë. Ata mbajnë barkat dhe ushqejnë fëmijët tanë. Kështu që duhet t’i dhurosh lumit mirësinë që do t’i dhuroje çdo vëllai.

Nëse ne e shesim token tonë, mbani mend se ajri është i çmuar për ne, se ajri ndan shpirtin e tij me të gjithë jetën që ai na jep. Erërat që i dhanë frymën e parë gjyshit tonë gjithashtu morën frymën e tij të fundit. Era gjithashtu u jep gjithashtu frymën e jetës fëmijëve tanë. Kështë që nëse jua shesim token tonë, duhet ta mbash veçmas dhe të shenjtë, si një vend ku njeriu mund të shkojë të shijojë erën që ëmbëlsohet nga lulet e livadhit.

A do t’u mësoni fëmijëve tuaj atë që ne u kemi mësuar fëmijëve tanë? Se Toka është Nëna jonë? Çfarë bie mbi tokë bie mbi të gjithë bijtë e saj.

Këtë e dimë: Toka nuk i përket njeriut, njeriu i përket Tokës. Të gjitha gjërat janë të lidhura si gjaku që na bashkon ne të gjithëve. Njeriu nuk e ka endur rrjetën e jetës; ai është thjesht një pjesë e saj. Çfarëdo që ai i bën rrjetës, ai ia bën vetes së tij.

Një gjë e dimë: Zoti ynë është Zoti juaj. Toka është e çmuar për të dhe t’i bësh dëm tokës është të grumbullosh përbuzje mbi Krijuesin e saj. Fati juaj është një mister për ne. Çfarë do të ndodhë kur bualli dhe të gjithë të theren? Kuajt e egër të zbuten? Çfarë do të ndodhë kur qoshet sekrete të pyllit janë të rënduara me aromën e shumë njerëzve dhe pamja e kodrave të pjekura është e kapardisur nga telat që përcjellin sinjale? Ku do të jetë denduria? Do të ketë ikur! Ku do të jetë shqiponja? Do të ketë ikur! Dhe çfarë do të thotë t’i thuash lamtumirë një kali të shpejtë dhe gjuetisë? Fundi i jetesës dhe fillimi i mbijetesës.

Kur njeriu i kuqërremtë i fundit të jetë zhdukur me egërsinë e tij dhe kujtesa e tij të jetë vetëm e një reje që lëviz nëpër preri, a do të jenë këto brigje dhe pyje ende këtu? A do të mbetet ndonjë gjë nga shpirti i popullit tim?

Ne e duam këtë tokë sikurse një i sapolindur do rrahjen e zemrës së nënës së tij. Kështu që nëse jua shesim tokën tonë, duajeni ashtu siç ne e deshëm. Kujdesuni për të ashtu sikurse ne u kujdesëm. Mbajeni në mendje dhe kujtesën e tokës ashtu siç ishte kur e morët. Mbrojeni tokën për të gjithë fëmijët dhe duajeni atë, ashtu siç Zoti na do ne të gjithëve.

Ndërsa ne jemi pjesë e tokës, edhe ju jeni gjithashtu. Kjo tokë është e shenjtë për ne. Është gjithashtu e shenjtë për ju. Një gjë e dimë: ka vetëm një Zot. Asnjë Njeri, i Bardhë apo i Kuq, nuk mund të ndahet. Ne të gjithë jemi vëllezër.”